kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime Narrativi dezinformues se qëllimi i Prishtinës zyrtare është “dëbimi i serbëve”, bazuar në zhvillimet e fundit politike
Zhvillime

Narrativi dezinformues se qëllimi i Prishtinës zyrtare është “dëbimi i serbëve”, bazuar në zhvillimet e fundit politike

Disa media në gjuhën serbe, si dhe zyrtarët qeveritarë serbë vazhdojnë me narrativin dezinformues se Prishtina zyrtare nuk është e interesuar në dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, por qëllimi i saj është të nxitja e konflikteve dhe dëbimi i serbëve.

Njëkohësisht, ky narrativ është përdorur më parë i ndërlidhur, kryesisht me ngjarje e zhvillime në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, si rastet me mbishkrime “UÇK” në tabelat e vendbanimeve me shumicë serbe, apo edhe dëmtime të varrezave të komunitetit serb. (këtu)

Ndërsa, së fundmi ky narrativ po përdoret kryesisht në raportet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë këtu edhe dialogun, si dhe politikat e shtetit të Kosovës.

Së fundmi, Danijela Vujiçiq nga Ekipi Menaxhues për përpilimin e draft-statutit të Bashkësisë së Komunave më shumicë serbe, në një intervistë të dhënë për të përditshmen serbe “Novosti” (8 maj) deklaroi se “Prishtina është e gatshme të provokojë konflikte të reja dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”. Pretendimin e bërë, Vujiçiq e ndërlidh me kërkesën e asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. (këtu)

Si u ndërtua ky narrativ, bazuar në ngjarjet që ndërlidhen me vendimin për lirimin e Urës së Ibrit?

Më 28 prill, këshilltarët komunalë në veri të Mitrovicës e kanë miratuar me 13 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli. Kjo e fundit thotë se kërkesa ka qenë e kamotshme e qytetarëve që jetojnë në veriun e Mitrovicës, po ashtu edhe të jugut, si e  drejtë e secilit person për të lëvizur lirshëm në qytetin e vet(këtu)

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, thotë se kërkesa e këshilltarëve për hapjen e urës kryesore për qarkullim, i është përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale. Ai thotë se vendimi i këshilltarëve për urën është i ligjshëm dhe se është i bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Uglanin gjithashtu beson se urat duhet të jenë simbol i unitetit dhe bashkimit, e jo ndarjes së njerëzve. (këtu)

Ndërsa, faktori ndërkombëtar ka pasur një pikëpamje tjetër ndaj këtij vendimi. KFOR-i tha se çështja e hapjes së urës kryesore për qarkullim, duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se tani nuk është koha e duhur për të hapur urën kryesore mbi Ibër. (këtu)

Megjithatë, nga Qeveria e Kosovës theksojnë se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim, “prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”. (këtu)

Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”. Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës. Sipas planit të zbatimit, hapja e plotë e urës është menduar të bëhej në janar të vitit 2017 për këmbësorë dhe automjete në të dy drejtimet. Mirëpo, puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018, dhe vazhdon të mbetet e mbyllur për mjete motorike dhe e hapur vetëm për këmbësorë. (këtu)

Përkundër gjithë këtyre fakteve të trajtuar, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë ndonjë interpretim që mund të argumentoj pretendimin se, përmes këtij vendimi për lirimin e Urës së Ibrit, po synohet të nxiten konflikte dhe të dëbohen serbët siç pretendon Vujiçiq.

Ndërsa, narrativi se Prishtina zyrtare ka qëllimin dëbimin e serbëve nga Kosova, është vazhdimësi e mediave të afërta me pushtetin dhe zyrtarëve shtetëror të Serbisë.

Disa shembuj që dëshmojnë se narrativi për dëbimin e serbëve nga Kosova është i vazhdueshëm:

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, më 18 mars të këtij viti, në seancën e Byrosë e këtij shteti për Koordinimin e Punës së Shërbimeve të Sigurisë, të cilën e drejtoi sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, bëri një vlerësim të gjendjes në Kosovës dhe rrezikun e komunitetit serb. Daçiq deklaroi se rreziku kryesor vjen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që, sipas tij, qëllim kryesor nuk e ka dialogun por dëbimin e serbëve nga Kosova. Edhe pse i referohet një pretendimi se kryeministri Kurti synim ka dëbimin e serbëve nga Kosova, Daçiq nuk e argumenton atë me ndonjë fakt, që do të mund të ishte ndonjë dokument apo dëshmi e llojit tjetër. Nga ajo që ka deklaruar ministri i Jashtëm i Serbisë, shihet që ekziston një narrativë e ndërtuar, por i pa argumentuar me ndonjë fakt. (këtu)

Pretendimin se Kurti kërkon dëbimin e serbëve nga Kosova e ka bërë edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit të 2 majit në Bruksel. Sipas tij, Prishtina zyrtare ka mohuar draft statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues dhe se Kurti, sipas tij, nuk ishte i gatshëm të pajtohej me të dhe se nuk ishte i interesuar për formimin e  Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. (këtu)

Një pretendim i tillë është ngritur edhe nga media a afërt me pushtetin në Serbi “Informer” (shih këtu), e cila pretendon se, me “vendimin për lirimin nga detyra të ekipit menaxhues që ishte përgjegjës për krijimin dhe hartimin e draft statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Albin Kurti e ka konfirmuar që do t’i dëbojë serbët nga Kosova me dhunë”, duke refuzuar kështu krijimin e AKS-së. (këtu)

Mirëpo, ky interpretim i veprimit të Kurtit në lidhje me AKS-në, duket se nuk ishte mirë i bazuar. Kryeministri kosovar, pas takimit të fundit trelateral në Bruksel, kishte folur rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e bërë të ditur se draft-statuti i prezantuar është thelbësisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës (këtu), e cila u jep të drejta të barabarta të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, Kurti deklaroi se “serbët duhet të jetojnë në shtetin tonë, të jenë anëtarë me të drejta dhe obligime në shoqërinë tonë dhe në këtë mënyrë bashkërisht të krijojmë shoqëri e cila është kohezive së brendshmi dhe që nuk e lë askënd prapa,” duke prezantuar kështu edhe draft-vizionin e tij përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike të Ohrit, duke pasur parasysh edhe nenin 10, në bazë të së cilës do të duhej të krijohej korniza e cila e rregullon çështjen e komunitetit serb në Kosovë. (këtu)

Sipas Kurtit, një draft-statut duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”. Po ashtu, duhet të parashihet mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial. Në këtë dokument të Kurtit thuhet, po ashtu, se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të kenë kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë, por përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës. Aty, gjithashtu, theksohet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse.  (këtu)

Ofrimi i një draft-vizioni për të rregulluar të drejtat dhe dispozitat e komunitetit serb në Kosovës tregon interesimin e Prishtinës zyrtare për rregullimin dhe integrimin të këtij komuniteti në Kosovë, e jo ndonjë qëllim për dëbimin e tyre, siç pretendohet.

Analiza:

Përkundër se BE-ja dhe KFOR-i vlerësuan se nuk është momenti i duhur, kërkesa për hapjen e urës për qarkullim është bërë në kuadër të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të veriut dhe jugut të Mitrovicës, dhe nuk përmban ndonjë qëllim për dëbimin e serbëve, siç pretendon Vujiçiq.

Edhe pse nuk pranua draft-statuti i ekipit menaxhues për AKS-në nga ana e Prishtinës zyrtare, Kurti ofroi draft-vizionin e tij bazuar në nenin 7 dhe 10 të marrëveshjes së Ohrit, nëpërmjet së cilës do të rregullohen të drejtat dhe dispozitat e komunitetit serb në Kosovë, duke shprehur interesimin për integrimin e këtij komuniteti në Kosovë, e jo të dëbimin e tyre siç pretendohet.

Pretendimi i ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se qëllim i Kurtit nuk është dialogu, por dëbimi i serbëve nuk mbështet në fakte konkrete.

Prandaj, pretendimi i bërë nga mediat serbe dhe zyrtarët shtetëror serb se qëllim i Prishtinës zyrtare është dëbimi i serbëve nga Kosova, i bazuar në zhvillimet e cekura më lartë nuk qëndron. Në zhvillimet e cekura më lartë nuk parashihet ndonjë plan për dëbimin e serbëve nga Kosova.

Pretendimi se qëllimi kryesor i Prishtinës zyrtare është “dëbimi i serbëve nga vendbanimet e tyre në Kosovë” është pjesë e narracionit dezinformues, të cilën e sjellin zyrtarët shtetëror të Serbisë dhe mediat e afërta me pushtetin.

Exit mobile version