kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (1-6 janar 2024): Dezinformatë për mbylljen totale të Prishtina Mall, lajme të rremë për luftë dhe aksident në Kosovë, gabim në media rreth investimeve në armatim
Fakte për...

Rishikimi i javës (1-6 janar 2024): Dezinformatë për mbylljen totale të Prishtina Mall, lajme të rremë për luftë dhe aksident në Kosovë, gabim në media rreth investimeve në armatim

Lajmet e rreme dhe dezinformatat janë kategoritë që kanë mbizotëruar gjatë javës së parë të vitit 2024 në ekosistemin keqinformues në përmbajtjet në gjuhën shqipe.

Dezinformatat u publikuan në portale të dyshimta dhe median sociale, TikTok, ndërlidhur me pretendime të rreme për tërmet në Shqipëri, për mbylljen totale të Prishtina Mall dhe se kryeministri slloven ka dorëzuar një dokument në BE, në të cilin kërkohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Lajmet e rreme u publikuan në Facebook dhe TikTok, me pretendime të rreme se do të ketë luftë në Kosovë dhe në Bosnje, për një aksident në një autostradë të Kosovës, si dhe pamjet që shfaqin momente të ushtrimeve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

U raportua gabimisht në media me pretendimin se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është shprehur se gjatë këtij viti janë investuar 239 milionë euro në sisteme të armatimit.

Clickbait artikulli në portale të dyshimta me lajm të vjetër rreth çmimeve të qirave të banesave në Tiranë.

Përmbajtje e paverifikuar e publikuar në Facebook me një imazh ku pretendohet të jetë kopertina e revistës amerikane “Time”, dhe portreti i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, me mbishkrimin “Killer of the Year”.

Clickbait/Dezinformatë me lajm të vjetër me pretendimin se në Zvicër, në një sektor ka mungesë të punëtorëve.

Sa i përket premtimeve, Albin Kurti i bashkohet listës së zyrtarëve publikë që nuk mbajtën premtimin rreth përfundimit të autostradës Prishtinë – Gjilan.

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “new.focuslajme.mk” ka publikuar me datë 1 janar një artikull me titull “Lekundje termeti ne vendin tone. Ja ku ishte epiqendra”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër. (këtu)

Një llogari në Tiktok ka publikuar një video-material ku shihen pamje të qendrës tregtare “Prishtina Mall”. Në mbishkrimin e këtij video-materiali pretendohet se Prishtina Mall është mbyllur. Pas hulumtimeve dhe fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. (këtu)

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material ku pretendohet se kryeministri slloven ka dorëzuar një dokument në BE, në të cilin kërkohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se në mbishkrimin e video-materialit, nuk është theksuar fakti se lajmi është raportim i pakonfirmuar nga mediat sllovene si dhe po ashtu lajmi i publikuar është i vjetër. (këtu)

Gabim

Disa media online kanë publikuar artikullin me pretendimin se ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është shprehur se gjatë këtij viti janë investuar 239 milionë euro në sisteme të armatimit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga disa media, nuk është i saktë. Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ministri i Mbrojtjes, kishte krahasuar investimet e qeverisë së kaluar me atë aktuale në sisteme të armatimit, duke sqaruar se gjatë mandatit të qeverisë aktuale janë investuar 239 milionë euro. (këtu)

Clickbait

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “xnews7.com” ka publikuar një artikull me titull “Lajm i keq për ata që jetojnë me qira në Tiranë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky lajm është i vjetër. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh ku pretendohet të jetë kopertina e revistës amerikane “Time”, dhe portreti i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, me mbishkrimin “Killer of the Year” (vrasësi i vitit). Por pas verifikimit të fakteve, të kryer nga hibrid.info nuk është gjetur asnjë provë që vërteton se kjo revistë ka publikuar këtë kopertinë. (këtu)

Lajm i rremë

Një llogari në TikTok që mban emrin “sherbimisekret1945” ka publikuar një video-material në TikTok me anë të së cilës, pretendohet se do të ketë luftë në Kosovë dhe në Bosnjë. Sipas po të njëjtit pretendim, në videon në fjalë përmendet data e 18 janarit kur pritet të ndodhë një gjë e tillë, duke iu referuar shërbimit sekret nga Londra, siç thuhet tutje në mbishkrim. Hibrid.info ka hulumtuar pretendimin, por nuk gjetur bazë për mbështetjen e asaj që thuhet në pretendim. (këtu)

Një faqe në Facebook që mban emrin “Shneta” ka publikuar një video-material në të cilën paraqiten pamje të një aksidenti ndërmjet një veture dhe një kamioni. Këtij video-materiali i është vënë mbishkrimi “Aksident live, në një autostradë të Kosovës”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë fakt që e mbështet pretendimin se ngjarja ka ndodhur në Kosovë, ndërsa ky video-material qarkullon në internet që nga data 23 dhjetor 2023. (këtu)

Një llogari në TikTok, që mban emrin “mtrks25”, ka publikuar një video-material në të cilin shfaqen pamje nga stërvitjet ushtarake. Mbishkrimi në video pretendon se pamjet shfaqin momente të ushtrimeve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, siç thuhet para një sulmi të mundshëm terrorist. Hibrid.info ka verifikuar materialin dhe ka vërtetuar se pamjet janë marrë nga stërvitjet e forcave ushtarake të Azerbajxhanit. (këtu)

Clickbait / Dezinformatë

Portali “kercova.net” me datë 31 dhjetor ka publikuar në faqen e tij në Facebook një artikull me titull “Zvicër, ky sektor ka mungesë të punëtorëve..!”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, pasi që në përmbajtje të artikullit, shfaqet data 6 janar 2023. (këtu)

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Kryeministri Albin Kurti ishte shprehur se autostrada Prishtinë – Gjilan do të përfundonte dhe do të inaugurohej brenda vitit 2023. Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka njoftim zyrtar se hapja e kësaj autostrade ka ndodhur në vitin 2023. (këtu)

Exit mobile version