kosovofacts Blog Ballina Tregu i punës në Kosovë për vitin 2024
Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën

Tregu i punës në Kosovë për vitin 2024

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Kosova ka një përmirësim të kujdesshëm në tregun e punës, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2024, shkalla e papunësisë në vend ka rënë në 10.8%, ndërsa pjesëmarrja në fuqinë punëtore ka shënuar rritje të lehtë.

Në vitin 2024, Kosova kishte rreth 1.07 milion banorë në moshë pune (15-64 vjeç). Prej tyre: 464,567 persona ishin ekonomikisht aktivë, një rënie prej 12,783 personash krahasuar me vitin 2023 dhe 414,493 persona ishin të punësuar, gjithashtu me një rënie prej 11,006 personash.

Shkalla e punësimit në popullsinë e moshës aktive arriti në 38.6%, që është rritje prej 2.3 përqindjeje nga viti paraprak.

Megjithëse papunësia ka rënë lehtë dhe punësimi është rritur, numri i personave joaktivë ekonomikisht mbetet i lartë: mbi 610 mijë qytetarë nuk janë as të punësuar, as në kërkim të punës. Kjo korrespondon me një shkallë joaktiviteti prej 56.8%, me një përmirësim të vogël prej 2.5% nga 2023.

Të punësuarit sipas gjinisë tregojnë se 21.2% e grave të moshës 15-64 vjeç janë të punësuara, krahasuar me 55.9% të burrave ndërsa shkalla e joaktivitetit tek gratë është e 74.1%, që tregon vështirësi për pjesëmarrjen e grave në ekonomi.

Këto të dhëna tregojnë pabarazitë gjinore në punësim dhe pjesëmarrjen ekonomike në Kosovë.

Një tjetër kategori e prekur janë të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Shkalla e papunësisë në këtë grup është rritur në 19.5% krahasuar me 17.3% në vitin 2023. Kjo tregon për vështirësitë e të rinjve për të hyrë në tregun e punës, mungesën e përvojës, si dhe shkëputjen ndërmjet arsimit dhe kërkesave të tregut.

Më shqetësuese është kategoria NEET – të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsim apo trajnim, që arrin në 31.4% të popullsisë së re. Kjo do të thotë se 1 në 3 të rinj në Kosovë është jashtë çdo forme të angazhimit socio-ekonomik.

Sektorët ekonomikë që kontribuojnë më shumë në punësimin në Kosovë janë:

SektoriPjesëmarrja në punësim (%)
Tregtia19.5%
Ndërtimtaria12.6%
Prodhimi10.6%
Arsimi8.8%
Administrata publike dhe mbrojtja8.1%
  

Gratë janë më të përqendruara në arsimi, tregti dhe shëndetësi, ndërsa burrat dominuan në ndërtimtari, prodhim, administratë publike dhe shërbime të tjera.

Raporti i ASK-së tregon për disa përmirësime graduale në tregun e punës, të cilat janë pozitive. Por sfidat strukturore  mbeten pjesëmarrja e ulët e grave, papunësia rinore, dhe shkalla e lartë e joaktivitetit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version