kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (7-12 gush 2023): Dezinformata dhe teori konspirative nga mediat serbe, përmbajtje të rreme në mediat sociale, clickbait artikuj në portale informative
Fakte për...

Rishikimi i javës (7-12 gush 2023): Dezinformata dhe teori konspirative nga mediat serbe, përmbajtje të rreme në mediat sociale, clickbait artikuj në portale informative

Java që shkoi u karakterizua më dominimin e përmbajtjeve clickbait dhe dezinformuese në ekosistemin keqinformues.

Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me artikuj me ngjarje për vdekje, për dhënien e ushqimeve të pashitura nga marketet, për shpërthimin e një fabrike, të cilave nuk u bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjeve.

Dezinformata nga mediat serbe dhe ruse lidhur me transplantimi organeve në Ukrainë dhe pjesëmarrjen e Uushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pretendime dezinformuese në rrjetin social “telegram” për sulm me armë dhe bomba ndaj serbëve në veri. Dezinformatë në TikTok për arsyen e dhënies së dorëheqjes të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj. Portalet e dyshimta dezinformuan duke e paraqitur aktual vdekjen e vëllait të Sabri Fejzullahut dhe duke e ilustruar më fotografi jo adekuate. Portali informativ ka dezinformuar lidhur me një deklaratë të boksierit Haxhi Krasniqi, pas meçit të boksit.

Teori konspirative nga mediat serbe lidhur me mbishkrimet “UÇK” në Suhodoll të Mitrovicës, dhe se Turqia dhe Britania po përgatisin terren që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të sulmojë Serbinë.

Lajme të rremë në Facebook se është arrestuar një person që goditi me veturë dy burra në Prishtinë, dhe Tiktok se Zelensky ka deklaruar se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën, për shkak të njerëzve që e qeverisin atë.

Përmbajtje mashtruese në Facebook me pretendimin se ofrohet mundësi për kredi deri në 500 mijë euro.

Manipulim i fakteve në portal informativ lidhur me një deklaratë të ish-kryeminstrit, Isa Mustafa, lidhur me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Clickbait

Portali “Sot.com.al” ka publikuar një artikull lidhur me incidentin në veturën e kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mirëpo, në titull të artikullit ju referuan Abazoviqit si kryeministër shqiptar. Në përkufizimin “shtet komb” i bie që Abazoviq të jetë kryeministër malazaez, ndërsa si kryeministër shqiptar njihet vetëm ai i Shqipërisë, Edi Rama. (këtu)

Portali informativ “gazeta-shqip.com” ka publikuar një artikullin me titull “Nisma e re: Supermarketet do detyrohen me ligj të dhurojnë ushqimet e pashitura”. Me verifikimin e fakteve të kryer nga hibrid.info, vërtetohet se titulli nuk e qartëson se për cilin vend vlen nisma e re e paralajmëruar për markete, çka e bën atë titull përgjithësues. (këtu)

Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e disa personave pasi kanë konsumuar kërpudha në Australi, por që në titull nuk sqarohet shteti për të cilin bëhet fjalë. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me shpërthimin në një fabrikë në qytetin rus, Sergiyev Posad, por që në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për këtë shpërthim, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se bëhet fjalë për ndonjë fabrikë në Kosovë. (këtu)

Teori konpsirative

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në lidhje me mbishkrimin UÇK në objektin shëndetësor në fshatin Suhodoll. Artikulli është i bazuar në një reagim të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, për të cilin nuk ofron fakte konkrete. Pra pretendimi se ky veprim po bëhet me qëllim të largimit të serbëve nga vendbanimet e tyre, nuk është i bazuar në fakte arguemtuese. Nuk ka fakte që dëshmojnë kryersit e këtij veprimi. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe “Srpski telegraf” ka publikuar një artikull me pretendimin se Turqia dhe Britania po përgatisin terren që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të sulmojë Serbinë, konkretisht vendbanimet kufitare Vranjen, Rashkën dhe Kralevën. Por, sipas verifikimit dhe kontrollit të fakteve në publikimet e këtyre mediave, rezulton se pretendimet e bëra nga dy përfaqësuesit serbë nuk mbështeten në fakte, dhe se mediat nuk kanë bërë verifikimin e tyre. (këtu)

Dezinformatë

Portali informativ “Kosova sot” ka publikuar një fotografi në të cilën shihet boksieri Robin Haxhi Krasniqi. Imazhi i Krasniqit përmban mbi shkrimin “Haxhi Krasniqi: Jam krenar me këtë fitore timen dhe tuajën gjithashtu”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, as në postimin e Haxhi Krasniqit e as në vegëzën e cila i është shoqëruar imazhit, nuk e gjejmë deklarimin e pretenduar të Krasniqit ku thuhet se e ka bërë për pesë pare kundërshtarin e tij. (këtu)

Disa media në gjuhën serbe dhe ruse kanë publikuar një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila ka pretenduar pa fakte se UÇK-ja është e përfshirë në, siç pretendon ajo, trafikimin e organeve në Ukrainë dhe se mund te jetë e pranishme atje përmes, siç thotë, grupeve mercenarësh. Zakharova, përmes kësaj deklarate, synon që pretendimin e pabazuar për transplantim ilegal të organeve në Ukrainë, ta ndërlidh me UÇK-në dhe pjesëmarrjen e tyre në luftë. (këtu)

Një llogari në TikTok me emrin “user5435481075810” ka publikuar një video-material ku shihet Armend Mehaj, ish-ministër i mbrojtjes. Imazhi shfaq ish-ministrin gjatë vizitës së tij në Hagë më 16 nëntor të vitit të 2022 dhe përmban mbishkrimin me pretendimin se ai u detyrua të jap dorëheqje nga pozita e ministrit, pas vizitës që u bëri ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë. Por megjithatë hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se pretendimi nuk qëndron. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një lajm të vjetër, të vitit 2020 në lidhje me vdekjen e vëllait të këngëtarit Sabri Fejzullahu, të cilin janë munduar ta paraqesin si aktual. Përveç kësaj, këto portale të dyshimta, artikullit i kanë bashkangjitur fotografi jo adekuate, në të cilën paraqitet Sabri Fejzullahu së bashku me bashkëshorten e tij. (këtu)

Në median sociale “Telegram” është publikuar një postim dje me pretendimin se Policia e Kosovës ka sulmuar me armë dhe bombë 5 serbë në veri të Kosovës. Kanali në Telegram në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore) ka pretenduar se, siç përshkruhet “terroristët shqiptar” mbrëmë “gjatë arrestimit/rrëmbimit për gjoja kontrabandë qëlluan dhe hodhën bombë në drejtim të serbëve”. Megjithatë, përpos që pretendimi është i pabazuar në fakte, i njëjti është demantuar nga Policia e Kosovës. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja “DriveZone” në Facebook ka publikuar një postim me pretendimin e rremë se është arrestuar një person që goditi me veturë dy burra në Prishtinë. Ky lajm nuk është gjetur i publikuar në asnjë medium, por edhe për arrestimin e tij nuk ka njoftim nga Policia e Kosovës. (këtu)

Një llogari në TikTok ka publikuar një video-material ku pretendohet për një deklaratë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në raport me njohjen e Kosovës. Sipas mbishkrimit të video-materialit, Zelensky ka deklaruar se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën, për shkak të njerëzve që e qeverisin atë. Por një deklaratë e tillë nuk është faktuar dhe nuk është gjetur e publikuar në burime kredibile. (këtu)

Mashtrim

Faqja në Facebook me emrin “Kredi personale” ka publikuar më datë 8 gusht një postim ku pretendohet se ofrohet mundësi për kredi deri në 500 mijë euro. Por që pas verifikimit, hibrid.info ka vërtetuar se postimi paraqet njoftim të rremë nga kjo faqe. Hibrid.info ka gjetur se postimi është marrë nga njoftimi i “Intesa Sanpaolo Bank Albania”, bankë në Shqipëri dhe i është ndryshuar përshkrimi. (këtu)

Manipulim i fakteve

Portali informativ “kosova-sot.info” ka publikuar një fotografi në të cilën shihet ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa me mbishkrimin. “Isa Mustafa: A e dini se Albini dëshiron të jap dorëheqje e të mos i zbatoj marrëveshjet por këtë nuk do t’ia lejonin ndërkombëtarët”. Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk ka deklaruar se “Albini dëshiron të jap doreqje” siç pretendon portali informativ “kosova-sot.info” në postimin në Facebook dhe titullin e artikullit në ueb-faqe. (këtu)

Exit mobile version