Përgatiti: Festim Rizanaj
Për herë të parë në histori, Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Paralimpike, duke debutuar në edicionin e sivjetmë “Parisi 2024”. Grevist Bytyqi, para-atlet nga Malisheva, do të jetë përfaqësuesi i vetëm i Kosovës, duke garuar në disiplinën e 1500 metrave.
Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra vjen pas pranimit të Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dy vjet më parë. Ky është një moment historik për vendin, pasi Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014, por u deshën disa vite për të siguruar pranimin në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.
Edhe pse Kosova ka humbur dy edicione të Lojërave Paralimpike Verore dhe dy edicione të Lojërave Paralimpike Dimërore që nga ajo kohë, pranimi në “Parisi 2024” shënon një arritje të madhe për sportistët me aftësi të kufizuara në vend. Në një ngjarje të organizuar më 12 korrik, Komiteti Paralimpik i Kosovës e kishte cilësuar moment historik për Kosovën pjesëmarrjen në këto lojëra.
Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”, që do të zhvillohen nga 28 gushti deri më 8 shtator në Paris të Francës, do të përfshijnë pjesëmarrjen e 184 shteteve dhe pritet të jenë një spektakël madhështor me një përfshirje të gjerë të sportistëve.