kosovofacts Blog Ballina Cilat vende i njohin patentë shoferët e Kosovës?
Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Cilat vende i njohin patentë shoferët e Kosovës?

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Austria është shteti i radhës që njohu patentë shoferët e Kosovës. Nga 1 marsi i këtij viti hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili do të lehtësojë procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës, njoftoi Ambasada e Kosovës në Austri.

Sipas ligjit përkatës, “patentë shoferi” është dokument publik të cilin e lëshon organi kompetent dhe i cili dëshmon të drejtën për ta drejtuar kategorinë e caktuar të mjeteve.

Por përveç Austrisë, në cilat shtete tjera është i vlefshëm dokumenti i lëshuar nga institucionet e Kosovës?

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por kishte pranuar patentë shoferët e Kosovës në dialogun teknik ndërmjet dy vendeve, që kishte filluar më 8 mars të vitit 2011, pas miratimit të rezolutës së përbashkët Serbi-Bashkimi Evropian-Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Përderisa Kosova dhe Serbia nuk kanë njohje reciproke, ndryshe është situata në marrëdhëniet me shtetin shqiptar. Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta. Mbledhja e pestë (26 nëntor, 2018) e qeverive të këtyre dy vendeve solli marrëveshjen për njohjen reciproke të patentave për drejtuesit e mjeteve.

Një vit më vonë (28 janar, 2019), në një takim ndërmjet ministrit të atëkohshëm të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa me ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski u nënshkrua marrëveshje për njohjen reciproke të patentë shoferëve.

Ndërsa, në shkurt të 2019, ministri Mustafa kishte dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesat për marrje të rekomandimit për miratim në parim me shtetet e Bashkimit Evropian (BE) për njohje reciproke të patentë shoferëve.

Por, njohja e parë e ndërsjellë e patentë shoferëve mes Kosovës dhe një shteti të BE-së, erdhi tre vjet më vonë, kur Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në mbledhjen e Bundesratit Gjerman, ishte votuar që patentë shoferët e Kosovës të njihen në tërë Gjermaninë.

Albin Kurti në mbledhjen e djeshme të qeverisë (26 shkurt, 2025), tha se që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Gjermaniës, nga prilli i vitit 2023, rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patentë shoferët nëpërmjet kësaj marrëveshje.

Viti 2024 solli marrëveshje me disa vende tjera për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve. Italia njohu patentë shoferët e Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Romë për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve të dy këtyre dy vendeve. Lajmin e kishte dhënë Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të jashtme. Marrëveshja kishte hyrë në fuqi më 29 janar, të 2025.

Kurse, për marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacinë ishte marrë vesh nëpërmjet njoftimeve në dhjetor të vitit të kaluar (shih këtu dhe këtu).

Kryeministri Kurti në mbledhjen e djeshme po ashtu tha se janë në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentë shoferëve, me Kanadanë dhe Turqinë.

Exit mobile version