kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime Audienca kosovare keqinformohet më së shumti për temat politike, sociale e të sigurisë
Zhvillime

Audienca kosovare keqinformohet më së shumti për temat politike, sociale e të sigurisë

Platforma për kontroll të fakteve, hibrid.info ka publikuar sot raportin që paraqet gjendjen e çrregullimit informativ në Kosovë me titull “Çrregullimi informativ në periudhën e dytë të vitit 2022” (shih raportin këtu).

Ky raport, i pari i këtij lloji në Kosovë, bazohet në trajtimin e përmbajtjeve keqinformuese për periudhën korrik-dhjetor të vitit 2022 të bëra nga stafi i hibrid.info.

Bazuar në trajtimin dhe analizën e të dhënave primare mbi të cilat u ndërtua ky raport, kuptohet se keqinformimi mbi dhe rreth ngjarjeve politike është më i larti, me 39.8%, pasuar nga temat sociale me 22.1% dhe ato që ndërlidhen me fushën e sigurisë 16.5%.

Ndërsa, metoda më e shpeshtë e keqinformimit për gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar është përmes formës së dezinformimit me 28.2%, përcjellur nga clickbait me 25.4% dhe përmbajtje e pa verifikuar me 11.8%.

Përmes një analize krahasuese midis llojit më të shpeshtë të çinformimit që ishte dezinformata me temat e fushës politike dhe të sigurisë si më dominueset, na tregojnë se prodhimi dhe publikimi i përmbajtjeve keqinformuese është bërë me qëllim të krijimit të një narrative dezinformuese. Kjo analizë krahasuese vjen duke u bazuar në atë se dezinformata si formë e keqinformimit përdoret kryesisht për të përcjellë qëllimshëm agjendë propaganduese.

Përmbajtjet që i posedojnë këta dy faktorë vijnë kryesisht si deklarata të zyrtarëve të lartë politikë e institucionalë nga Serbia dhe artikujve të disa mediave në gjuhën serbe për dhe rreth ngjarjeve e zhvillimeve në Kosovë. Përmbajtjet e publikuara e shpërndara nga këto dy lloj burimesh, përpos si dezinformata, janë vlerësuar kryesisht edhe si manipulim i fakteve e teori konspirative. Edhe këto dy lloj vlerësimesh japin indikacione se arsyeja e prodhimit dhe shpërndarjes se përmbajtjeve të tilla është bërë me qëllim keqinformimi, si pjesë e një narrativi politik.

Temat që janë përdorur kryesisht nga burimet e lartpërmendura janë ndërlidhur kryesisht me ngjarjet në veri të Kosovës, raportet Kosovë-Serbi, ngjarjet dhe zhvillimet në komuna e rajone të banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe të ngjashme.

Në anën tjetër, temat që ndërlidhen me çështje sociale, në masë të madhe janë përdorur për të prodhuar përmbajtje të vlerësuar si clickbait. Nëse bëhet analizë e krahasimit të këtyre dy faktorëve – llojet e temave dhe vlerësimit – rezulton që përmbajtjet e këtij kombinimi nuk kanë pasur domosdoshmërisht qëllim dezinformimin. Ky lloj kombinimi është bërë kryesisht për qëllime tjera materiale të prodhuesve e shpërndarësve të këtyre përmbajtjeve.

Përdorimi i temave sociale për të bërë artikuj clickbait është bërë në masë të madhe nga mediat vendore, të dominuar nga ato në gjuhën shqipe.

Artikujt e vlerësuar si “Dezinformatë”, në mbi 50 % të rasteve janë publikuar e shpërndarë nga portale të dyshimta dhe në masë më të vogël nga ato reale. Shumica e artikujve të publikuar si dezinformatë janë me lajme në fushën e politikës dhe sigurisë, të cilët trajtojnë tema rreth ngjarjeve në veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi e të tjera të ngjashme.

Vlerësime “Clickbait” kanë marrë publikimet me pretendime të pasakta për ndihmat financiare – ekonomike nga Qeveria e Kosovës për qytetarët, skemat sociale, tërheqja e parave nga Trusti, çmimet e naftës, vizat etj. Tek kategoria “Përmbajtja e pa verifikuar” përfshihen artikuj të ndryshëm keqinformues për dialogun Kosovë-Serbi e ngjarjet në veriun e Kosovës.

Temat në fushën politikës kanë dominuar gjatë kësaj periudhe me 39.8%. Pasohen nga ato në fushën e sociales me 22.1% që janë në vendin e dytë dhe të sigurisë në vendin e tretë me 16.5%.

Në fushën e politikës, ka dominuar keqinformimi që rrjedhin nga ngjarjet që përshkruajnë raportet Kosovë-Serbi, me afro 19%. Prej tyre, 12.3% janë të përbëra nga ngjarjet e ndodhura në veri të Kosovës, 3.1% për dialogun Kosovë-Serbi, afër 2 % për ngjarjet me karakter etnik në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi që përfshihen retorika politike, përplasjet e liderëve përmes deklaratave e të ngjashme.

Në fushën e sociale u përdorën temat si rritja e çmimeve me 12%, skema sociale 2.6%, liberalizimi i vizave 2.4%, etj.

Praktikat gazetareske

Në raport, sipas diskutimeve me ekspertë të mediave dhe fushës së komunikimit, janë evidentuar disa probleme në sektorin e mediave në Kosovë. Problemi shfaqet kur kihet parasysh numri i madh i mediave online në Kosovë dhe pamundësia e gjithë këtyre operatorëve mediatik për të funksionuar, qoftë në aspektin financiar ashtu edhe në plotësimin e nivelit të kuadrove profesionale.

Mangësitë në këto komponentë, bënë që një pjesë e madhe e mediave ta kenë të vështirë të verifikojnë përmbajtjen që e publikojnë e që, rrjedhimisht, të publikojnë edhe artikuj keqinformues.

Faktor tjetër është edhe afërsia e udhëheqësve të disa mediave me grupe të interesit dhe përcjella e agjendave të tyre.

Rregullimi dhe vetërregullimi i mediave

Sfida kryesore që përkufizohet nga ky raport në fushën e rregullimi të mediave është mosfunksionimi efikas i sistemit të drejtësisë. Në Kosovë vlerësohet se ka mekanizma që mund ta monitorojnë dhe rregullojnë sektorin e medias siç janë Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), Këshilli i Mediave të Shkruara(KMShK) dhe organizatat tjera joqeveritare që merren me këtë fushë. Megjithatë, konsiderohet se funksionalizimi i plotë i tyre po duket të jetë i vështirë si pasojë e mungesave në kapacitete të brendshme, mospërfillja e tyre nga institucionet e veçanërisht nga sistemi gjyqësor.

Përkundër që këta mekanizma kanë proceduar shkeljet e evidentuara nga mediat te organet e drejtësisë, nga ekspertët vlerësohet se, vonesat në trajtimin e lëndëve nga prokuroria dhe gjyqësori po e paralizojnë edhe funksionalizimin e këtyre trupave dhe po i bëjnë shumë më pak efikas në aspektin e rregullimit të fushës së medias.

Rekomandimet dhe sugjerimet

Për mediat

Rekomandohet që mediat të ndërtojnë praktika të qarta të identifikimit të burimeve dhe verifikimit të fakteve para publikimit të lajmit,  dhe redaksitë të ndërtojnë praktika të respektimit të kodeve të etikës dhe të gazetarisë në përgjithësi e veçanërisht të ndërmarrin masa ndaj gazetarëve që bëjnë shkelje për të parandaluar përsëritjen e tyre.

Gjithashtu, duhet të shtohen redaktorët e lektorët përgjatë tërë zinxhirit të prodhimit e redaktimit të lajmit deri te publikimi i tij për të siguruar profesionalizëm  dhe minimizuar keqinformimin.

Për institucionet

Publikut të gjerë i mungojnë njohuritë për të bërë dallime mes mediave online, nëse ato janë autentike apo jo, nëse kanë të dhëna mbi redaksinë, pronësinë apo nëse kanë  informata kontaktimi.  Prandaj edhe institucionet shtetërore mund të angazhohen dhe të bëjnë më shumë për edukimin medial, për krijimin e një ambienti të sigurt për punë, qoftë duke i trajtuar më me seriozitet kërcënimet ndaj gazetarëve apo edhe duke e zbatuar ligjin e punës,  çka do të ndikonte në shtrirjen e rregullsisë edhe në fusha të tjera të mediave.

Futja e lëndës së edukimit mediatik në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës mund të jetë vetëm çështje kohe duke parë se çrregullimi informativ është tashmë realitet i cili nuk do të zhduket shpejtë.

Exit mobile version