kosovofacts Blog Ballina 2024-ta, viti me më së shumti udhëtarë në transportin ajror në Kosovë
Ballina BallinaBottom Për Kosovën Për udhëtimin

2024-ta, viti me më së shumti udhëtarë në transportin ajror në Kosovë

Shkroi: Fatbardh Dema

Mbi 4 milionë ka qenë numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar transportin ajror në vitin 2024 në Kosovë. Kjo është shifra më e lartë e arritur brenda një viti ndonjëherë në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Numri i udhëtarëve gjithsej në vitin 2024 ka qenë 4 milionë e 77 mijë e 482. Kjo shifër paraqet rritje prej 19.2 për qind në raport me një vit më herët (2023) kur ishin 3 milionë e 420 mijë e 121 udhëtarë.

Në vitin 2024, numri i fluturimeve të realizuara në Kosovë ka qenë 13 mijë e 1. Shifra është për 15.8 për qind më e lartë se viti 2023.

Trendi i udhëtarëve ka qenë në rritje që prej vitit 2021, pas rihapjes nga mbyllja e shkaktuar si pasojë e pandemisë COVID-19.

2024-ta ishte viti në të cilin qytetarët e Kosovës nisën të lëvizin lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Schengen. Liberalizimi i vizave ua mundëson qytetarëve të Kosovës, me pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda periudhës gjashtëmuajshe, në cilindo prej 29 shteteve anëtare. (shih këtu)


Hapësira ajrore e Kosovës që nga viti 1999 është nën kontrollin e NATO-s. Hapësira e ulët ajrore (nën nivelin e fluturimit 205) menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe ofron shërbime për trafikun civil, KFOR-in, EULEX-in dhe aviacionin e përgjithshëm. Hapësira e lartë ajrore (mbi nivelin 205) është hapur për trafikun komercial që nga prilli 2014. Aktualisht, janë dy korridore ajrore për aeroportin e Prishtinës, ndërsa normalizimi i hapësirës ajrore është ende në bisedime me NATO-n.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është aeroporti kryesor dhe i vetëm ndërkombëtar në Kosovë, që shërben si pika kryesore për udhëtarët dhe ngarkesat ajrore në vend. Menaxhohet nga Limak Kosovo International Airport Sh.A (LKIA) që nga viti 2011, pas një marrëveshjeje për koncesion. Aeroporti është zhvilluar me përmirësime të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e një terminali të ri në vitin 2013 dhe zgjerimin e pistës, duke e bërë atë të përshtatshëm për fluturime më të mëdha dhe më komplekse, përmes kategorisë III B.

Të dhënat nga internet (“Google”) tregojnë se Aeroporti i Gjakovës “Amiko” ndodhet në Qerim, afër Gjakovës dhe deri në shtator 1999 ka shërbyer si aeroport bujqësor. Aktualisht, është nën mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe është përdorur për fluturime ushtarake dhe humanitare. Pista e tij është e asfaltuar dhe ka gjatësi prej 1800 metrash. Me gjithë operimin sipas rregullave të fluturimit vizual (VFR), ka plane për kalimin në rregullat e fluturimit instrumental (IFR). Parashikohet që “Amiko” të bëhet aeroporti primar i Kosovës, për shkak të kushteve atmosferike më të favorshme krahasuar me Aeroportin e Prishtinës.

Shihni këtu më shumë detaje për aeroportet dhe fushat ajrore në Kosovë

Exit mobile version