kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime Loja me shifrat e të papunëve
BallinaBottom Fakte për... Zhvillime

Loja me shifrat e të papunëve

Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) përgjatë krejt mandatit të saj vazhdimisht është krenuar për uljen e papunësisë. Por shifrat e dhëna nga ta janë kontestuar në vazhdimësi.

Kështu ishte edhe në vitin 2020 kur në mbylljen globale të ekonomive për shkak të pandemisë COVID-19, qeveria Kurti I krenohej për uljen më të madhe të papunësisë në 20 vitet e fundit.

“Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bën që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit”.

Ky ishte një deklarim i bërë në Facebook më 5 maj të vitit 2020 nga atëherë ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, kohë kur Kosova, por edhe pothuajse i tërë globi ishte mbyllur si pasojë e pandemisë COVID-19.

Deklarata e tij, e cila tashmë është fshirë nga Facebook-u, ishte cilësuar si “manipuluese”.

Këtë deklaratë ai e mbështeste në faktin se numri i punëtorëve të rinj të regjistruar, falë një incentive të qeverisë për formalizim të punëtorëve, ishte rreth 10 mijë persona.

Ish-kryetari i LVV-së, Visar Ymeri tashmë drejtues i Institutit për Politika Sociale, “Musine Kokalari”, pati thënë se Bislimi është duke manipuluar me shifra.

“Ministri i Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi, paska deklaruar se papunësia na qenka ulur për 6,6% (që i bie 1.8 pikë të përqindjes) gjatë këtij muaji. Aferim. Ky vërtet do të kishte qenë një sukses i madh. Po të kishte qenë i vërtetë. Por jo. Ministri këtu luan me numra në mënyrë goxha manipulative dhe keqinformuese. Së pari, natyrisht që është e pamundur që papunësia të bjerë në mes të mbylljes totale të aktivitetit publik për shkak të pandemisë. Këtë e di e tërë bota. Sigurisht se e di edhe z. Bislimi. Së dyti, nëse papunësia na paska rënë për 6,6%, atëherë ky do të kishte qenë rezultat i politikave ekonomike të qeverive të kaluara, kur e kemi parasysh se kjo Qeveri është në pushtet prej fillimit të shkurtit, ndërsa ministri po flet për muajin prill”, pati thënë ndër të tjera Ymeri.

Madje Bislimi, shifrën e punëtorëve të rinj të regjistruar/formalizuar e pati zbritur nga numri i të papunëve që i deklaron Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, sipas Avni Kastratit, kryeshef në ASK, numri i punëtorëve të formalizuar nuk mund të zbritet nga numri i të papunëve, meqë ASK në raportin e vet i përfshin edhe punëtorët informalë. Ai pati thënë se konsiderohet që numri i punëtorëve të rinj të regjistruar, të përmendur nga Bislimi, në raportin e ASK-së veç kanë qenë të tillë, pra të punësuar.

“Te gjithë personat të cilët kanë një kontratë pune apo kanë punuar edhe pa kontratë (pra edhe ata që nuk janë në ATK dhe Trust), ASK-ja i përfshinë në hulumtim”, pati thënë Kastrati.

Duke u gjendur në një mal kritikash, Bislimi rreth 3 ditë më vonë pati thënë se është keqkuptuar.

Rënie e papunësisë a migrim?

Të kthehemi në ditët e sotme. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka prezantuar të dhënat e fundit të Anketës së Fuqisë Punëtorë më 7 shkurt të këtij viti. Aty thuhet se shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2022 ka qenë 11.8%, ndërsa në tre mujorin e parë (TM1) të 2023-tes ka rënë në 11.5%.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, kur prezantoi buxhetin e vitit 2024, tha se gjatë mandatit të tij ishin krijuar 60,000 vende të reja pune.

“​​Për këta 31 muaj të mandatit tonë, ekonomisë i’u shtuam 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare. Kjo si rezultat i politikave e masave të suksesshme për rritje të ekonomisë e të punësimit”.

Por, edhe përkundër këtyre deklarimeve se papunësia është ulur në vlera rekorde, për qytetarët e Kosovës papunësia mbetet një ndër tri shqetësimet e para.

Sipas një ankete të publikuar rishtazi nga programi i UNDP-së në Kosovë, “Pulsi publik” thotë se 28.6% e qytetarëve të anketuar e shohin varfërinë si problemin më të madh të vendit aktualisht, një rritje prej 7.5% krahasuar me anketën e muajit prill 2023.

Problemi i dytë më i madh për Kosovën, sipas qytetarëve, është papunësia. Perceptimi i qytetarëve për këtë problem është 19.2%, për dallim nga anketa e prillit të vitit të kaluar kur qytetarët papunësinë e shihnin si problemin kryesor me 32.7%.

Ndërsa, si problem i tretë janë renditur çmimet e artikujve të domosdoshëm me 8.9%.

E shifrat e punësimit po kontestohen nga opozita dhe palë tjera si ekonomistë dhe sindikalistë.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se qeveria aktuale që katër vite në pushtet, po i mban qytetarët me skema sociale.

“Tash e katër vite kjo qeveri nuk ka asnjë projekt investim kapital prodhues vendor, asnjë investim që e prekë çështjen e prodhimtarisë vendore. Vetëm skema sociale kjo qeveri po sjell të cilat nuk e rrisin zhvillimin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se “të metat e qeverisë po largojnë të rinjtë nga Kosova”.

Për papunësinë ka folur edhe anëtarja e këtij komisioni, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi. Ajo tha se Qeveria Kurti nuk po mendon për qytetarët, por vetëm për militantët e VV-së.

“Kjo qeveri në të gjitha sektorët ka zero rezultate e regres dhe papunësia është e madhe dhe qeveria aspak nuk po mendon për qytetarët është duke menduar për militantët dhe familjarët e vetë. Kurti e Murati po thonë që mijëra qytetarë kanë hyrë në vendet e punës kjo e cila është  e pavërtetë”deklaroi Bunjaku-Rexhepi.

Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka përmendur statistika zyrtare që bien ndesh me njëra-tjetrën. Ai ka thënë se për rreth 2 vjet e gjysmë, sipas ASK-së, janë punësuar rreth 34 mijë persona në Kosovë, ndërsa për të njëjtën periudhë, numri i të papunëve ka rënë në rreth 80 mijë.

“Një fenomen interesant që po ndodhë në tregun e punës: nëse e shohim sa njerëz janë punësuar nga marsi 2021 deri në nëntor 2023, janë rreth 34 mijë më shumë të punësuar në Kosovë. Ndërsa nëse e shohim te ASK-ja se sa është numri i të papunëve, është zbritje prej rreth 80 mijë. D.m.th., norma e papunësisë në Kosovë është zbritur në rreth 11 për qind. Pra, në tremujorin e parë të 2023, Kosova ka normë më të ulët të papunësisë sesa Spanja. Çka ka ndodhë me këta persona? I kemi punësuar rreth 34 mijë, por 80 mijë më nuk janë të papunësuar – nuk janë as joaktivë e as aktivë. Një numër i madh prej tyre janë larguar nga Kosova”deklaroi Jakurti.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotë se statistikat e ASK-së nuk janë shumë të sakta.

“Vendet e punës po mbyllen, Enti ka dhënë shumë shifra që për ne janë jorelevante. Vetë fakti që ka thënë që paga mesatare në Kosovë është prej 350-400, të bën me dije se ata nuk kanë statistika të sakta. Ne mund të themi gjithçka nga zyra, në terren, nëse hyjmë në çdo kompani në nivel të Kosovës, ka mungesë të punëtorëve. Është ulur papunësia, por nga ka ardhur kjo? Sepse njerëzit kanë ikur nga Kosova, kanë dalë”, tha ai.

Kjo përqindje nuk po i duket e saktë as Agim Shahinit nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Ai thotë se nuk ka mundësi të ketë ulje të papunësisë pasi sipas tij, në shumë dyqane në Kosovë po kërkojnë punëtorë.

“Në shumë dyqane në Kosovë kërkohen punëtorë, e si mund të jetë numri më i ulët i papunësimit? Pagat janë të ulëta e që e rrisin interesimin për të dalë nga vendi ose për të gjetur ndonjë formë tjetër. E për mos i paguar taksat i gjejnë disa forma që mos të jenë në formë formale por informale që të ulen statistikat normale”, tregoi Shahini.

Ai thotë se arsye për uljen e numrit të të papunëve është edhe luftimi i informalitetit në punësim, ku për të përfituar nga masat mbështetëse të qeverisë për stafin e tyre, bizneset duhet t’i regjistronin punëtorët.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Exit mobile version