Përgatiti: Etrit Rexhepi
Ballkani e Drita janë dy ekipet e futbollit nga Kosova, të cilat po e përfaqësojnë vendin tonë në garat evropiane të organizuara nga institucioni më i madh i futbollit në Evropë, UEFA. Skuadra nga Suhareka dhe ajo nga Gjilani, gjenden në rrethin e tretë të kualifikimeve për në Uefa Conference League, kalimi i së cilës do t’i mundësonte të luanin në Play-off, e cila do të ishte pengesa e fundit, para kualifikimit në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Ballkani e Drita janë dy nga katër skuadrat, që morën pjesë në këto gara të sezonit evropian 2024-25, duke përfshirë Llapin dhe Malishevën, që u eleminuan më herët. Sezoni aktual është i teti me radhë, që kur ekipet nga Kosova garojnë në Evropë, pas pranimit me të drejta të plota në UEFA, në vitin 2016.
Skuadrat kosovare në Uefa Champions League
Ishte sezoni 2017-18, kur një ekip nga Kosova garoi për herë të parë në kualifikime për në fazën e grupeve të Uefa Champions League. Trepça 89, kampioni nga sezoni paraprak bëri historinë, duke u bërë skuadra e parë garuese në këtë kompeticion, pas pranimit të Kosovës në UEFA. Ekipi nga Mitrovica, u eleminua në rrethin e parë të kualifikimeve, duke u mposhtur nga ekipi islandez, Vikingur Gota, me rezultat të përgjithshëm nga dy takimet, 2-6 (1-4 dhe 1-2).
Për shkak të koeficientit të ulët të ligës në renditjen e UEFA-s, Kosova në Champion League, përfaqësohet me vetëm një skuadër, pra kampionin e saj. Në tetë vite, skuadrat kosovare që morën pjesë në Champions League janë Ballkani (3 herë), Drita (dy herë), Trepça 89, Feronikeli dhe Prishtina. Në të gjitha rastet, ekipet nga Kosova nuk arritën të shkojnë më larg se rrethi i parë i kualifikimeve para fazës së grupeve. Në sezonin e fundit (2024-25) të kësaj gare, Ballkani, kampioni aktual i Kosovës, u eleminua në rrethin e parë, nga Santa Coloma me anë të penaltive, pasi që dy përballjet përfunduan me rezultat të përgjithshëm të barabartë 3-3. Champions League është kompeticioni më i madh evropian i klubeve, të cilin e organizion Uefa.
Skuadrat kosovare në Uefa Europa League
Europa League është kompeticioni i dytë më i madh i organizuar nga UEFA, pas Champions League. Edhe këtë garë, ekipet nga Kosova, për herë të parë e përjetuan nga afër, në sezonin 2017-18, kur Prishtina, si fituese e kupës, u ballafaqua me ekipin suedez, Norkoping në rrethin e parë të kualifikimeve. Prishtinasit u eleminuan me rezultat të përgjithshëm, 0-6, por pjesëmarrja e tyre në Europa League, shënon një moment tjetër historik për klubet kosovare në Evropë.
Skuadrat kosovare garuan në këtë kompeticion në pesë sezone, ndërsa në tre tjera nuk u kualifikuan, për shkak të koeficientit të ulët të ligës së Kosovës, sipas renditjes së UEFA-s. Në këto pesë edicione të pjesëmarrjes, Superliga e Kosovës dy herë u përfaqësua me vetëm një ekip, ndërsa dy herë të tjera me nga dy ekipe. Përjashtim bën vetëm sezoni 2020-21, kur në Uefa Europa League, garuan tre ekipe kosovare, sezon i cili shënon edhe arritjen më të madhe të klubeve kosovare në këtë garë, me Dritën e cila shkoi deri në rrethin e tretë të kualifikimeve, por u eleminua nga Legia Warsaw (2-0).
Ekipet nga Kosova që morën pjesë në Uefa Europa League janë Prishtina (katër herë), Drita (dy herë), Feronikeli, Gjilani dhe Llapi. Pas tre vitesh mungesë, për shkak të performancave të mira të Ballkanit në Evropë, liga e Kosovës u rikthye me Llapin në Europa League, që doli i dyti ne edicionin e kaluar të Superligës. Llapjanët nuk ia dolën të bëjnë diçka më shumë, duke u mposhtur nga Wisla Krakow, në rrethin e parë të kualifikimeve (1-4).
Skuadrat kosovare në Uefa Conference League
Ky është kompeticioni më i ri, që organizohet nga UEFA. Sezoni aktual numëron të katërtin me radhë që mbahet, që prej formimit të kësaj gare. Conference League është themeluar për skuadrat e rangut më të ulët, në krahasim me Champions League dhe Europa League.
Për dallim nga dy garat e përmendura, Kosova mori pjesë në dy raste në fazën e grupeve të Conference League. Ishte Ballkani, skuadra që shkoi deri në fazën e grupeve në dy edicione radhazi 2022-23 dhe 2023-24, duke arritur suksesin më të madh të ekipeve kosovare në garat evropiane për klube në futboll. Skuadrat nga Kosova u paraqitën në vitin e parë të zhvillimit të këtij kompeticioni, në sezonin 2021-22, me Llapin, Dritën dhe Prishtinën, e cila shkoi më së larti, duke u eleminuar në rrethin e tretë të kualifikimeve.
Në dy edicionet pasuese, Superliga e Kosovës pati nga katër skuadra në këtë garë. Në edicionin 2022-23 morën pjesë Gjilani, Llapi Drita dhe Ballkani, ndërsa në sezonin e radhës, vetëm Llapi u zëvendësua me Dukagjinin, që luajti për here të parë në Evropë.
Në këto dy edicione, Ballkani mori pjesë në fazën e grupeve të Uefa Conference League. Suharekasit në dy pjesëmarrje, nuk shkuan më lart se vendi i katërt në grupin e tyre. Herën e parë patën vetëm një fitore ndaj Sivasspor dhe një barazim me CFR Cluj, ndërsa sezonin e kaluar të pjesëmarrjes, Ballkani mposhti Dinamo Zagreb (2-0) dhe Viktoria Plzen si mysafir (0-1), duke i ndarë pikët vetëm në përmballjen me Astanan (0-0).
Sezoni aktual (2024-25) i skuadrave kosovare në Evropë
Në këtë edicion në Evropë, Kosova kishte katër skuadra, me Ballkanin si kampion, Llapin që doli e dyta dhe Drita e Malisheva, të cilat ndanë pozitën e tretë dhe atë të katërt, në tabelë. Malisheva u eleminua në rrethin e parë, të kualifikimeve në Uefa Conference League, ku u mposht nga skuadra malazeze Buducnost Podgorica, me rezultatin nga dy takimet 1-3 (1-0 dhe 0-3). Po ashtu, Llapi u eleminua nga garat evropiane. Skuadra nga Besiana, u eleminua në rrethin e parë të kualifikimeve të Uefa Europa League nga ballafaqimi me Wisla Krakow, 1-4 (1-2 dhe 0-2). Llapjanët nuk kaluan më mirë as në Uefa Conference League, aty ku vazhduan garën pas eleminimit nga Europa League. Në dy takime përballë skuadrës dazene, Brondby, të kaltrit e Llapit e pësuan me 2-8 (0-6 dhe 2-2).
Ballkani pasi u eleminuan nga Uefa Champions League, vijuan garën në Uefa Conference League. Suharekasit e kanë kaluar rrethin e dytë të kualifikimeve në këtë garë. Kampioni i Kosovës mposhti maltezët e Hamrun Spartans, 0-2 (0-0 dhe 0-2). Ballkani në rrethin e tretë të kualifikimeve do të ndeshet me ekipin nga Irlanda e Veriut, Larne. Në rast kualifikimi, “Xhebrailat” do të takohen me humbësin e duelit ndërmjet Lincoln Red Imps dhe Dinamo Minsk, çka do të thotë se Ballkani ka mundësinë që për herë të tretë, të luajë në fazën e grupeve, të Uefa Conference League.
Ekipi tjetër që po vazhdon të garojë në Evropë, është Drita nga Gjilani. Gjilanasit, që u kualifikuan drejtpërdrejtë në fazën e dytë të kualifikimeve, për në fazën e grupeve të Uefa Conference League, në këtë rreth kishin përballë Breidablikun e Islandës, ndaj së cilës dolën ngadhnjimtarë, duke e mposhtur në 180 minuta, 3-1 (1-2 dhe 1-0).
Në rrethin e tretë të kualifikimeve, “Intelektualët” ndeshen me skuadrën letoneze, Auda. Fitorja e mundshme i vë gjilanasi, përballë fituesit ndërmjet Legia Warsav dhe Brondby. Për Dritën, pjesëmarrja në këtë garë, paraqet mundësinë që për herë të parë të luajë në fazën e grupeve të një kompeticioni evropian.