Përgatiti: Etrit Rexhepi
Remitancat janë dërgesa financiare që emigrantët i bëjnë familjeve të tyre në vendin e lindjes. Ato përdoren për mbulimin e nevojave të përditshme si ushqimi, veshmbathja dhe shpenzime të tjera, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe reduktimin e varfërisë.
Remitencat konsiderohet të jenë një burim i rëndësishëm financiar për Kosovën, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Sipas të dhënave të publikuara nga OJQ, “Instituti GAP”, marrë nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), remitencat kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 1.350 miliardë euro në vitin 2024 nga 665 milionë euro në vitin 2015.
Foto e publikuar nga Instituti GAP:

Gjatë viteve 2015-2023, remitencat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme, me periudha të ndryshme dinamike. Në vitin 2015, remitencat u regjistruan në 665 milionë euro, duke përbërë rreth 12% të Bruto Produktit Vendor (BPV-së). Rritje u shënua në vitin 2016, ku remitencat arritën në 691 mil euro. Progresi vazhdoi edhe në vitin 2017, me një rritje të ndjeshme prej 10% në krahasim me vitin paraprak, duke arritur në 759 milionë euro.
Në 2018 dhe 2019 pati rritje prej 5% dhe 6% (në total 11 %) duke shkuar deri në 852 milionë për këto dy vite. Në vitet 2020 dhe 2021, ishte rritja më e madhe. 2020 (vit i pandemisë) pati rritje prej 15%, duke kapur vlerën e 980 milionë eurove. Ndërsa në 2021 u shënua rritja rekord gjatë këtij dhjetë vjeçari, prej 15%, me vlerën totale 980 milionë të remitencave të dërguara në Kosovë.
Tre vitet e fundit po ashtu shënuan rritje të qëndrueshme të remitencave, me një ngadalësim në vitin 2024. Në 2022 remitencat arritën në 1,223 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Viti 2023 vazhdoi të sillte rritje të remitencave, duke arritur në 1,336 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 9%. Ndërsa në vitin 2024 (të dhëna preliminare), remitencat pritet të arrijnë në 1,350 milionë euro, me një rritje minimale prej vetëm 1% krahasuar me vitin 2023.
Përgjatë këtyre viteve, pjesëmarrja e remitencave në BPV ka qenë relativisht e qëndrueshme, duke u luhatur nga 11% deri në 14%. Megjithatë, në vitin 2024, kjo pjesëmarrje parashikohet të bjerë në 13%, bazuar në llogaritjet e BPV-së sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Ministrisë së Financave (MF).
Sipas BQK-së remitencat ofrojnë mbështetje financiare për përmbushjen e nevojave themelore dhe mundësojnë akses në shërbime financiare si llogaritë bankare dhe kredi, për individët dhe familjet, ndërsa për ekonominë e vendit stimulojnë konsumimin dhe investimet, duke ndikuar në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin ekonomik të përgjithshëm.