kosovofacts Blog Ballina Çka dihet për mbështetjen e Kosovës për Ukrainën në tri vjet luftë
Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Çka dihet për mbështetjen e Kosovës për Ukrainën në tri vjet luftë

Përgatiti: Fatbardh Dema

Më 24 shkurt (sot) janë bërë tre vjet qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Ndonëse Ukraina nuk e njeh si shtet të pavarur, Kosova e ka mbështetur luftën e popullit ukrainas përballë Rusisë.

Dhjetë ditë pas nisjes së luftës, më 3 mars 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj (shih këtu).

Që nga ajo kohë, Kosova e ka ndihmuar Ukrainën me armatim, trajnime ushtarake dhe me strehim të disa gazetarëve ukrainas.

Më 12 shkurt sivjet, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi për pjesëmarrjen në takimin e 26-të të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, që u mbajt në Selinë Qendrore të NATO-s në Bruksel. Aty u rikonfirmua mbështetja e shteteve perëndimore për Ukrainën.

Maqedonci po ashtu pati njoftuar më 17 dhjetor të vitit 2024 për kthimin e kontigjentit të tretë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar, pas trajnimeve gjashtëmujore për ushtarakët nga Ukraina, në kuadër të operacionit “Interflex” (shih këtu).

Kosova ka mbështetur Ukrainën me kurse për deminim. Në tetor të vitit të shkuar, FSK-ja certifikoi grupin e pestë të kursantëve nga Ukraina (shih këtu). Në prill të 2022-s, disa gra ukrainase kishin ardhur në Kosovë për të marrë mësim për çminim të mjeteve shpërthyese (shih këtu).

Pos ndihmave me trajnime e kurse, në të paktën tri raste, Qeveria e Kosovës ka njoftuar për ndihma ushtarake për Ukrainën. Më 6 shtator 2024, ministri Maqedonci pati thënë se në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ka prezantuar pakon e tretë të ndihmës për Ukrainën. Sipas tij, në dy pakot e para ushtarake, ka pasur pajisje, mjete të blinduara dhe municione. Në pakon e tretë, sipas Maqedoncit, është vendosur të dhurohen flotë automjetesh (shih këtu).

Po ashtu, Kosova pati ndarë edhe 100 mijë euro në mars të 2022-s, për të dërguar produkte “Made in Kosova” (shih këtu).

Kosova po ashtu ka qenë edhe vend strehimi për disa gazetare ukrainase. Gazetarja e parë ukrainase e strehuar në Kosovë ishte Lyudmila Makey. Ajo erdhi në Kosovë më 17 prill 2022. (shih këtu) Qeveria e Kosovës pati ndarë 150 mijë euro për strehimin e rreth 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë në atë vit (shih këtu).

Më 15 dhe 16 qershor të vitit 2024, Zvicra organizoi Samitin e Paqes për Ukrainën. Me qëllim që krerë shtetesh të takoheshin për një qëllim të përbashkët – për paqe afatgjate në Ukrainë – e pranishme ishte edhe Kosova me presidenten Vjosa Osmani (shih këtu).

Presidentja Osmani i pati dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave gratë e Ukrainës në tetor të 2022-s. Medalja iu dedikohej trimërisë, sakrificës dhe kontributit të grave të Ukrainës në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë (shih këtu).

Në maj 2022, Kosova vendosi sanksionet e para ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, duke ndjekur pakot e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas vendimit të asaj kohe, sanksionet përfshinin ngrirje të aseteve ruse e bjelloruse në Republikën e Kosovës dhe ndalimin e udhëtimit në Kosovë, të individëve të sanksionuar. Po ashtu ishte ndaluar importi i qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse të ngurta fosile në Kosovë, nga Rusia. (Sanksionet e plota). Kosova u është bashkuar BE-së dhe SHBA-së edhe në pakot tjera sanksionuese ndaj Rusisë (shih këtu).


Në kuadër të narrativave dezinformuese, Rusia ka provuar të bëjë analogji mes pushtimit në Ukrainë dhe luftës në Kosovë. Kjo narrativë ishte trajtuar edhe në një raport të platformës për kontroll të fakteve “hibrid.info”, të titulluar “Krahasimi Ukrainë-Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”. Raporti u publikua në nëntor të vitit 2024. (shih këtu)

E në mars të 2022-s, “hibrid.info” pati përpiluar raport të shkurtër, të bazuar në të dhënat e siguruara nga databazat e trajtimeve të dezinformatave dhe lajmeve të rreme nga kontrollues të fakteve nga mbarë bota të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN). (Shih raportin e plotë: “Lufta në Ukrainë: Propaganda dhe dezinformimi”)

Exit mobile version