Dezinformatat dhe përmbajtjet e pa verifikuara kanë dominuar ekosistemin informues gjatë javës që shkoi.
Dezinformatë lidhur me vrasjen e Noizy-t, si dhe dezinformatë nga mediat në gjuhën serbe ku pretendohet se udhëheqësja e intervistës me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak realizuar nga Atlantic Council TV, i ka quajtur serbët, “formacion fashist”.
Përmbajtje të pa verifikuar lidhur me pretendimin se Prishtina kishte përgatitur arrestime masive dhe brutale të serbëve në ditën e Vidovdanit në Gazimestan; dhe për një bisedë telefonike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Clikcbait artikull me lajm të ricikluar duke pretenduar të paraqitet si aktual.
Gabim rreth të dhënave të tërmetit të ndodhur në Shqipëri.
Mashtrime nga llogari në Facebook për dhënie kredish në vlera qindra e mijëra euro.
Clickbait
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “promakale.com” ka publikuar një artikull me titull “ISH-USHTARAKU ITALIAN: VUÇIQ U PARALAJMËRUA MBRËMË, NËSE SULMON KOSOVËN, AEROPLANËT LUFTARAKË TË NATO-S DO TË REAGOJNË BRENDA PAK ORËSH”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky lajm është i vjetër. Pra, portali i dyshimtë e ka publikuar atë me pretendimin ta paraqesë si aktual. (këtu)
Gabim
Mediat në gjuhën shqipe “insajderi.org” dhe “ekonomiaonline.com” kanë një artikull me titull “Tërmet në Shqipëri. Bazuar në verifikimin e fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se mediat në gjuhën shqipe “insajderi.org” dhe “ekonomiaonline.com” kanë publikuar një artikull për një tërmet të ndodhur në Shqipëri, duke përdorur të dhëna nga një tërmet i ndodhur vitin e kaluar.(këtu)
Përmbajtje e pa verifikuar
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull me përmbajte që ngritë pretendimin e pabazuar se, siç thuhet, “Prishtina kishte përgatitur arrestime masive dhe brutale të serbëve në ditën e Vidovdanit në Gazimestan”. Pretendimi bazohet në frazimin “siç mëson Novosti”, ku sipas tyre, me urdhër të regjimit në Prishtinë, Policia e Kosovës ka planifikuar të torturojë vizitorët për Vidovdan në Gazimestan, ku dhe janë vendosur kamera. Përveç frazimit “siç mëson Novosti”, që lë të kuptohet që është burim i informacioni i këtij mediumi, ndonëse i pa specifikuar, nuk ofrohet ndonjë fakt apo fotografi tjetër kredibile për pretendimin e bërë. (këtu)
Është publikuar një audio-material që pretendon se paraqet një bisedë telefonike mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Autenticiteti i kësaj përmbajtje u kundërshtua nga zyra e Kryeministrit të Kosovës. Në këtë material, që fillimisht filloi së publikuari në median sociale “Telegram” dhe tashmë po qarkullon në media tjera sociale e online, pretendohet se paraqet përmbajten e një bisede mes Kurtit dhe Hovenier lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Shihet se ky material është i ilustruar edhe me fotografi të dy personazheve që zhvillojnë bisedën e pretenduar. Audio-materiali i publikuar nuk arsyeton në vetvete pretendimin se biseda e zhvilluar në përmbajtje është autentike, pra se është bisedë mes Kurtit dhe Hovenier. (këtu)
Mediumi në gjuhën shqipe “Paparaci.com” ka publikuar një artikull me titull “’Premtuan barazi’ – Mihali, Murati e Muja paguan pesë euro për një kafe”. Sipas këtij artikulli, Dejona Mihali, Hekuran Murati dhe Armend Muja, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, janë parë në shoqërinë e njëri tjetri duke konsumuar kafe me vlerë prej 5 eurosh. Megjithatë, në përmbajtje nuk shfaqen dëshmi për vlerën dhe çka është konsumuar nga të lartë-përmendurit. Gjithashtu, pretendimi se është konsumuar kafe me vlerë prej 5 eurove, është demantuar edhe nga vetë përfaqësues të këtij hoteli. (këtu)
Dezinformatë
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “pershendetje24.info” ka publikuar një artikull me titull “Publikohen pamje: Vritet Noizy me plumb ne koke (VIDEO)”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një video-material nga platforma “Youtube”, e publikuar në vitin 2017 në të cilën shfaqet rep-artisti nga Shqipëria “Noizy” i gjakosur në kokë. Por në përshkrimin e kësaj videoje thuhet se kjo është vetëm një skenë filmi, në të cilën protagonist ishte edhe artisti i lartcekur. (këtu)
Mediumi gjuhën serbe “In4s” dhe “Sputnik” shërbimi serbisht kanë publikuar një artikull me pretendimin se udhëheqësja e intervistës me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak realizuar nga Atlantic Council TV, i ka quajtur serbët, “formacion fashist”. Pas verifikimit të videos së bisedës së zhvilluar, faktet tregojnë se gazetarja nuk i ka quajtur serbët “formacion fashist”, por e ka formuluar pyetjen në atë mënyrë që i është referuar fjalëve të kryeministrit të Kosovës. (këtu)
Mashtrim
Në median sociale Facebook janë hapur disa faqe që pretendojnë se japin kredi të ndryshme, deri në vlera qindra e mijëra euro. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se në seksionin e informacioneve rreth veprimtarisë (about) në këto faqe “Kredi personale”, “Kredi Personale – Online” dhe “Kredi Për Biznes” nuk ka të dhëna të mjaftueshme që dëshmojnë kredibilitetin apo besueshmërinë dhe transparencën. (këtu)