kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (8-13 janar 2024): Dezinformata dhe teori konspirative nga mediat serbe, clickbait artikuj për raste tragjike, përmbajtje e paverifikuar rreth radarit në Prishtinë
Fakte për...

Rishikimi i javës (8-13 janar 2024): Dezinformata dhe teori konspirative nga mediat serbe, clickbait artikuj për raste tragjike, përmbajtje e paverifikuar rreth radarit në Prishtinë

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e dezinformatave në ekosistemin keqinformues në përmbajtjet në gjuhën shqipe dhe serbe.

Dezinformatat në gjuhën shqipe në mediat sociale kishin të bënin me pretendimin për një aksident në Fushë Kosovë dhe një fotografie të publikuar duke pretenduar se paraqet pamje nga një vend i Kosovës. Ndërsa në gjuhën serbe në media u dezinformua me pretendimin se ka filluar eksodi i popullatës pas liberalizimit të vizave dhe se janë larguar nga Kosova 10 mijë punonjës të sektorit të gastronomisë.

Artikuj clickbait janë publikuar në portale informative për vdekje nga konsumimi i alkoolit, vrasje të fëmijëve dhe pamje që nuk kishin ndodhur në hapësirën shqipfolëse, gjithashtu nuk ju ishte bërë e ditur në tituj vendndodhja e ngjarjes.

Clickbait / Dezinformatë është vlerësuar artikulli për të shtëna me armë në një xhami dhe për persona të plagosur, e cila doli të ketë ndodhur në Stamboll dhe bëhej fjalë për sulm me thikë dhe jo me armë.

Përmbajtje të paverifikuara janë publikuar në mediat sociale lidhur me fotografi të Papës në momente intime me një vajzë, si dhe përmbajtje me pretendimin se është vendosur një radar në Prishtinë.

Përmbajtje e paverifikuar dhe dezinformatë është vlerësuar përmbajtja ku është raportuar rreth vrasjes së një shqiptari në Greqi, ku kanë vënë gabimisht fotografinë e një personi tjetër, duke pretenduar se ai është personi që ka mbetur i vrarë.

Në TikTok është publikuar një përmbajtje mashtruese ku shihet Shefqet Krasniqi i veshur me uniformë ushtarake serbe.

Në mediat sociale është publikuar një lajm i rremë me pretendimin se pamjet paraqesin trajnimin e forcave të armatosura në vendin tonë, në kufirin me Serbinë.

Teori konspirative u vlerësuan video-materialet të cilat shfaqin pamje nga një tunel i gjetur në një sinagogë në New York, në të cilën ka pasur edhe persona të arrestuar, për të cilët pretendohet se janë akuzuar për rrëmbim të fëmijëve dhe rituale satanike. Si dhe në mediat serbe u publikua një artikull me pretendim konspirativ se grabitja e shtëpive të serbëve në fshatin Lubozhdë të Istogut, është bërë si pjesë e “fushatës së frikësimit dhe persekutimit të popullit serb të organizuar dhe frymëzuar nga Prishtina”.

Clickbait

Disa portale informative me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar artikullin me titull “Konsumuan alkool të kontaminuar, vdesin katër persona dhe 40 shtrohen në spital”. Artikulli qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet se “Katër persona kanë vdekur dhe 40 janë në spital pasi kanë pirë alkool të kontaminuar në jug të Tunizisë, tha një zyrtar”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se për cilin vend bëhet fjalë në përmbajtje, duke lënë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqip-folës. (këtu)

Disa portale informative me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë shpërndarë në faqet e tyre në median sociale Facebook një artikull me titull “Tragjike! Nëna “mostër” bën veprimin makabër ndaj foshnjës së saj 6-muajshe”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja, duke lënë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqip-folës. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet “Një ngjarje makabër ka ndodhur në Greqinë fqinje, ku një çift të moshuarish janë paraqitur në spital me nipin e tyre 6-muajsh të pajetë, pasi është dhunuar për vdekje nga e ëma”. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një imazh në faqen e saj në Facebook, me pamje të udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Kjo fotografi përmban mbishkrimin “Efekti i liberalizimi i vizave, stërmbushet me udhëtarë Aeroporti i Prishtinës”. Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli dhe përmbajtja e artikullit nga vegëza e bashkangjitur publikimit, nuk e pasqyrojnë pretendimin e mbishkrimit në imazh. (këtu)

Clickbait / Manipulim i fakteve

Portali informativ në gjuhën shqipe “sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Të shtëna me armë në një xhami, raportohet për të plagosur”. Por në përmbajtjen e artikullit në portalin përkatës tregohet se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Stamboll. Gjithashtu, titulli është i pasaktë, pasi lë të kuptohet se plagosja është bërë me armë zjarri, e që po ashtu në fotografi ilustruese paraqitet një revole. Ndërsa në artikull sqarohet se një nga vizitorët në një xhami në lagjen Fatih të Stambollit, sulmoi një imam dhe një famullitar me thikë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Faqet në Facebook që mbajnë emrin “Kosova News” dhe “TROPOJA TEK JU” kanë publikuar një imazh në të cilin shfaqet Papa Françesku. Fotografia e publikuar në datat 6 dhe 7 janar nga faqet respektive, shfaq Papa Françeskun në momente intime me një grua. Pas hulumtimit nga hibrid.info, është  vërtetuar se ky imazh është i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale (AI). (këtu)

Një faqe në median sociale Facebook ka publikuar një video-material, me pretendimin se është vendosur një radar në Prishtinë. Hibrid.info, ka verifikuar se pretendimi i dhënë nuk qëndron pasi që ky radar është i vendosur që nga vitet e 80’ta. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar / Dezinformatë

Disa portale informative me përmbajtje në gjuhën shqipe të cilat kanë raportuar rreth vrasjes së një shqiptari në Greqi, kanë vënë gabimisht fotografinë e një personi tjetër, duke pretenduar se ai është personi që ka mbetur i vrarë. Por, pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është gjetur se ky pretendim nuk qëndron dhe se personi i vrarë në fakt është dikush tjetër. (këtu)

Manipulim i fakteve / Dezinformatw

Mediumi online në gjuhën shqipe “euronews.al” ka publikuar një artikull me pretendimin në titull se avokati serb Cedomir Stojkoviq është shprehur: “S’më intereson. Kam të drejtë të nderoj familjen e Adem Jasharit”. Pas verifikimit të përmbajtjes së artikullit të publikuar, është gjetur se deklarata nuk nënkupton decitivisht që Stojkoviq ka deklaruar se ka të drejtë të nderoj familjen e Adem Jasharit. (këtu)

Dezinformatë

Një llogari në TikTok që mban emrin “mrgame.ks” ka publikuar dje një video-material me imazhin që duket shfaq një veturë të aksidentuar afër trenit. Fotografisë i është vendosur mbishkrimi që pretendon se në Fushë Kosovë ka ndodhur një aksident tragjik ndërmjet një veture dhe një treni, nga i cili kanë mbetur të vdekur dy persona. Pas verifikimit nga hibrid.info, është konfirmuar ngjarja e pretenduar, por vetëm me pasoja materiale. (këtu)

Një faqe në median sociale Facebook ka postuar një fotografi të një rruge të mbuluar me borë duke pretenduar që janë pamje të një fshati në Suharekë. Në mbishkrimin e imazhit të postuar është shkruar “Zvicrra ?! Jo por Duhla ne Suharekë”. Pas hulumtimeve dhe verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk është i saktë. (këtu)

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs” pretendon rrejshëm se Kosova në vitin 2024 do të përjetojë eksod ku, sipas tyre, largimi në masë i popullsisë ka filluar më 1 janar. Këtë pretendim, mediumi serb e bazon në opinionin e analistit, Nexhmedin Spahiu dhe shifrat e udhëtimeve në aeroportin e Prishtinës. Bazuar në të dhënat e ofruara nga zëdhënësja e aeroportit, del se numri i udhëtimeve përshinë vajtje-ardhjen dhe diasporën. Në bazë të statistikave del se edhe gjatë dhjetorit (2023) ka pasur numër të madh fluturimesh. Edhe gjatë janarit të vitit të kaluar (2023) numri i fluturimeve ishte i përafërt me dhjetorin. (këtu)

Një medium në gjuhën serbe ka pretenduar pa saktë se përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica ka thënë se nga data 1 janar, nga Kosova janë larguar 10 mijë punëtorë të sektorit të gastronomisë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se Vranica në këtë shifër nuk i ka përfshirë vetëm punëtorët e sektorit të gastronomisë, por në përgjithësi punëtorët edhe të sektorëve të tjera që janë në marrëdhënie pune. (këtu)

Mashtrim

Një llogari në TikTok ka publikuar një imazh në të cilin shfaqet hoxha, Shefqet Krasniqi i veshur me uniformë ushtarake serbe. Pas verifikimit nga hibrid.info është gjetur imazhi origjinal, në të cilin në vend të hoxhës, shfaqet i dënuari për krime lufte, Ratko Mlladiq. Gjë e cila dëshmon se fotografia e Shefqet Krasniqit është e montuar. (këtu)

Lajm i rremë

Një llogari në TikTok që mban emrin “mtrks25” ka publikuar një video-material ku tregohen pamjet e disa ushtarëve. Në mbishkrimin e kësaj videoje pretendohet se shfaqen pamje të trajnimeve të forcave të armatosura në vendin tonë, në kufirin me Serbinë. Pas verifikimit nga hibrid.info është vërtetuar se ndryshe nga pretendimi, në pamje shihen ushtarët ukrainas. (këtu)

Teori konspirative

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikulli për grabitje të shtëpive të serbëve në fshatin Lubozhdë të Istogut gjatë festës së Krishtlindjeve Ortodokse. Ky medium hedh pretendimin se kjo është bërë, si pjesë e “fushatës së frikësimit dhe persekutimit të popullit serb të organizuar dhe frymëzuar nga Prishtina”. Pretendimi i mediumit bazohet në një komunikatë të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ende nuk dihet se kush janë kryerësit e kësaj vepre dhe për çfarë qëllimi është bërë. (këtu)

Një faqe në Facebook ka publikuar video-materiale të cilat shfaqin pamje nga një tunel i gjetur në një sinagogë, në të cilën ka pasur edhe persona të arrestuar, për të cilët pretendohet se janë akuzuar për rrëmbim të fëmijëve dhe rituale satanike. Pretendimet e njëjta janë trajtuar nga kontrolluesi i fakteve në gjuhën spanjolle “maldita.es”, të cilët kanë vërtetuar se personat e arrestuar akuzohen për pengim të administratës së qeverisë, rrezikim të pamatur dhe vepra tjera penale. (këtu)

Exit mobile version