kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (11-16 shtator 2023): Clickbait artikuj të kronikës së zezë, përmbajtje të paverifikuar për Vedat Muriqin dhe Fatih Terimin si selektor i Kosovës
Fakte për...

Rishikimi i javës (11-16 shtator 2023): Clickbait artikuj të kronikës së zezë, përmbajtje të paverifikuar për Vedat Muriqin dhe Fatih Terimin si selektor i Kosovës

Përmbajtjet clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues gjatë javës që shkoi.

Artikujt që janë vlerësuar si clickbait ishin lidhur me temat si arsyeja e përzgjedhjes së gjyqtarëve francez për ndeshjen Rumani-Kosovë, për vrasje, për vdekje të punëtorëve në vendin e punës, aksidente me fatalitet, në titujt e të cilëve artikuj nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes duke lënë hapësirë të kuptohet se kanë ndodhur në Kosovë.

Gjatë javës që shkoi u publikua një përmbajtje mashtruese në platformën X (ish-Twitter) me pretendimin se Vatikani udhëhiqet nga UFO-të (jashtëtokësorët).

Edhe përmbajtje të pa verifikuara janë publikuar në ekosferën keqinformuese për pretendimet se Vedat Muriqi ua tregon rumunëve flamurin e Kosovës, se trajneri turk Fatih Terim është në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për mundësinë e marrjes së detyrës të selektorit te Kosovës.

Mashtrim

Në mediat sociale Facebook dhe X (ish-Twitter) janë publikuar disa postime me pretendimin se Vatikani udhëhiqet nga UFO-të (jashtëtokësorët). Ky pretendim bëhet diku iu referuar një stemës së një kardinali katolik romak, e cila thuhet se është pjatë fluturuese (UFO). Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga Reuters, është vërtetuar se ky simbol nuk paraqet siç pretendohet, UFO, por ajo është kapelë e kuqe me xhufka të gjata në të dyja anët. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Ja pse u vendos që vetëm gjyqtarët francez ta drejtojnë ndeshjen Rumani – Kosovë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk i përgjigjet përmbajtjes. Me anë të titullit mundohet të paraqitet se ka një arsye se shtëpia evropiane e futbollit (UEFA) ka vendosur që vetëm gjyqtarë francezë të ndajnë drejtësinë e ndeshjes Rumani – Kosovë, e cila pritet të zhvillohet sot me fillim nga ora 20:45. Megjithatë, në përmbajtje bëhet e ditur se UEFA ka vendosur që gjyqtarët francezë të ndajnë drejtësinë në këtë takim, por nuk është dhënë ndonjë arsye se pse është marr ky vendim, siç mundohet të paraqitet përmes titullit. (këtu)

Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikullin me titull “E RËNDË! Polici vret gruan dhe më pas veten”. Me verifikimin e fakteve të kryer nga hibrid.info, vërtetohet se titulli nuk e qartëson se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Pas klikimit të vegëzës së artikullit, atëherë lajmi qartësohet në pjesën e përmbajtjes, ku thuhet se “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Selanik”. Duke e ditur se adresa e portalit informativ në seksionin “TE DHENAT PERSONALE”, shfaqet të jetë në Tiranë (shih këtu), kjo bën që mos saktësimi i vendit se ku ka ndodhur lajmi, të lë hapësirë për dezinformim se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Shqipëri. (këtu)

Faqja në Facebook “Atdheu Lajm” ka publikuar me datë 9 shtator një artikull me titull “’Të mbytur me borxhe’, familja me 9 anëtar i jep fund jetës”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në qershor të vitit 2022 dhe se ngjarja ka ndodhur në Indi. Pra, faqja e lartcekur e ka publikuar këtë artikull me pretendimin ta paraqesë si aktual, gjithashtu duke mos e specifikuar në titull se vendndodhjen e ngjarjes. (këtu)

Portali informativ “Kosova sot” ka publikuar një artikull me titull “Humbin jetën 6 punëtorë pasi shkëputet vinçi”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se në titull nuk tregohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vendndodhja kuptohet në përmbajtjen e artikullit, që sqaron se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në një kantier ndërtimi në qytetin jugperëndimor të Kinës, Chengdu. Duke parë faktin që portali informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumica e lexuesve të tij janë shqip-folës (shih këtu), titulli lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Gazeta-shqip.com” ka publikuar artikullin me titull “Aksident i rëndë! Gruaja shtatzënë humb jetën, përfundon poshtë autobusit (VIDEO)”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se në titulli është përgjithësues që nuk sqaron vendndodhjen e ngjarjes. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet “Një aksident i frikshëm ka ndodhur në Stamboll, ku një grua shtatzënë ka humbur jetën…” Duke e ditur se adresa e portalit informativ në seksionin “TE DHENAT PERSONALE”, shfaqet të jetë në Tiranë (shih këtu), kjo bën që mos saktësimi i vendit se ku ka ndodhur lajmi, të lë hapësirë për dezinformim se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Shqipëri. (këtu)

Portali informativ “Fron Online” ka publikuar një artikull me titull “Autobusi përplaset me kamionin, dy të vdekur dhe 18 të plagosur”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se në titull nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes. Vendndodhja e ngjarjes bëhet e ditur vetëm në përmbajtjet të artikullit ku thuhet se “një aksident i rëndë është shënuar në orët e para të së premtes në periferi të Romës, ku një autobus është përplasur me një kamion.” Duke parë faktin që portali informativ është krijuar nga gazetar nga Kosova (shih rreth nesh), për t’i informuar shumicën e lexuesve janë shqip-folës (këtu), titulli lë hapësirë për interpretim se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar një artikull me titull “Zhgënjejnë futbollistët nga diaspora, Ademi kthen sytë kah vendorët: ‘Janë e ardhmja’”. Në fotografinë e bashkangjitur në këtë artikull shihet kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me pesë futbollistë që janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Gjithashtu, në përmbajtje thuhet se futbollistët që shihen në fotografi janë “të gjithë emra të formuar në Kosovë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se njëri nga futbollistët që shihet në imazh, Altin Zeqiri, është i lindur në Finlandë dhe se asnjëherë në karrierën e tij nuk ka qenë pjesë e ndonjë klubi futbollistik në vendin tonë. (këtu)

Portali informativ “indeksonline.net” në faqen e tyre në Instagram ka publikuar një fotografi të futbollistit të reprezentacionit të Kosovës, Vedat Muriqi me mbishkrimin “Vedat Muriqi ua tregon rumunëve flamurin e Kosovës”. Në foto shihet Vedat Muriqi me fanellën vendase të Kosovës duke treguar me dorën e majtë stemën në fanellë. Pas verifikimi të fakteve të kryera nga hibrid.info është gjetur se fotografia nuk është nga ndeshja Rumani-Kosovë. (këtu)

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull bashkangjitur me një video, me të cilin pretendohet se pamjet tregojnë momentin kur një foshnje e porsalindur nxirret e gjallë nga rrënojat pas tërmetit në Marok. Kjo video me pretendim të njëjtë është shpërndarë edhe nga disa llogari në gjuhën angleze në mediat sociale Facebook dhe X (ish-Twitter), e cila është verifikuar nga kontrollues faktesh të Reuters. Pas këtij verifikimi të kryer nga Reuters, është vërtetuar se kjo ngjarje nuk ka ndodhur pas tërmetit të 8 shtatorit që goditi Marokun, por e njëjta tregon një foshnjë të shpëtuar nga një fushë në fshatin Moosa Nagar në qarkun Kanpur Dehat, Uttar Pradesh, Indi. (këtu)

Faqja në Facebook “Futbolli Kosovar” ka publikuar një postim me pretendimin se trajneri turk Fatih Terim është në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për mundësinë e marrjes së detyrës të selektorit te Kosovës. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave online dhe mediave sociale, nuk ka arritur të gjejë këtë lajm të publikuar në asnjë medium turk apo në gjuhën shqipe. Faqja e lartcekur, pretendimin nuk e bazon në asnjë burim, nga i cili ka mundur të rrjedhë një informacion i tillë. (këtu)

Exit mobile version