kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (27 dhjetor – 2 dhjetor 2023): Lajme të rreme në mediat sociale, clickbait artikuj në portale informative, mashtrime me video deepfake
Fakte për...

Rishikimi i javës (27 dhjetor – 2 dhjetor 2023): Lajme të rreme në mediat sociale, clickbait artikuj në portale informative, mashtrime me video deepfake

Lajmet e rreme kanë dominuar ekosistemin keqinformues në gjuhën shqipe gjatë javës që shkoi.

Lajmet e rreme të publikuara në mediat sociale TikTok dhe Facebook ishin pretendime se do të ketë sulme dhe shumë viktima në veri të Kosovës, se pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë parë duke lëvizur nga Mitrovica në drejtim të Leposaviqit, se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të dërgojë shtatë dronë Bayraktar në Kosovë.

Dezinformatat janë publikuar në mediat sociale dhe portale të dyshimta. Sa i përket temave, është pretenduar se teologut Elvis Naçi i është ndaluar hyrja në SHBA, është publikuar një imazh ku pretendohet se figura historike shqiptare Isa Boletini gjendet në fotografi së bashku me disa ushtarë serbë pranë një xhamie, si dhe dezinformatë rreth pagës së zjarrfikësve.

Artikujt që janë vlerësuar si clickbait janë publikuar në portale informative dhe ishin lidhur me ndalimin e pirjes së duhanit, si dhe për një ligj për mbajtjen e maskës, që nuk kishin ndodhur në hapësirën shqipfolëse dhe nuk ju ishte bërë e ditur në tituj vendndodhja e ngjarjes.

Një artikull i cili është vlerësuar si clickbait / manipulim i fakteve kishte të bënte me njoftimin për largimin e Blerim Velës nga pozita e shefit të stafit të presidencës.

Dy përmbajtje mashtruese janë publikuar në mediat sociale, një deepfake lidhur me aktorin amerikan Sylvester Stallone, dhe postim mashtrues për dhënie kredish.

Përmbajtje e paverifikuar / dezinformatë në gjuhën serbe për meshën ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshatin Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit.

Dezinformatë

Disa llogari në TikTok kanë publikuar video-material, ku pretendohet se teologut Elvis Naçit i është ndaluar hyrja në SHBA. Hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi në fjalë paraqet opinion. Llogaritë në fjalë kanë ndërhyrë në imazh dhe e kanë publikuar artikullin si lajm. (këtu)

Një llogari në TikTok ka publikuar një imazh me anë të së cilit pretendon se figura historike shqiptare Isa Boletini gjendet në fotografi së bashku me disa ushtarë serbë pranë një xhamie. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë fotografinë e njëjtë të publikuar në një medium serb, e që në përshkrimin e këtij imazhi nuk figuron emri i Isa Boletinit. (këtu)

Portali i dyshimtë “gazetaprishtina.info” ka publikuar një artikull me titull “Dhunë shtazarake ndaj një burri nga tre persona në Prishtine (Pamje +18)”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ngjarja nuk ka ndodhur në Prishtinë, por në qytetin e Prizrenit. (këtu)

Faqja në Facebook që mban emrin “Skenari.net” ka publikuar një video-material me mbishkrimin “E besoni dot, 145€ paga e Zjarrfikesave në Kosovë!”. Hibrid.info ka hulumtuar dhe verifikuar se ky titull është nxjerrë nga një deklarim i një zjarrëfikësi i cili paraqitet në video-material. Zjarrfikësi i intervistuar është shprehur se deri në vitin 2009 janë paguar 145 euro, po ashtu hibrid.info ka vërtetuar se kjo kategori nuk paguhen në shumën e pretenduar në titullin e video-materialit. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok që mban emrin “munchen_live” ka publikuar një video-material me pretendimin se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të dërgojë shtatë dronë Bayraktar në Kosovë, siç thuhet nga llogaria e lartcekur, për vetëmbrojtje nga Serbia. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi është i pasaktë, pasi nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në ndonjë medium kredibil në lidhje me këtë çështje. (këtu)

Një llogari në TikTok ka publikuar me 24 nëntor një video-material ku shihen pamje nga goditja e një  tornado. Nëpërmjet këtij video-materiali pretendohet se ngjarja ka ndodhur në Gjermani dhe se nga kjo tornado kanë mbetur të vdekur 10 shqiptarë. Pas hulumtimeve të kryera nga hibrid.info, ky pretendim i paraqitur në video rezulton të jetë i pavërtetë. (këtu)

Llogaria në TikTok “babajaga454” ka publikuar më 28 nëntor një video-material me mbishkrimin ku pretendohet se të shtunën (2 dhjetor) do të ketë sulme dhe shumë viktima në veri të Kosovës. Megjithatë, hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka arritur të gjejë dëshmi që vërtetojnë pretendimin e publikuar nga llogaria në fjalë. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë nga faqet zyrtare për siguri të Kosovës si dhe  nga mediat online, në gjuhën angleze apo dhe atyre në shqip. (këtu)

Faqja në Facebook që mban emrin “Bota në fokus”, përmes një postimi të publikuar me datë 26 nëntor, ka pretenduar se është vrarë me thikë në burg ish-polici i dënuar për vrasjen e George Floyd. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi është i pasaktë. I burgosuri Derek Chauvin, që është dënuar për vrasjen e George Floyd, u sulmua të premten (24 nëntor) në Institucionin Federal Korrektues Tucson, megjithatë ai është në gjendje stabile shëndetësore. (këtu)

Një llogari në median sociale TikTok ka publikuar një material me pretendimin se pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë parë duke lëvizur nga Mitrovica në drejtim të Leposaviqit. Në këtë material, kjo llogari ka vendosur edhe dy imazhe që shfaqin disa ushtarë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se të dyja fotografitë janë të vjetra, njëra që shfaq pjesëtarë të grupit Wagner, e tjetra disa anëtarë të batalioneve të mbrojtjes territoriale të Ukrainës. (këtu)

Clickbait

Portali informativ më përmbajtje në gjuhën shqipe “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Kritikohet ashpër qeveria pas planeve për anulimin e ndalimit të pirjes së duhanit”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se për qeverinë e cilit shtet bëhet fjalë. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet se “Qeveria e re e Zelandës së Re thotë se ka në plan të heqë ndalimin e pirjes së duhanit, për të financuar uljen e taksave”. (këtu)

Portali informativ më përmbajtje në gjuhën shqipe “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “A duhet në transportin publik të bëhet obligative mbajtja e maskës?”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk sqaron për transportin publik të cilit shtet është ngritur kjo çështje. Artikulli edhe në vazhdim të përmbajtjes nuk e sqaron dhe nuk e përmend asnjëherë që bëhet fjalë për një ligj për mbajtjen e maskës që mund të hyjë në fuqi në Zvicër. Në artikull përmenden Këshilli Federal, ligjet, dhe citohen persona zyrtar të huaj, por pa sqaruar se kush janë ata dhe për cilin vend po flitet. (këtu)

Clickbait / Manipulim i fakteve

Portali informativ “GazetaDemos” ka publikuar më 30 nëntor, njoftimin për largimin e Blerim Velës nga pozita e shefit të stafit të presidencës. Por në titull ka lënë të kuptohet se si shkak i situatave të mëhershme mes ish-shefit të Presidencës dhe presidentit të Serbisë ai është pushuar nga puna, ndonëse në vendim thuhet se ai largimin e kishte kërkuar vetë. (këtu)

Mashtrim

Një llogari në TikTok ka publikuar një intervistë të vjetër të aktorit amerikan Sylvester Stallone. Në këtë video-material dëgjohet se Stallone flet për gjyshërit e tij, duke shtuar se ata janë arbëreshë me prejardhje shqiptare. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se materiali është i manipuluar. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar më datë 24 nëntor një postim në të cilin pretendohet se ofrohet mundësi për kredi biznesi deri në 25 mijë euro. Por që pas verifikimit, hibrid.info ka vërtetuar se postimi paraqet njoftim të rremë nga kjo faqe. Hibrid.info ka gjetur se postimi është marrë nga njoftimi i “Agjencioni për Financim në Kosovë”, institucion mikro-financiar dhe i është ndryshuar përshkrimi. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar / dezinformatë

At Nikolla Xhufka organizoi një meshë ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshatin Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit, ngjarje kjo mbi të cilën u ngritën pretendime nga Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Dioqeza pretendoi se edhe Komuna e Podujevës është e përfshirë për shkak të pjesëmarrjes të zyrtarëve të saj, e që kjo u demantua nga vet Komuna, duke bërë të ditur se asnjë zyrtar i Komunës nuk ka marrë pjesë në cilësinë zyrtare. Nga ana tjetër, Zyra pretendon pa fakte se kjo ngjarje është organizuar nën dijeninë dhe mbështetjen e institucioneve të Prishtinës, në krye me Albin Kurtin. (këtu)

Exit mobile version