Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), kur u mblodh më 16 prill të këtij viti për të shqyrtuar dhe votuar Raportin e hartuar nga Dora Bakoyannis, e cila është raportuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me shumicë votash i tha “PO” atij raporti.
Kontribut në këtë votim dha vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pronat e Manastirit të Deçanit.
E që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE-së, duhet të presë mbledhjen e Komitetit të Ministrave (KM) të kësaj organizate, të cilët do të mblidhen kah mesi i muajit maj dhe ku pritet të jetë si pjesë e rendit të ditës edhe rasti i Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se beson që votimi në KM të KiE-së do të jetë pozitiv.
“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, ka deklaruar Kurti.
Mirëpo, po del se kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë.
Aleatët perëndimorë po i kërkojnë Kosovës që të ndërmarrë hapa urgjentë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo ka dhënë sinjale se themelimi i Asociacionit është në fakt kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por qeveria e Kosovës ka mohuar se ky mund të jetë kusht.
Franca, Gjermania e ShBA-ja, “loud and clear”
Paralajmërim të hershëm për këtë “kusht” pati bërë Zëvendësi i Ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Pasi pati vlerësuar pozitivisht vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit, zyrtari amerikan pati thënë se KiE-ja i ka përmendur edhe dy kushte për Kosovën.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ishte shprehur Escobar më 15 mars, dy ditë pas vendimit për Manastirin e Deçanit.
Por, paralajmërimi i Escobarit nuk ishte marrë seriozisht dhe ishte kundërshtuar nga disa pjesëtarë të Asamblesë Parlamentare të KiE.
Por, së voni, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha haptas se Asociacioni dhe KiE shkojnë bashkë, në një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti.
“…ai theksoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Presidenca franceze në njoftimin për media për bisedën Macron-Kurti.
Kërkesë konkrete për hapa në drejtim të Asociacionit ka pasur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Ju duhet ta bëni atë. Dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm. Jo zbatimi. E kam thënë edhe në një intervistë tjetër së fundmi. Zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Por nëse doni të hyni diku, ju duhet ta bëni një hap të prekshëm… Ta dërgoni këtë statut të Asociacionit te Gjykata Kushtetuese për rishikim. Ky mund të ishte një hap i prekshëm. Dhe ky mund të ishte hapi i parë për të treguar një përkushtim të qartë nga Kosova se është në binarë për ta zbatuar atë marrëveshje”, ka deklaruar Rohde.
Progres urgjent për themelimin e Asociacionit, Kurtit i ka kërkuar edhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien.
“ShBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkroi O’Brien në X.
Ana tjetër e medaljes
Në ditën kur eurodeputetët u mblodhën për të votuar mbi raportin për Kosovën në KiE, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i hodhi poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Qeveria, nga ana e saj, po thotë dhe po beson se nuk ka parakushte në këtë çështje.
Në një postim në X, kryeministri Kurti tha se në telefonatën me Macronin, “shpreha besimin se Franca do ta mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropë pa parakushte të mëtejme dhe në përputhje me opinionin dhe votën historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Se nuk ka parakushte për Kosovën në KiE, e tha edhe zëvendësministri i jashtëm, Kreshnik Ahmeti.
Në një konferencë për media më 17 prill, ai tha se themelimi i Asociacionit “nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në KiE”, por shtoi se ai është pjesë e listës së zotimeve në kuadër të raportit të raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, të cilat Kosova, tha ai, i ka marrë përsipër që t’i zbatojë pas anëtarësimit në KiE.
Tre liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë muajit mars i patën dërguar letër raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës (KiE), Dora Bakoyannis, ku patën garanci për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Duke e komentuar këtë letër, presidentja Osmani pati thënë se Asociacioni “tash është një obligim i Kosovës që shteti duhet ta zbatojë pas anëtarësimit në KiE”.
11 vjet kanë kaluar që kur Kosova, në kuadër të dialogut të Brukselit për normalizim të raporteve me Serbinë, është zotuar për themelimin e një Asociacioni për komunat me shumicë serbe.
Se a do të jetë njëmend themelimi i Asociacionit kusht për anëtarësimin në KiE, mbetet të shihet në muajin maj kur anëtarësimi i Kosovës do të diskutohet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave.
Artikull analitik Agon Osmani
Ky publikim është financuar/bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Action for Democractic Society dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Ky publikim është mbështetur nga CFI – Développment Médias. E gjithë autonomia nga CFI u ruajt në krijimin e kësaj përmbajtjeje.