kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (30 tetor-4 nëntor 2023): Teori konspirative në mediat serbe, përmbajtje të paverifikuara në mediat sociale rreth konfliktit Hamas-Izrael, deklaratë gjysmë e vërtetë e ministrit Sveçla për pagesat e policëve
Fakte për...

Rishikimi i javës (30 tetor-4 nëntor 2023): Teori konspirative në mediat serbe, përmbajtje të paverifikuara në mediat sociale rreth konfliktit Hamas-Izrael, deklaratë gjysmë e vërtetë e ministrit Sveçla për pagesat e policëve

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e përmbajtjeve të paverifikuara dhe dezinformatave në ekosferën keqinformuese në përmbajtjet në gjuhën shqipe.

Si përmbajtje të paverifikuara janë vlerësuar imazhe të ndryshme të publikuara nga faqe dhe llogari të ndryshme në media sociale lidhur me konfliktin Hamas-Izrael.

Dezinformatat janë publikuar në rrjetet sociale ndërlidhur me konfliktin Hamas-Izrael, si dhe një pretendim se ministri Hekuran Murati ka deklaruar se “Më mirë të paguajmë mercenarë se polic e minatorë”.

Disa fotografi, imazhe dhe video-materiale ndërlidhur me konfliktin Hamas-Izrael të publikuara në mediat sociale janë vlerësuar si përmbajtje të paverifikuara / dezinformata për shkakun se nuk kanë qenë aktuale, ndërlidhur me ngjarjen apo edhe të gjeneruara më inteligjencë artificiale.

Një lajm i rremë është publikuar në mediat sociale me pretendimin e rremë se këngëtarja Dua Lipa godet ashpër Rita Orën, nëpërmjet një deklarate.

Teori konspirative në mediat serbe me pretendimin e pabazuar në fakte se “3000 spiunë shqiptar do t’u japin nga 100 euro të rinjve në kafenetë e Beogradit për të votuar kundër Vuçiqit”.

Deklarata gjysmë e vërtetë e ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla, lidhur me pagesat për pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) të Policisë së Kosovës.

Përmbajtje e paverifikuar

Faqja “Adhurim Caps” në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, ka publikuar me datën 27 tetor një fotografi duke pretenduar se është një fëmijë palestinez i plagosur nga sulmet izraelite. Duke u bazuar në postimet e fundit të kësaj faqe, e cila publikon përmbajtje të konfliktit aktual Hamas-Izrael, lë të kuptohet se me anë të këtij imazhi pretendohet se i njëjti është aktual. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është verifikuar se fotografia e publikuar nga faqja e përmendur më lartë, është shkrepur në vitin 2016 dhe nuk ka të bëjë me konfliktin aktual Hamas-Izrael, por në fakt është fotografi nga sulmet e bombardimeve ruse në Aleppo. (këtu)

Një faqe në Facebook që mban emrin “Support For Turkey From Presheva”, ka publikuar imazhin e një rakete. Në mbishkrimin e imazhit në fjalë pretendohet se me anë të kësaj rakete është qëlluar një avion izraelit. Por pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi i publikuar me anë të së cilit është paraqitur lajmi, është i vitit 2006. (këtu)

Iluzionisti nga Shqipëria, Nadir Mura, i cili ka qenë edhe autor i emisionit “Enigma” në Top Channel, ka publikuar një video-material si storje në llogarinë e tij në Facebook. Videoja e publikuar paraqet pamje nga konflikti në Palestinë me mbishkrime të cilat paraqesin opinionet e publikuesit rreth situatës. Por pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se njëra nga pamjet e shfaqura nuk lidhet me konfliktin aktual Hamas-Izrael. (këtu)

Faqja në Facebook “Mesazhe Islame” ka publikuar me 30 tetor një postim për gjendjen aktuale në Gaza, duke ia bashkangjitur edhe një fotografi. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi nuk paraqet konfliktin aktual Hamas-Izrael, por i njëjti është realizuar në vitin 2014. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Kopshte me lumturi” ka publikuar me datë 27 tetor një video-material me mbishkrimin “Lutuni për vëllezërit tuaj në Gaza!”. Pamjet shfaqin flakë të kuqe dhe fishekzjarre që lëshohen nga çatitë e ndërtesave. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet janë realizuar në Algjeri dhe nuk paraqesin konfliktin aktual në Gaza ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. (këtu)

Dezinformatë

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh me pretendim se pamjet janë aktuale dhe paraqesin ushtarë dhe oficerë izraelitë të zënë robër, të cilët sipas të njëjtit pretendim, janë munduar të avancojnë në Gaza. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është i vitit 2013 dhe paraqet forcat izraelite të mbrojtjes në kufirin me Rripin e Gazës, të cilët kishin zbuluar një tunel të ndërtuar nga, siç thuhet “terroristët”. (këtu)

Llogaria në TikTok që mban emrin “dino0486” ka publikuar një video-material me imazhin e Hekuran Muratit, ministër i financave, punës dhe transfereve. Imazhi i ministrit përmban mbishkrimin që pretendon se ky i fundit ka deklaruar se “Më mirë të paguajmë mercenarë se polic e minatorë”. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se Murati nuk ka bërë një deklarim të tillë të pretenduar. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar / Dezinformatë

Disa llogari në Facebook kanë publikuar një fotografi më 26 tetor, ku shihet një burrë me pesë fëmijë mes gërmadhash. Nëpërmjet kësaj fotografie u pretendua se ajo paraqet një baba që shpëton 5 fëmijët mes gërmadhash në Gaza. Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se imazhi tregon shenja të inteligjencës artificiale dhe nuk është publikuar nga organizatat e lajmeve me fotografë në rajon. (këtu)

Një llogari në Facebook ka publikuar një video-material më 29 tetor ku shihen disa trupa të njerëzve në dukje të pajetë që shfaqen tërësisht të mbuluar me çarçafë të bardhë, mbi të cilat ka shkrime me shkronja arabe dhe në mesin e tyre njëri është duke lëvizur. Nëpërmjet këtij video-materiali pretendohet të paraqitet se imazhet janë aktuale dhe se populli palestinez po e falsifikon vdekjen. Pas verifikimit të fakteve, është gjetur se video nuk është nga konflikti i fundit Izrael-Hamas, por i njëjti është realizuar në vitin 2013. (këtu)

Disa faqe në Facebook që kanë postime me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar me datë 31 tetor një fotografi ku shihen dy fëmijë dhe një grua e shtrirë në tokë. Me anë të kësaj fotografie mundohen të paraqesin gjendjen aktuale në Gaza, ku shihen dy fëmijë duke u lutur për nënën e tyre të vdekur. Pas analizimit të fotografisë vërehen detaje që nuk përkojnë me një imazh real dhe i njëjti tregon shenja të Ineligjencës Artificiale. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar me 29 dhe 30 tetor një  fotografi të  Dua Lipës, këngëtares së famshme nga Kosova. Fotografia është përcjellë me mbishkrimin: “Dua Lipa godet ashpër Rita Orën: Mos u bo pak e tepërt…”, duke pretenduar se Dua Lipa është shprehur kështu ndaj Rita Orës, këngëtares tjetër nga Kosova. Gjatë hulumtimit nga Hibrid.info nuk është gjetur asnjë fakt që dëshmon se këngëtarja në fjalë ka deklaruar diçka të tillë. (këtu)

Teori konspirative

Në emisionin “Novo Jutro” të datës 28 tetor të transmetuar në RTV Pink në Serbi është hedhur pretendimi se “3000 spiunë shqiptar do t’u japin nga 100 euro të rinjve në kafenetë e Beogradit për të votuar kundër Vuçiqit”. Këtë pretendim i bëri Miroslav Bjegović, profesor i shkencave të sigurisë dhe specialist për terrorizëm dhe krim të organizuar, i cili tha se “nga territori i Kosovës po përgatiten para të pista, me të cilat votuesit e rinj do të paguhen nga 100 euro”, dhe se “pritet një fluks prej 3000 spiunësh që do t’u japin ryshfet të rinjve dhe t’i bindin ata të rrëzojnë qeverinë dhe Aleksandër Vuçiqin“?! Por, sipas verifikimit dhe kontrollit të fakteve në publikimet e këtyre mediave, rezulton se pretendimet e bëra nga profesori serb nuk mbështeten në fakte. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Paparaci.com”, ka publikuar sot (1 nëntor) një artikull me titull “Instagram dhe Facebook bëhen me pagesë”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues sepse nuk sqaron se për çfarë llojë pagesash bëhet fjalë dhe se në cilat vende do të praktikohet ky vendim. Lajmi në kreun e tij nuk sqaron menjëherë aspektin e pagesave por tregon se në cilat vende do të vihet në zbatim vendimi, ku thuhet “Kompania e rrjeteve sociale Meta ka vendosur të bëjë dy platformat më të ndjekura nga njerëzit Instagram dhe Facebook me pagesë në Bashkimin Europian dhe Zvicër, duke filluar nga ky muaj”. (këtu)

Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar një artikull sot (01 nëntor) me titull “Minatorët e Trepçës ndërprejnë grevën”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se për minatorët e cilit flotacion bëhet fjalë. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, bazuar në njoftimin e ndërmarrjes Trepça Sh.A, të publikuar nga portali i lartcekur. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info”, ka publikuar një artikull me titull “Qëllohet në mes të rrugës për vdekje futbollisti i njohur”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se për cilin futbollist bëhet fjalë dhe se ku ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Komuniteti brazilian i futbollit u zhyt në zi pasi u publikua lajmi për vdekjen e sulmuesit 21-vjeçar Felipe Diogo”. (këtu)

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme duke aluduar në pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) të Policisë së Kosovës, në një status në Facebook, ka shkruar se të ardhurat mesatarë për këta zyrtarë gjatë këtij viti kalojnë shumën e 2200 eurove. Hibrid.info ka vërtetuar se në bazë të Ligjit të Pagave për zyrtarët publikë, asnjë nga pozitat brenda Policisë së Kosovës nuk paguhet në shumën e pretenduar nga ministri Sveçla si dhe po ashtu është gjetur se pagesa e pretenduar ka përfshirë policët e angazhuar në veri të vendit, për shkak të orarit të zgjatur të punës. Bazuar në metodologjinë e punës mbi vërtetësinë e deklaratave, hibrid.info e vlerëson këtë deklaratë si “deklaratë gjysmë e vërtetë”. (këtu)

Exit mobile version