Dezinformatat dhe clickbait artikujt kanë qenë kategoritë keqinformuese që e kanë dominuar ekosistemin mediatik gjatë javës që shkoi.
Përmbajtjet dezinformuese kishin të bënin me artikuj të vjetër për kufizimet e lëvizjes në Zvicër, se kombëtarja gjermane ka marrë në formacion futbollistin me prejardhje shqiptare, se Gjermania ka nevojë për punëtor në disa sektorë, për tërmete të reja në Turqi dhe pretendimin se janë rrahur dy serbë nga ana njësisë speciale të policisë së Kosovës.
Clickbait artikujt kryesisht kanë qenë të ndërlidhur me zhvillime të ndryshme që nuk i është bërë e ditur vendndodhja e ngjarjes në titull.
Teori konspirative ku pretendohet se Tupac është gjallë dhe se i njëjti ka shkrepur këto fotografi me këngëtarët aktual si Beyonce dhe Rihanna.
Mashtrime me fotografi të profilit të rremë, ku pretendohet përmes një statusi se vuan nga një sëmundje dhe, si pasojë e saj, ajo ka vendosur që të shpërndajë pasurinë e saj.
Dezinformatë
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër (dhjetor 2020) në lidhje me kufizimet e lëvizjes në Zvicrës për shkak të koronavirusit. Këtë artikull, këto faqe në facebook janë munduar ta paraqesin si aktual. (këtu)
Disa media në gjuhën shqipe kanë publikuar artikull me titull të sajuar me pretendimin se kombëtarja gjermane ka marr futbollistin me prejardhje shqiptare, Mërgim Berisha. Mirëpo, pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, ende nuk i ka bërë ftesë Berishës që të jetë pjesë e kësaj kombëtare, por që emri i tij është përmendur nga mediumi gjerman “Express.de” si njëri ndër pesë kandidatët që mund të marrin ftesë nga ky reprezentacion. (këtu)
Faqja në Facebook “Atdheu Lajm” ka publikuar një artikull me titull të sajuar duke pretenduar “Gjermania ka nevojë për 400 mijë punëtorë, ja kushtet që kërkohen”. Në përmbajtje bëhet e ditur se nevojiten 400 mijë forca pune në vit për të përmbushur boshllëqet në tregun e punës. Pra, nuk paraqitet asnjë kusht në lidhje me plotësimin e këtyre pozitave të punës. (këtu)
Portali i dyshimtë “themedianews.co” ka publikuar një artikull të marr nga “indeksonline.net” që ka të bëjë me vazhdimin e spektaklit televiziv “Big Brother Vip Albania” deri në gjysmë të muajit maj. Mirëpo, këtij artikulli, portali i dyshimtë i ka vënë titull të rremë me pretendimin se ky spektakël është drejt mbylljes. (këtu)
Portali i dyshimtë “fakti.viralnews40.com” ka publikuar një artikull të vjetër duke u munduar ta paraqes si aktual. Artikulli kishte të bëjë me një aksident të datës 2 qershor 2022 në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, ku kishte mbetur i lënduar një i moshuar. (këtu)
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me pretendimin se janë rrahur dy të rinj në fshatin Jashanicë afër Leposaviqit nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU. Përmes një postimi në Facebook, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportu në Polici të Kosovës. (këtu)
Disa faqe në Facebook kanë publikuar dje (10 mars) një artikull me titull “Dy tërmeteve të reja 6.4 ballë në Turqi, raportohet për të vdekur dhe qindra të Iënduar”. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull, ku është vërtetuar se lajmi është i vjetër që ka të bëjë me tërmetet e datës 20 shkurt që goditën provincën jugore Hatay në Turqi. (këtu)
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar reagimin e prindërve të dy të rinjve serb që pretendohet se janë rrahur nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Prindërit pretendojnë se edhe EULEX-i është angazhuar sa ka mundur lidhur me rastin duke deklaruar se “është e qartë si dita se janë rrahur brutalisht”. EULEX-i ka përgënjeshtruar pretendimin se stafi i tyre kanë konkluduar se dy të rinjtë serbë janë rrahur nga Policia e Kosovës, pretendime të bëra nga prindërit ë dy të rinjve. Edhe Policia e Kosovës pati mohuar pretendimin se dy të rinj janë rrahur/keqtrajtuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës në fshatin Jashanicë të Leposaviqit. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me sulme ndaj policëve me molotov dhe shkatërrimin e bizneseve në qendër. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet në përmbajtje, ku thuhet se tensione ka pasur gjatë protestës në qendër të Athinës për tragjedinë e ndodhur të martën në afërsi të Larisës, ku si pasojë e përplasjes së trenave, humbën jetën të paktën 57 persona, mes tyre 6 shqiptarë. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me anulimin e diplomës së drejtoreshës së Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “më 6 mars, Senati i Universitetit të Sarajevës anuloi diplomën e magjistraturës së shkencave mjekësore të Sebija Izetbegoviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës”. (këtu)
Faqja në facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një artikull me titull “Kosova nuk bahet tue i ruejtë interesat personale por tue vu vetën në shërbim të shtetit!” dhe me fotografi ilustruese të kryeministrit, Albin Kurti duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga ai. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është gjetur se deklarata është bërë nga aktori Çun Lajçi në një postim të tijin në Facebook. (këtu)
Faqja “Specialja” në Facebook ka publikuar një deklaratë të vjetër (4 janar) të meteorologut Sylë Tahirsylaj, i cili atëkohë kishte paralajmëruar se nga java e ardhshme do të bien temperaturat. Kjo faqe është munduar që këtë deklaratë të vjetër ta paraqesë si aktuale, e që bazuar në komentet e lexuesve, shihet se disa pre tyre kanë rënë pre e këtij lajmi të vjetër. (këtu)
Teori konspirative
Llogaria në TikTok “bejevete” ka publikuar një video material me anë të së cilës ka ngritur pretendimin se Tupac është gjallë. Kjo llogari e ka publikuar video-materialin edhe në kanalin “Bejevet” në Youtube dhe me anë të disa fotografive të montuara pretendon se Tupac është gjallë dhe se i njëjti ka shkrepur këto fotografi me këngëtarë aktual si Beyonce dhe Rihanna. (këtu)
Mashtrim
Një llogari në Facebook me emrin “Sabine Mueller” që mban në fotografi të profilit një grua, pretendon përmes një statusi se vuan nga një sëmundje dhe, si pasojë e saj, ajo ka vendosur që të shpërndajë pasurinë në vlerë prej 750 mijë eurosh. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve ka vërtetuar se llogaria (user) është e regjistruar me emrin “Ibrahim Haxhiu”. Pas hulumtimit përmes medias sociale Facebook, është gjetur një llogari tjetër me emrin “Ibrahim Haxhiu”, i cili ka njoftuar se llogaria e tij paraprake është e hakuar nga persona të panjohur që në emrin e tij mashtrojnë duke kërkuar para. (këtu)
Një faqe në Facebook me emrin “Donacion” ka publikuar një postim me fotografinë e një gruaje të moshuar, duke pretenduar ta ndërtojnë një histori të sajuar gjoja se e njëjta ka vendosur që ta jap pasurinë e saj, duke qenë se vuan nga një sëmundje. Nga procesi i kontrollit të fakteve dhe trajtimi i tyre u kuptua se pretendimi i bërë në këtë postim është tërësisht i sajuar. Pra ky pretendim është një histori e trilluar e bazuar në disa fakte false. Fotografia e të moshuarës u pa se është marrë nga platforma për blerje online të imazheve, ndërsa dokumenti shëndetësor u pa së është i lëshuar nga autoritetet e Taxhikistanit, saktësisht kryeqytetit Dushanbe. (këtu)
Një llogari në Facebook me emrin “Nørå Lå Qüëën” ka publikuar një postim me fotografinë e një gruaje, duke pretenduar ta ndërtojnë një histori të sajuar, gjoja se personi që shihet në këtë imazh është Kimete Nikqi nga Kosova, e cila ka vendosur që të ndajë pasurinë e saj, duke qenë se vuan nga një sëmundje. Pra ky postim i bërë nga llogaria “Nørå Lå Qüëën” në Facebook është një histori e trilluar e bazuar në fotografi false. Fotografia e të moshuarës u gjet në rezultatet e dhëna nga makina e kërkimit “Bing”, që e shfaq atë me emrin “Sabrina Fernandez” në median sociale Facebook. (këtu)