Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve clickbait dhe dezinformatë në sferën informative në Kosovë.
Artikujt clickbait kishin të bënin me zhvillime që nuk ndërlidheshin me Kosovën duke mos dhënë informacione për vendin ku bëhet fjalë në lajm.
Dezinformatat ndërlidheshin me video-materiale në TikTok me pretendimet se shteti serb ka falënderuar shtetin shqiptar dhe opozitën në Kosovë në përkrahje të rrëzimit të Qeverisë së Kosovës; se Bill Clinton gjatë vizitës së tij në Tiranë, paralajmëroi fund tragjik të Albin Kurtit; artikull me pretendimin në titull se zëvendës sekretari i NATO-s, Thomas Goffus, e ka konsideruar Kosovën si partner joefektiv i sigurisë.
Përmbajtje e pa verifikuar lidhur me fotografi me pretendimin të paraqitet si imazh i gjendjes së protestave që po ndodhin aktualisht në Francë.
Përmbajtje të rreme me pretendimin se Egjipti ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se, Kosova do të pajiset me helikopterë të shumtë.
Mashtrim me artikuj për lidhje dashurie dhe dhënie kredish.
Clickbait
Mediat në gjuhën shqipe “lajmifundit.al” dhe “gazeta-shqip.com” kanë publikuar artikull për gjetjen e eshtrave të një personi në park me titull përgjithësues, duke mos sqaruar se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Këto media veprojnë në Shqipëri dhe bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, lexuesit kryesisht i kanë shqipfolës. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin ku bëhet fjalë në lajm, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke lënë të nënkuptojë se ngjarja ka ndodhur në hapësirën shqiptare. (këtu)
Portali informativ “Gazeta Express” ka publikuar në Facebook një artikull në lidhje me deklaratën e Edi Ramës në lidhje me refuzimin nga Bilall Kasami, për takim me të, por që në titull lë të kuptohet se Rama iu është referuar kryeministrit Albin Kurti, me deklaratën e tij. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtuar se, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë nuk e ka komentuar refuzimin për takim nga Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në mënyrën siç e tregon titulli i artikullit. Lajmi qartësohet vetëm pasi të klikohet artikulli, në titullin e të cilit më pas shpjegohet se Rama ka folur për refuzimin e takimit nga Bilall Kasami, kryetar i Tetovës. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me propozimin e ministres së Punës në Spanjë, që të rinjve t’u jepen nga 20 mijë euro pasi të mbushin 18 vjeç, por që në titull nuk sqarohet se në cilin në cilin shtet është bërë ky propozim. Mediumi online “kosova-sot.info”, i cili është portal, që vepron në Kosovë duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se ky propozim është bërë nga shteti i Kosovës. (këtu)
Disa portale informative kanë publikuar një artikull me titull “Komuna e Prishtinës i jep 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se në artikujt në fjalë mungon sqarimi i plotë i vendimit të Komunës së Prishtinës. Sipas vendimit të Komunës së Prishtinës, numri i familjeve që do të përfitojnë subvencione për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private, është i kufizuar. (këtu)
Përmbajte e pa verifikuar
Platforma online “JOQ Albania” ka publikuar një fotografi në faqen e saj në Facebook me pretendimin ta paraqes atë si imazh i gjendjes së protestave që po ndodhin aktualisht në Francë. Faktet tregojnë se fotografia e shpërndarë me pretendimin të paraqet gjendjen e protestave aktuale në Francë, del të jetë një sekuencë filmi. (këtu)
Lajm i rremë
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një video-material në të cilën shihen dy pilotë duke drejtuar një helikopter, e njëri ndër ta mban edhe flamurin e Kosovës në uniformën e tij. Në përshkrimin e kësaj videoje pretendohet se Kosova do të pajiset me helikopterë të shumtë. Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron, pasi nuk ka asnjë të dhënë të publikuar qoftë në media online apo edhe nga Ministria e Mbrojtjes, që flet për mundësinë e pajisjes me helikopterë. (këtu)
Në mediat sociale “Telegram” dhe “ Twitter” është publikuar një postim që pretendon se Egjipti ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kanali në Telegram në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духа” i përkthyer në shqip “Bunt është gjendje shpirtërore”, si dhe llogaria në Twitter me emrin “vale_iii” kanë pretenduar se “Qeveria egjiptiane ka tërhequr njohjen e Kosovës*, bën thirrje për respektim të integritetit territorial të Serbisë dhe kufijve siç janë”. Ky pretendim i publikuar nga këto llogari nuk bazohet në ndonjë burim zyrtar që e konfirmon tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit të Egjiptit. (këtu)
Dezinformatë
Llogaria në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material në të cilin pretendohet se shteti serb ka falënderuar shtetin shqiptar dhe opozitën në Kosovë në përkrahje të rrëzimit të Qeverisë së Kosovës. Tutje pretendimi vazhdon duke u thirrur nga mediat serbe dhe duke u mbështetet me një imazh nga një artikull në gjuhën serbe nga mediumi “alo.rs”. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë medium online, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë serbe. Gjithashtu, artikulli nga është marrë imazhi i publikuar në video-material flet për kërkesat e opozitës për rrëzimin e qeverisë në Kosovë, pa specifikuar ndonjë falënderim nga shteti serb. (këtu)
Llogaria në TikTok me emrin “KosovariPress” ka publikuar) një video-material në të cilin pretendohet se ish-presidenti amerikan Bill Clinton gjatë vizitës se tij në Tiranë, paralajmëroi fund tragjik të Albin Kurtit, në fjalimin e tij. Video-materiali ka mbishkrimin se “Bill Clinton paralajmëroi fund më të tmerrshum se Berisha për Albin Kurtin!”. Por që hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se pretendimi i ngritur si i tillë nuk qëndron. (këtu)
Disa media online në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin në titull se zëvendës sekretari i NATO-s, Thomas Goffus, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, e ka konsideruar Kosovën si partner joefektiv i sigurisë, duke vlerësuar gjithashtu se po rrezikon jetën e ushtarëve të aleancës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë përmes titullit, nuk qëndron. Kjo për faktin se Goffus në asnjë rast nuk ka dhënë një deklaratë të tillë. (këtu)
Faqja në Facebook me emrin “The Reis’ ka publikuar dje një video-material me mbishkrimin ‘Paris, Sheshi i Republikës. Franca ra” duke pretenduar ta paraqes atë si imazh i protestave aktuale që po ndodhin në Francë. Në video-material shihen disa qytetarë me flamur të shtetit të Algjerisë të mbledhur në sheshin “Republique” në Paris. Video-material është nga protestat e vitit 2019 pasi presidenti i atëhershëm algjerian Abdulaziz Bouteflika shpalli kandidaturën e tij për t’u zgjedhur president për herë të pestë. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “atdheulajm.com” ka publikuar një artikull me titull “Zvicra kërkon punëtorë – ja punët që kërkohen pa diplomë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk korrespondon me përmbajtjen. Në përmbajtje janë renditur pesë profesione në Zvicër, të cilat nuk kërkojnë diplomë, por që kanë kritere të tjera. Gjithashtu, në asnjë rast nuk përmendet se shteti zviceran ka shpallur konkurs për vende të lira pune në këto profesione, siç pretendohet përmes titullit. (këtu)
Mashtrim
Portali i dyshimtë “xnews7.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se një grua e moshës 43 vjeçare, nga kryeqyteti zviceran Bern, e quajtur Merita, është në kërkim të një lidhjeje dashurie. Gjatë verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se në postimin e këtij portali, pretendohet se gruaja në fjalë është shqiptare. Hibrid.info ka verifikuar fotografinë dhe ka vërtetuar se fotografia nuk i përket ndonjë gruaje shqiptare, por në fakt është fotografi e një shtetase të huaj. (këtu)
Faqja “Kredi personale” në Facebook ka publikuar sot (8 korrik) një postim me pretendim të rremë se ka organizuar trajnim për “menaxhim të riskut dhe raportit me klientë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky trajnim është organizuar nga institucioni mikro-financiar Kreditimi Rural i Kosovës (KRK). Kjo faqe është munduar që këtë trajnim ta paraqesë si organizim të sajin. (këtu)