Përgatiti: Etrit Rexhepi
Epopeja e Jasharëve është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe heroike të historisë së Kosovës, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i rezistencës për liri. Ngjarjet që kulmuan me betejën e Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998 janë ndër momentet më dramatike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Rezistenca e armatosur e familjes Jashari dhe UÇK-së kundër pushtuesve serbë kishte filluar vite para betejës së vitit 1998. Adem Jashari, i lindur në vitin 1955 në Prekaz të Skënderajt, ishte themelues, luftëtar dhe komandant i UÇK-së. Ai bashkë me vëllain Hamëzën dhe babain Shabanin, u përfshinë në organizimin e grupeve të para guerile për çlirimin e Kosovës.
Në vitet 1981-1989 mori pjesë në aktivitete të ndryshme kundër pushtetit. Më vonë u bë anëtar i Lëvizjes për Republikën e Kosovës. Në vitin 1990 organizoi grupet e para të armatosura në Drenicë. Në vitin 1991 shkoi në Shqipëri, bashkë me një grup luftëtarësh, ku u stërvit nga ushtarakë të atjeshëm.
Para se të ndërmerrej sulmi vendimtar, ndodhën tri rrethime të familjes Jashari nga ana policisë së Serbisë: më 30 dhjetor 1991, më 22 janar 1998 dhe më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti. Në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991, policia serbe ndërmori aksion për kapjen e grupit, me ç’rast u rrethua shtëpia e Adem Jasharit në fshatin Prekazi i Poshtëm, ku ai jetonte së bashku me familjen e gjerë. Sulmi nuk dha rezultat, kështu që forcat serbe u detyruan të tërhiqen.
Pas këtij aksioni, Adem Jashari dhe formacioni i tij veproi në Prekaz dhe fshatrat përreth Skënderajt e Drenasit. Këto aksione guerile vazhduan për shtatë vjet. Aksionet e armatosura të formacionit të Adem Jasharit të kryera në Drenas në vitet 1992-93 çuan drejt përshpejtimit të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në prill të vitit 1993 në shtëpinë e Adem Jasharit u mbajt një takim i pjesëtarëve të formacionit të tij të armatosur, ku morën pjesë edhe veprimtarë politikë. Me propozimin e Adem Jasharit u vendos që aksionet e armatosura në të ardhmen të bëhen në emër të Ushtrisë së Kosovës, ndërsa komandant i saj u emërua vetë ai.
Më 25 nëntor 1997, luftëtarët e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik të Skënderjat, duke i detyruar të tërhiqen. Të nesërmen, një ekspeditë ndëshkimore serbe, me mjete të motorizuara, u drejtuan për në Vojnik. Adem Jashari me dhjetë luftëtarë u zuri pritë në Rezallë të Re dhe, pas katër orë luftimesh, forcat e policisë serbe u tërhoqën. Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara për disfatën, bënë reprezalje mbi banorë të paarmatosur në fshatin Llaushë, ku vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës. Në ceremoninë e varrimit, që u zhvillua më 28 nëntor 1997, me urdhër të Adem Jasharit dolën në tribunë për herë të parë përfaqësuesit e UÇK-së. Ndërkohë, Serbia kishte dënuar Adem Jasharin me 20 vjet burg në mungesë, bashkë me disa bashkëluftëtarë të tij.
Pas këtyre zhvillimeve, forcat policore nuk mundën të hynin në Drenicë deri me 22 janar 1998, ditën kur me një sulm diversant policia serbe sulmoi Jasharët në shtëpinë e tyre. Atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi. Luftuan i ati Shabani, i vëllai Hamëza dhe anëtarë të tjerë të familjes. Gjatë këtij sulmi, nga Jasharët u plagosën Ilirianë e Selvete Jashari. Forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Më 28 shkurt 1998, një njësit i UÇK-së ra në pritë në Likoshan, por njësiti korri fitore, duke vrarë gjashtë policë serbë dhe duke plagosur disa të tjerë. Pas kësaj disfate, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe sulmuan me tanke e helikopterë Likoshanin dhe Qirezin. Në shenjë hakmarrjeje vranë 24 civilë. Adem Jashari me disa luftëtarë depërtuan përmes rrethimit dhe tërhoqën të plagosurit dhe ata që kishin mbetur brenda rrethimit.
Pas daljes publike të UÇK-së në Llaushë të Drenicës dhe rritjes së hovshme të radhëve të saj, policia dhe ushtria e Serbisë ndërmori më 5 mars 1998 një operacion në shkallë të gjerë kundër UÇK-së, veçanërisht në zonën e Drenicës. Forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zënë pozicionet nga Mitrovica deri në Skënderaj, përgjatë dy anëve të rrugës magjistrale. Sulmi i forcave serbe u ndërmor në drejtim të Prekazit të Ulët dhe të Epërm, të Polacit dhe të Llaushës. Qëllimi i tyre ishte depërtimi në Prekaz, ku ndodhej edhe vendkomanda e komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit dhe e familjes së tij.
Prekazi u rrethua nga tre skalione. Në mëngjesin e 5 marsit 1998, në orën 5 e 30 filloi sulmi i koordinuar nga kodrat e Skënderajt, Lisat e Xanëve dhe Fabrika e Municionit, e cila gjendej në afërsi të Lagjes së Jasharëve dhe që prej kohësh ishte kthyer në garnizon ushtarak. Atë ditë nga 30 anëtarët e familjes Jashari, në shtëpi ndodheshin 22 sish. Të udhëhequr nga Adem Jashari, të gjithë pjesëtarët e familjes luftuan tri ditë dhe tri net, derisa u vranë që të gjithë (20 veta nga mosha 9 deri 74 vjet) me përjashtim të Besartës, vajzës së vogël të Hamëz Jasharit, e cila u fsheh në gjirin e nënës së vdekur. Nga ai rrethim shpëtoi edhe Bashkim Jashari, i cili arriti ta çante rrethimin. Bashkë me familjen Jashari u vra edhe Osman Geci nga Llausha. Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 25 janar 1999 Adem Jashari u shpall komandant i saj legjendar.
Epopeja e Jasharëve u bë simbol i sakrificës për liri dhe moment kyç për rritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas masakrës së Prekazit, mbështetja për UÇK-në dhe çështjen e Kosovës u rrit ndjeshëm, duke çuar në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Lufta përfundoi me çlirimin e Kosovës dhe largimin e forcave serbe.
Sot, Adem Jashari dhe familja e tij janë nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. Çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, Kosova përkujton Epopenë e Jasharëve, duke nderuar sakrificën e tyre të jashtëzakonshme për lirinë e vendit.
Ky artikull u përgatit duke u bazuar nga të dhënat e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës hartuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK)