kosovofacts Blog Ballina 9 Prilli: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Institucionet Politikë

9 Prilli: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Përgatiti: Festim Rizanaj

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më i lartë juridik i vendit, që garanton të drejtat dhe liritë themelore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ajo u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti, duke shënuar një hap historik në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

Nga shpallja e pavarësisë te Kushtetuta

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura. Vetëm dy muaj më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila u bë efektive më 15 qershor 2008. Me këtë dokument, u vendos baza ligjore për funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë qytetarët.

Kjo ditë, 9 Prilli, është zyrtarisht festë shtetërore, ku institucionet publike nuk punojnë, duke e nderuar rëndësinë e këtij dokumenti themelor.

Nga korniza kushtetuese e OKB-së te vetëqeverisja

Para shpalljes së pavarësisë, Kosova udhëhiqej nga një Kornizë Kushtetuese e miratuar në vitin 2001, e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i jepte kompetenca të caktuara Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Megjithëse misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk është larguar zyrtarisht, hyrja në fuqi e Kushtetutës shënoi një hap konkret drejt qeverisjes së brendshme të pavarur, veçanërisht në zonat me shumicë shqiptare.

Një Kushtetutë e bazuar në Planin Ahtisaari

Pjesa më e madhe e Kushtetutës rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, i cili kishte për qëllim të garantonte mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë dhe të siguronte një ambient demokratik, gjithëpërfshirës dhe paqedashës për të gjithë qytetarët.

Ky akt juridik e definon Kosovën si një shtet qytetar, me shoqëri shumetnike, të përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, si dhe si një shtet laik që ndan funksionet shtetërore nga feja. Po ashtu, Kushtetuta është hartuar nga një numër i vogël i ekspertëve vendorë, të cilët punuan nën mbikëqyrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët u siguruan që dispozitat të jenë në përputhje të plotë me Pakon e Ahtisarit.

Për nga përmbajtja, Kushtetuta e Kosovës konsiderohet si ndër më të avancuarat në botë, në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, përfaqësimit të minoriteteve etnike dhe grupeve tjera shoqërore.

Kushtetuta përmban 162 nene të shpërndara në 14 kapituj, përfshirë një preambulë që reflekton vullnetin e qytetarëve për të ndërtuar një shtet të barabartë dhe të integruar në strukturat ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version