kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (25-30 shtator 2023): Përmbajtje të paverifikuara dhe dezinformata në mediat sociale në gjuhën shqipe, dhe dezinformata nga zyrtarët serbë, për sulmin në Banjskë
Fakte për...

Rishikimi i javës (25-30 shtator 2023): Përmbajtje të paverifikuara dhe dezinformata në mediat sociale në gjuhën shqipe, dhe dezinformata nga zyrtarët serbë, për sulmin në Banjskë

Java që shkoi u karakterizua më dominimin e përmbajtjeve të paverifikuara dhe dezinformatave në ekosferën keqinformuese në dhe për zhvillimet në Kosovë.

Përmbajtjet e paverifikuara kryesisht janë publikuar nga faqe në mediat sociale lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. U publikuan video materiale me pretendimin se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e blindon veriun, fotografi të një snajperisti me pretendimin se është i Policisë së Kosovës, fotografi të Njësisë Speciale pranë flamurit kombëtar gjatë zhvillimeve të fundit, pretendimi rreth numrit të të vrarëve dhe identitetit të tyre.

Dezinformata lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë kishte nga mediat në gjuhën serbe dhe faqe në gjuhën shqipe në mediat sociale. Përmbajtjet dezinformuese në mediat në gjuhën serbe kishin të bënin me audio-incizim me të cilin pretendohet se bëhet fjalë për një bisedë ndërmjet pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për sulmuesin serb të plagosur; pretendimi dezinformues i ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se videoja e publikuar nga ministri Sveçla ku shihet Milan Radojçiq, nuk i përket asaj dite, se sipas tij shihet që ka borë; pretendimi se Kurti i ka vendosur në shënjestër fëmijët serb në Kosovë; Petkoviq pretendon rrejshëm së në mesin e Policisë së Kosovës gjatë aksionit në Banjskë kishte vrasës me pagesë që kishin qëllim të vrisnin të gjithë serbët; Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretenduan rrejshëm se misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, iu ndalua të merrte pjesë dhe të vëzhgojë operacionet e Policisë së Kosovës.

Përmbajtjet dezinformuese në mediat sociale në gjuhën shqipe kishin të bënin me video-material të publikuar në Facebook me pretendimin se pamjet shfaqin pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke e arrestuar një nga sulmuesit; fotografi të snajperit duke pretenduar se ky ka qenë snajperi i përdorur nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të ditës së diel në veri të vendit; video-material në të cilën shihen pamje të disa arkivoleve ku pretendohet se pamjet paraqesin varrimin e sulmuesve serbë të vrarë;

Si përmbajtje e paverifikuar / dezinformatë u vlerësua një fotografi e shpërndarë në mediat sociale me të cilën  u pretendua se ndërtesa e komunës së Sarajevës u ndriçua me flamurin e Kosovës.

Clickbait artikuj në portale informative për ngjarje të ndryshme që nuk ndërlidhen me Kosovën, por që në titull nuk bëhet e ditur kjo, duke lënë hapësirë për keqinformim.

Lajm i rremë përmes së cilit pretendohet se Kosova në tetor do të furnizohet me pajisjet ushtarake nga Turqia “Boran 105mm”.

Përmbajtje e paverifikuar

Faqja në Facebook “Njësia Speciale” ka publikuar një video-material me mbishkrimin “Njësia Speciale blindon veriun e Kosovës”. Këtë video-material, faqja e lartcekur është munduar ta paraqesë si pamje nga aksionin e 24 shtatorit të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali nuk i përket ngjarjeve të ditës së diel në veri të Kosovës, por e njëjta është gjetur e publikuar jo më herët se data 29 maj e këtij viti. (këtu)

Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar një fotografi të një snajperisti, e cila mban përshkrimin “Ekskluzive: Ja snajperisti i Kosovës që ekzekutoi disa terroristë serbë. I qëlloj drejt në fytyrë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se personi në fotografi nuk është snajperist nga ndonjë njësi e Policisë së Kosovës, por i njëjti është pjesëtar i ushtrisë gjermane. (këtu)

Portali informativ “Mitropol.net” në faqen e tij zyrtare në Facebook “Mitropol Media” ka postuar një fotografi me mbishkrimin “KRENARI: Forcat Speciale në veri të vendit në Shalë, pozojnë tek flamuri i UÇK-së”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia që paraqet disa pjesëtar të Policisë së Kosovës, siç thuhet në mbishkrim se është realizuar në Shalë, është e vjetër. Pra, portali i lartcekur është munduar që këtë fotografi të vjetër ta paraqesë si aktuale. (këtu)

E përditshmja shqiptare “gazetadita.al” ka hedhur pretendimin se janë vrarë katër sulmues serb gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku identiteti i Bojan Mijailović fshihet, pasi që nuk u shpalos fotografia e tij në ceremoninë e ndezjes së qirinjve të organizuar për ta. Faktet tregojnë se janë vrarë tre sulmues serb, dhe se fotografia e Bojan Mijailović, zë vend në ceremoninë e ndezjes së qirinjve. (këtu)

Dezinformatë

Mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online” ka publikuar një audio-incizim, sipas tyre, i bisedës së policëve të Kosovës për serbin e plagosur, të cilin e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në konferencë për media dje në mbrëmje. Nëpërmjet këtij audio incizimi, mediumi në fjale dhe Vuçiq, pretendojnë se bëhet fjalë për një bisedë të policëve të Kosovës për njërin nga serbët e plagosur gjatë zhvillimeve të djeshme, duke pretenduar se ndihma për të lënduarit është lënë me qëllim, pasi një polic shqipton fjalinë: “Edhe sikur të vdesë, asgjë”. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se nuk dihet ndërmjet kujt zhvillohet biseda, si dhe në shqip nuk thuhet “edhe sikur të vdes, asgjë”. (këtu)

Një video-material u publikua nga disa faqe në gjuhën shqipe në Facebook me pretendimin se pamjet shfaqin pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke e arrestuar një nga sulmuesit pas ngjarjeve të ditës së diel në veri të Kosovës. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është arritur të vërtetohet se video-materiali nuk është realizuar në Kosovë dhe se ato pamjet paraqesin pjesëtarë të Shërbimit Policor Kombëtar të Bullgarisë gjatë arrestimit të një personi. (këtu)

Faqja “Gazeta Aktuale” në Facebook ka publikuar një imazh në të cilën shihet një armë e tipit snajper. Me anë të kësaj fotografie është pretenduar se ky ka qenë snajperi i përdorur nga Policia e Kosovës gjatë aksionit të ditës së diel në veri të vendit, duke shtuar se me anë të kësaj arme nga ky pozicion janë vrarë 4 sulmues serbë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky imazh nuk i përket ngjarjes së fundit në veri, por e njëjta është shkrepur në vitin 2022 në bazën ajrore Robins, Xhorxhia në SHBA. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje një video-material në të cilën shihen pamje të disa arkivoleve. Me anë të këtij video-materiali pretendohet se pamjet paraqesin varrimin e sulmuesve serbë të vrarë në veri nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit të datës 24 shtator. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet janë të vjetra dhe kanë të bëjnë me një ngjarje krejtësisht tjetër. (këtu)

Në emisionin televiziv “Takovska 10” të titulluar “Banjska dhe pasojat” të transmetuar në televizionin publik serb “RTS” më 26 shtator, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka hedhur pretendimin se videoja ku shihet Milan Radojçiq brenda Manastirit në Banjskë, e cila është publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, “nuk ishte e ditës së incidentit”. Daçiq, duke komentuar videon e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shihet Milan Radojçiq në Manastirin e Banjskës, pas pyetjes së bërë nga gazetarja, tha se “fakti që kishte edhe borë, tregon se incizimi padyshim nuk është nga ajo ditë” në video. Pas verifikimit të fakteve dhe analizimit të videove të publikuara nuk shihen gjurmë të borës së pretenduar. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Alo” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti i ka vendosur në shënjestër fëmijët serb në Kosovë. Ky pretendim bazohet në një incident që ndodhi në shkollën fillore “Braća Aksić”, në Lipjan ku ishte thyer njëri nga xhamat e shkollës. Ngjarja kishte ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës (27 shtator) rreth orës 22:30 kur nuk kishte nxënës në shkollë. Gjerë më tani, Policia e Kosovës, bën të ditur se nuk dihet kryesi i veprës, sepse vetëm silueta e një personi mund të shihet në pamjet e vëzhgimit me video. Prandaj, pretendimi se Kurti ka vënë në shënjestër fëmijët serb është i paqëndrueshëm. (këtu)

Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq, pretenduan se misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, u ndalua të merrte pjesë dhe të vëzhgojë operacionet e Policisë së Kosovës. Vetë Eulex ka përgënjeshtruar pretendimet e zyrtarëve serb. (këtu)

Petkoviq pretendon rrejshëm së në mesin e Policisë së Kosovës gjatë aksionit në Banjskë kishte vrasës me pagesë që kishin qëllim të vrisnin të gjithë serbët, dhe për këtë nuk është lejuar që EULEX-i të marrë pjesë në këtë operacion. EULEX-i ka mohuar moslejimin e tyre në operacionet e Policisë së Kosovës, si dhe KFOR-i ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me të drejtat e saj si reaguese e parë, në koordinim me ta. Për më tepër, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se qëllimi i Policisë së Kosovë nuk ka qenë vrasja e grupit sulmues, por lirimi i terrorit nga grupi i armatosur. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar / Dezinformatë

Nëpërmjet një fotografie të shpërndarë u pretendua se ndërtesa e komunës së Sarajevës u ndriçua me flamurin e Kosovës. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e edituar. Imazhi origjinal ku shihet vetëm objekti me elementet e njëjta përreth, por pa ndriçimin me flamurin e Kosovës, është gjetur i publikuar jo më herët se në vitin 2019. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Pas sulmit të parë terrorist serb në Policinë e Kosovës lufta nuk ka mbaruar, formacione të reja terroriste po përgatiten për ofensivën e re të përforcuar”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Në përmbajtje bëhet e ditur se artikulli është i bazuar në një opinion të analistit Muhamet Kelmendi. Pra, në titull nuk sqarohet se është një opinion, duke lënë atë të kuptohet si ndonjë paralajmërim. (këtu)

Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar një artikull në lidhje me një ngjarje në qytetin Oruro në Bolivi, në titullin e së cilës nuk sqarohet se në për cilin shtet bëhet fjalë. “Gazeta-shqip.com” është medium i online i shkruar në gjuhën shqipe, që vepron në Shqipëri. Prandaj, mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqip-folëse. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull në lidhje me vendimin e Qeverisë së Italisë për uljen e çmimit të ushqimeve për 10%, por që në titull nuk sqarohet se cili shtet ka marr këtë vendim. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mos qartësimi në titull se për ish-presidentin e cilit shtet bëhet fjalë, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se lajmi ka të bëjë me ndonjë vendim që ka të bëjë me Kosovën. (këtu)

Lajm i rremë

Portali “Botasotere.com” përmes faqes së tij në Facebook “Bota Sot E Re” ka publikuar një postim përmes së cilit pretendon se Kosova në tetor do të furnizohet me pajisjet ushtarake nga Turqia “Boran 105mm”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile se Kosova në tetor do të pajiset me këtë lloj armatimi. (këtu)

Exit mobile version