Shkroi: Endrit Berisha
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është në proces të transformimit në ushtri, qëkur Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligje në dhjetor të vitit 2018. Procesi i transformimit është paraparë të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet.
Transformimi i FSK-së në ushtri u nis me ligje dhe jo me ndryshime kushtetuese për shkak se deputetët serbë nuk i dhanë përkrahje. Ndryshimet kushtetuese s’mund të bëhen pa votat e deputetëve të komuniteteve.
Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.
Faza e ngritjes së kapaciteteve Institucionet e Kosovës kanë deklaruar sivjet – në vitin e gjashtë të tranzicionit – se procesi i transformimit në forcë me kapacitete ushtarake po zhvillohet sipas planifikimeve. (shih këtu)
Në këtë fazë parashihet ngritja e kapaciteteve ushtarake e investime në sisteme moderne të armatimit.
Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake, zyrtarisht dihet se FSK-ja ka kryer porosi apo ka pranuar armë nga Shtetet e Bashkuara, Turqia e Gjermania.
Raketat anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë bujën më të madhe, ndër blerjet e FSK-së. Raportimet për të ndodhën në fillim të vitit 2024. Në të kaluarën Kosova ka bërë blerje tjera nga SHBA-ja, ndërsa nga Turqia, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka blerë dronë.
Furnizimet e para
Pak pas miratimit të ligjeve për transformim më 2018, Kosova u furnizua me automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë kishin ardhur disa automjete të tipit “Humvee”. Qeveria pati nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane “AM General”. 27 automjete ushtarake ishin donacion nga SHBA-ja e 24 ishin blerë nga Kosova. (shih këtu)
Në gusht të vitit 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës edhe 55 automjete të tipit ASV (Armoured Security Vehicle). (shih këtu)
Është raportuar se Kosova ka blerë automjete ushtarake edhe nga Turqia. (shih këtu)
“Javelin”
Më 11 janar sivjet, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë eurosh. DASH-i tha se e ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake për shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën. Përveç 246 raketave, Kosova ka kërkuar edhe 24 njësi për lëshimin e raketave “Javelin” dhe udhëzues të tjerë për përdorimin e raketave dhe pajisje përcjellëse. (shih këtu)
“Bayraktar”
Në korrik të 2023-s, kryeministri Albin Kurti konfirmoi blerjen e dronëve “Bayraktar TB-2″ nga Turqia. Qeveria nuk ka bërë të ditur se sa dronë janë blerë e as buxhetin e ndarë për ta. Këta dronë nisën të operojnë për herë të parë në vitin 2014. Çmimi i një droni të tillë nuk dihet. (Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e 186-të të Qeverisë, janar 2024. (shih këtu)
Kamionët gjermanë
Në mes të marsit sivjet, Kosova pranoi 15 kamionë ushtarakë të “RheinMetallit”. 10 nga ta ishin blerë nga buxheti i shtetit, ndërsa pesë ishin donacion. (shih këtu)
Buxheti
Me nisjen e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, buxheti në vitin 2018 për FSK-në ishte 55 milionë euro. Për sivjet, sipas ndarjeve buxhetore, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është mbi 153 milionë euro. Në fund të vitit të shkuar, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se në mandatin e Qeverisë Kurti janë investuar 239 milionë euro. Për këtë deklaratë të Maqedoncit ka pasur edhe raportime të gabuara. (shih këtu)
E që nga marsi i vitit 2022, në dispozicion është Fondi i Sigurisë, që ishte themeluar, siç pati deklaruar Qeveria, për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fondi menaxhohet nga Ministria e Financave ndërsa mjetet e grumbulluara është paraparë të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë. Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbajë konfidencial informacionin për mjetet e deponuara aty.
Lajmet e rreme për armatim
Në vitet e fundit ka pasur shtim të lajmeve të rreme sa i përket armatimit të Forcës së Sigurisë. Hibrid.info në disa raste që nga viti 2022 ka trajtuar lajme të tilla të rreme për furnizimin me armë të FSK-së. (shih këtu)
Ka pasur raportime të rreme se Kosova është furnizuar me avion ushtarak (shih këtu), armë të rënda luftarake (shih këtu) e lajme të sajuara se “Ushtria e Kosovës do ta ketë armatimin më modern krahasuar me vendet e rajonit”. (shih këtu)