kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime A u favorizuan komunat e LVV-së me ndarjen buxhetore?
BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

A u favorizuan komunat e LVV-së me ndarjen buxhetore?

Buxheti më i madh në historinë e Kosovës, siç u cilësua nga kryeministri Albin Kurti më 16 nëntor të vitit të kaluar, u prit me shumë pakënaqësi kur u votua në parim Projektligji.

Fillimisht, ishte opozita në Kuvend ajo që nuk u pajtua me ndarjet e kuletës së shtetit në atë seancë, duke konsideruar se Buxheti 2024 nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Rreth një muaj më pas, më 14 dhjetor, deputetët e miratuan Ligjin për Buxhetin 2024 në vlerë prej mbi 3,3 miliardë euro gjatë një seance të jashtëzakonshme, e cila kësaj radhe u bojkotua nga opozita. Por, kritikat më të mëdha buxheti i mori nga niveli lokal. Sipas Ligjit, komunave në vend iu ndanë pak më shumë se 742 milionë euro në total. Nga këto, gati 22 milionë euro ishin të destinuara për projekte të reja kapitale.

Shumica e kryetarëve të komunave që vijnë nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, thanë se qeveria ka bërë favorizime ndaj komunave që udhëhiqen nga LVV-ja, partia që mban pushtetin qendror.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, pati thënë se 22 kryetarë komunash janë ankuar për ndarje jo të drejtë buxhetore.

Pabarazinë në ndarjen buxhetore për investime të reja kapitale për vitin 2024, në vlerë prej 21.8 milionë euro, e ka konstatuar edhe Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

Por, nga qeveria kanë vazhduar ta mohojnë se kanë favorizuar ndonjë komunë dhe akuzat e tilla i kanë quajtur dezinformatë.

A bëri diskriminim qeveria?

Në një analizë të publikuar në fund të vitit të kaluar, GAP-i tha se gjysma e këtij buxheti, gjithsejtë 13 milionë euro, sikurse edhe vitin e kaluar, është ndarë për katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja (Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja).

“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV), ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë vetëm 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë”, konstatoi GAP-i në këtë analizë.

Sipas kësaj analize, i bie se për kokë banori, për qytetarët e Shtimes janë ndarë dhjetë herë më shumë mjete për investime të reja kapitale se sa për kryeqytetasit. Për këtë, në Komunën e Prishtinës thanë se janë të zhgënjyer me nivelin qendror.

Ndërkaq, komuna si ajo e Ferizajt, Skenderajt, Lipjanit, Kaçanikut e Rahovecit, kanë thënë se kanë përfituar zero euro nga qeveria për projekte të reja kapitale.

Për këtë çështje, kanë folur edhe ekspertë të ekonomisë, të cilët po ashtu e kanë cilësuar si të pabarabartë ndarjen buxhetore për nivelin lokal për sa u përket projekteve të reja kapitale.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka thënë se buxheti i vitit 2024 nuk është buxhet zhvillimor, teksa ka theksuar se buxheti për komunat për vitin 2024 është i ndarë “në mënyrë shumë të padrejtë, jonjerëzore, johumane, jo në rregull”.

Edhe profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se pa investime në komuna nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se duke marr parasysh inflacionin dhe ngritjen e çmimeve, buxheti i ndarë për vitin 2024 nuk do të jetë buxhet zhvillimor. Sipas tij, ky buxhet do të jetë më tepër i natyrës sociale.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Alban Hashani, ka kërkuar që buxheti të drejtohet në pjesën e investimeve kapitale.

Kritikave të opozitës dhe raportit të GAP-it iu përgjigj ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai e kishte cilësuar si dezinformatë analizën e GAP-it mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024 për komunat.

“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”, pati thënë Murati.

Ministri thoshte se ndarja buxhetore për komunat përcaktohet në bazë të formulës, kryesisht për kokë banori, por edhe për numër të nxënësve dhe numër të personave mbi 65-vjeç, kur është puna për grantin e shëndetësisë.

Të mërkurën e 21 shkurtit, kryeministri Kurti ftoi në një takim drejtuesit e komunave, por, ndonëse u tha se ftesën e kanë pranuar të gjithë, në takim morën pjesë vetëm 15 nga 28 gjithsej.

Në këtë takim, Kurti vazhdoi të mbrojë vendimin për ndarjet buxhetore në nivelin lokal për investime të reja kapitale. Ai i quajti të paqëndrueshme akuzat për favorizimin në mbështetje të komunave që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kreu i ekzekutivit tha se Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë euro, që, sipas tij, është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë.

“Komuna e Ferizajt dhe ajo e Gjakovës janë dy prej komunave me më së shumti projekte infrastrukturore të mbështetura” nga MMPHI; “komuna e Rahovecit, Obiliqit dhe Skenderajt, janë renditur në top tre komunat përfituese nga Granti i Performancës Komunale” që ndahet nga MAPL-ja, tha Kurti.

Tutje, sipas tij, secila komunë këtë vit e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre viteve.

“Këto janë shifra dhe të dhëna të cilat i dini të gjithë, jo vetëm sepse i kam përsëritur unë dhe ministrat e Qeverisë. E arsyeja se pse po detyrohem t’i ripërsëris është se në vazhdimësi po dëgjojmë akuza e kritika për mungesë të mbështetjes së komunave nga qeveria ose pabarazi të mbështetjes. As njëra, as tjetra nuk qëndrojnë. Andaj meqë jemi këtu, në frymë të bashkëpunimit, duhet që asnjëri nga ne të mos i kontribuojmë keqinformimit të qytetarëve, por të luajmë një rol aktiv të mirëinformimit të tyre kur vjen puna te mbështetja nga niveli qendror për atë lokal”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Në bazë të asaj që deklaroi shefi i qeverisë në takimin që pati me kryetarët e komunave, deklarativisht i ka demantuar pretendimet për favorizime ndaj komunave, teksa ka thënë se disa prej atyre komunave që kanë hedhur akuza dhe janë ankuar më së shumti, kanë përfituar nga granti i Mnistrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe janë mbështetur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Industrisë (MMPHI) për projekte.

Megjithatë, në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë takim, Kurti nuk ka dhënë asnjë shifër për të demantuar pretendimet e kryetarëve të komunave dhe as analizën e Institutit GAP për favorizime ndaj komunave që udhëhiqen nga partia e tij.

Grantet që janë përmendur nga Kurti, si ai i MAPL dhe MMPHI-së, janë buxhet shtesë teksa komunat dhe studimi i Institutit GAP kanë kritikuar qeverinë për diskriminim në ndarjet bazë buxhetore.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Exit mobile version