kosovofacts Blog BallinaBottom Ngrohtoret qendrore në Kosovë
BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën

Ngrohtoret qendrore në Kosovë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Ligji për ngrohje qendrore në Kosovë, përcakton kushtet dhe standardet për kryerjen e aktivitetit të prodhimit, distribuimit dhe furnizimit me ngrohje, kushtet e operimit me stabilimente e objekte të tjera të ngrohjes qendrore, organizimin e tregut të ngrohjes dhe qasjen në rrjet të distribuimit, si dhe të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që veprojnë sipas këtij ligji.

Sipas këtij ligji, sistemet e ngrohjes janë të instaluara në zonat urbane me popullatë të dendur ku prodhohet ngrohja, distribuohet dhe me të furnizohet konsumatori.

Sistemet e Ngrohjes Qendrore (NQ) në Kosovë janë të kufizuara në vetëm katër komuna (Prishtina, Gjakova, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani – këto dy të fundit janë jashtë funksionit), që përbëjnë 3 deri në 5% në ngrohjen e hapësirave, që nënkupton që pjesa tjetër mbulohet nga vetë konsumatorët me djegien e drurit, thëngjillit, biomasës apo edhe me shfrytëzimin e energjisë elektrike.

Bashkimi Evropian (BE) ka lansuar në tetor të 2021, projektin i ri të asistencës teknike për të mbështetur përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohje Qendrore, bazuar në energjinë e ripërtëritshme në tetë komuna të Kosovës – Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Drenas, Obiliq, Mitrovicë dhe Zveçan.

Sipas Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), e cila është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe të kontribuojë në perspektivën evropiane të vendeve Ballkanit Perëndimor, komunat si Obiliqi dhe Drenasi janë në zona të favorshme duke pasur parasysh se e para është afër termocentralit Kosova B dhe mund të lidhet me sistemin e kogjenerimit, dhe e dyta është afër fabrikës së shkritores “Feronikeli” e cila harxhon energji termike, që del nga procesi teknologjik i shkrirjes.

WBIF po ashtu thekson se përkundër përmirësimeve të konsiderueshme në furnizimin me ngrohje nga njësitë e kogjenerimit (Prishtinë), ngrohja qendrore në konsumin final të energjisë është ende shumë e ulët në krahasim me potencialin e disponueshëm, ndërsa sistemet termike të vjetruara në qytete si Mitrovica dhe Zveçani kanë nevojë për rehabilitim gjithëpërfshirës në mënyrë që të zgjerohen shërbimet në ndërtesat e reja dhe ato të planifikuara, pasi kërkesa për kyçje është vazhdimisht në rritje.

Termokosi

Termokos u themelua në vitin 1970 si kompani e ngrohjes qendrore. Në vitin 1974 iu bashkua Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, ndërsa në 1978 u nda dhe filloi të operojë si kompani e pavarur nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës. Nga paslufta e deri në nëntor 2001, Termokosi ishte nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut. Më vonë, kaloi nën Agjensionin Kosovar të Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2006, u korporatizua si N.P. Termokos Sh.A. dhe që nga qershori 2008 është nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës.

Termokosi është furnizues lokal për ngrohje qendrore në Prishtinë dhe ofron shërbimet e ngrohjes në këto rajone të Prishtinës:

1. Qendra

2. Ulpiana (përfshinë edhe njësinë e QKUK-ës)

3. Dardania 

4. Kodra e diellit

5. Kalabria

6. Mati 1

7. Arbëria

Ngrohtorja e Qytetit Gjakovë

Ngrohtorja e Qytetit Gjakovë SH.A është kompani publike që ofron ngrohje për sektorin komercial dhe amvisërinë. Themeluar në vitin 1981, fillimisht ishte pjesë e B.V.I.-së dhe u pavarësua në vitin 1983. Në vitin 1985 ndryshoi emrin në INGRO Gjakovë dhe më 1998 u transformua në ndërmarrje publike nën pronësinë e Komunës së Gjakovës. Pas vitit 1999, kaloi nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut dhe AKM-së, ndërsa në 2006 u bë shoqëri aksionare.

Shpërndarja e energjisë termike në Gjakovë bëhet përmes rrjetit të termofikimit, i cili përfshin rrjetin primar në dy pjesë. Pjesa veriore, e vendosur në vitin 1980, shtrihet 5.6 km dhe furnizon institucione si shkolla, shtëpi shëndeti, ndërtesa komunale dhe kolektive. Pjesa jugore, vendosur më 2001 si donacion nga SIDA, shtrihet 16.6 km dhe furnizon Spitalin Rajonal dhe shtëpitë individuale, duke përfshirë edhe disa institucione dhe ndërtesa kolektive.

NQ ”Termomit”

Për këtë kompani ka shumë pak të dhëna publike. Ato që janë gjetur tregojnë se kjo kompani ofron shërbime për komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Ministria e Ekonomisë në Strategjinë e Ngrohjes për vitin 2011-2018 thoshte se NQ MITROVICË (Kompania “Termomit”) – furnizon 160 konsumatorë kryesisht në sektorin e amvisërisë me një sipërfaqe të ngrohur rreth 8.500 m2. Gjatësia totale e rrjetit të distribuimit është rreth 6 km. Ekziston projekti i kogjenerimit për të lidhur sistemin ekzistues të NQ Termokos sh.a. në Prishtinë me termocentralin “Kosova B”, i cili (thuhej atëherë) parashihet të zbatohet në vitet e ardhshme.

Sipas kësaj strategjie, thuhet se sistemet e NQ-ve nuk janë financiarisht të qëndrueshme për momentin. Duhet të vazhdohet me investimet për zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese dhe futjen e pajisjeve të reja në ngrohtore. Realizimi i projektit të kogjenerimit TC ‘Kosova B’ – Termokos sh.a., atëherë thuhej se do ta përmirësonte furnizimin aktual me ngrohje në qytetin e Prishtinës dhe me mundësi që t’i furnizojë edhe qytetet tjera në rajonin e Prishtinës, në radhë të parë qytetin e Kastriotit (Obiliqit). Kjo gjë ende nuk ka ndodhur, e madje edhe shumë pjesë të Kryeqytetit nuk janë të lidhura në sistemin e ngrohjes.

Exit mobile version