Shkroi: Etrit Rexhepi
Në pyetësorët kryesorë për regjistrimin e popullsisë të kryer sivjet (2024), ndër pyetjet ishin edhe për dëmet e pësuara nga lufta 1998/1999 në ekonomitë familjare.
E sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në regjistrim qytetarët kanë deklaruar për dëme në njerëz dhe për dëme ekonomike.
Statistikat kanë nxjerrë se në luftë janë vrarë 11 mijë e 417 persona (9630 meshkuj dhe 1787 femra).
Ekonomitë familjare në Kosovë kanë thënë se në luftë janë zhdukur 1047 persona (897 meshkuj dhe 150 femra).
Sipas publikimit, në luftë janë plagosur 6682 persona (5583 meshkuj dhe 1099 femra).
Të burgosur sipas ekonomive familjare kanë qenë 3312 persona (3227 meshkuj dhe 85 femra).
Ndërsa për torturë, dhunë, pasoja psikologjike dhe dëme të tjera janë deklaruar 193 mijë e 765 raste.
Sa u përket dëmeve ekonomike, shifra e përmbledhur tejkalon 5-miliardë euroshin.
154 mijë e 272 ekonomi familjare kanë deklaruar për dëme ekonomike nga lufta (pronë të shkatërruar). Vlera e dëmeve ishte ndarë në katër kategori (deri në 10 mijë euro; nga 10 mijë euro deri 20 mijë euro; nga 20 mijë euro deri 40 mijë euro; dhe mbi 40 mijë euro). Në këtë ndarje, ka prirë numri i ekonomive familjare që kanë deklaruar dëme në vlerë prej mbi 40 mijë euro (66 mijë e 364 ekonomi familjare).
Në regjistrim të popullsisë është sqaruar se si periudhë e luftës është përkufizuar periudha 28 shkurt 1998-11 qershor 1999.
Ekonomia familjare në kuadër të regjistrimit të popullsisë nënkupton individin, bashkësinë familjare ose një bashkësi tjetër personash (individësh), të cilët jetojnë së bashku dhe janë të vendosur plotësisht ose pjesërisht në një njësi banesore, si dhe furnizohen me gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera esenciale për jetesë. Anëtarët e këtij grupi mund të bashkojnë të ardhurat e tyre në një masë më të madhe ose më të vogël.
Numri i përgjithshëm i ekonomive familjare në regjistrimin e vitit 2024 ka dalë të jetë 366 mijë e 595.
Shih edhe: https://kosovofacts.com/rezultatet-e-pergjithshme-te-regjistrimit-te-popullsise-ne-vitin-2024/