kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (28 nëntor-3 dhjetor 2022): Përmbajtje të pa verifikuar për çmimin e bukës, lajme të rreme për lagje milionëshe në pronë të politikanëve, dezinformata ndërlidhur me Xhakën dhe Shaqirin, teori konspirative nga Zyra për Kosovën
Fakte për...

Rishikimi i javës (28 nëntor-3 dhjetor 2022): Përmbajtje të pa verifikuar për çmimin e bukës, lajme të rreme për lagje milionëshe në pronë të politikanëve, dezinformata ndërlidhur me Xhakën dhe Shaqirin, teori konspirative nga Zyra për Kosovën

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve “clickbait” në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Clickbait artikujt u ndërldihën me deklarata dhe lajme të vjetra të ri-publikuara si aktuale, si dhe artikuj me zhvillime që nuk kishin ndodhur në Kosovë.

Përmbajtje të pa verifikuar që rodhën nga deklaratat e Zyrës për Kosovën ndërlidhur me mbishkrimet UÇK; si dhe pretendime se çmimi i bukës do të ulet.

Lajme të rreme për një lagje në afërsi të Prishtinës që pretendohej se ishte pronë e politikanëve, si dhe për gjendjen shëndetësore të futbollistit, Xherdan Shaqiri.

Teori konspirative e Zyrës për Kosovës për vendosjen e flamujve kuq e zi në Kllokot, si dhe pretendimet e mediave serbe se Kurti po kërcënon me ushtri.

Dezinformata ndërlidhur me veprimet e Granit Xhakës dhe fotografi të Xherdan Shaqirit.

Përmbajtje e pa verifikuar

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në lidhje me mbishkrimin UÇK në rrugën për në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Artikulli është i bazuar në një reagim të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk ofron fakte konkrete për vendndodhjen dhe kryesit e veprës dhe pretendon se ky veprim po bëhet me qëllim të largimit të serbëve nga vendbanimet e tyre. (këtu)

Portali “FrontOnline.net” ka publikuar një artikull që lidhet me deklaratën e kryetarit të Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahi, i cili ka paralajmëruar zbritjen e çmimit të miellit. Por, portali i lartcekur këtë deklaratë të Zejnullahut e ka paraqitur si “rënie të çmimit të bukës”, e që domosdoshmërisht kjo nuk do të thotë që me rënien e çmimit të miellit, bie edhe ai i bukës. Gjithashtu, nuk ka asnjë burim tjetër që e mbështet këtë pretendim të bërë nga ky portal, qoftë ai i furrtarëve të Kosovës, apo ndonjë qëndrim zyrtar tjetër lidhur me këtë çështje. (këtu)

Lajm i  rremë

Portali i dyshimtë “mynews24hr.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2018, i cili kishte të bëjë me disa vila në afërsi të Tiranës, e që sipas mediumit “Pamfleti.net” ato u takojnë pushtetarëve shqiptarë, trafikantëve të drogës e kriminelëve të ndryshëm. Mirëpo, këtij artikulli, portali i dyshimtë “mynews24hr.com” i ka ndryshuar përmbajtjen e titullin, duke pretenduar rrejshëm se bëhet fjalë për një lagje në afërsi të Prishtinës, e vilat në këtë lagje u takojnë politikanëve kosovarë. (këtu)

Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar dje (1 dhjetor) një artikull me pretendimin se Xherdan Shaqiri është i lënduar, duke lënë të kuptohet se ai mund të mungojë në ndeshjen ndaj Serbisë. Këtë pretendim, këto portale nuk e bazojnë në asnjë fakt, si dhe nuk dihet burimi i këtij informacioni. Kjo është vërtetuar pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, pasi një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë medium i huaj apo në gjuhën shqipe. (këtu)

Teori konspirative

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në lidhje me vendosjen e flamujve kuq e zi në Kllokot, vendbanim me shumicë serbe. Zyra pretendon në mënyrë tendencioze se ky veprim është një përpjekje tjetër për të frikësuar popullin serb, si dhe një hap tjetër drejt krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. (këtu)

Mediumi serb “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se Kurti po kërcënon me ushtri. Artikulli bazohet në postimin në Facebook të kryeministrit të Kosovës për ceremoninë në Vlorë për nderë të ditës së flamurit. Kurti në deklaratën e tij nuk përfshinë ndonjë kërcënim me ushtri ndaj dikujt, por e thekson faktin se “me aleatët synohet mbrojtja e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë”. (këtu)

Clickbait

Portali i dyshimtë “Fakte.buzz” ka publikuar një artikull me një deklaratë të bërë nga zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa në fotografi ka vendosur portretin e kryeministrit Albin Kurti. Kjo lë vend për keqinformim te lexuesit, pasi disa prej tyre duket se kanë rënë pre e këtij veprimi, duke menduar se Kurti ka thënë se “Qeveria e Kosovës do t’i realizojë zotimet e Skënderbeut”. (këtu)

Portalet informative “Kosova-sot.info” dhe “Botasot.info” kanë publikuar një artikull të vjetër lidhur me suspendimin e një policeje. Megjithatë, në titull nuk qartësohet se në cilin shtet ka ndodhur ky suspendim. Artikulli i publikuar në “Botasot.info”, lajmin e qartëson vetëm në përmbajtje, ndërsa “Kosova-sot.info” nuk e bënë të qartë atë. (këtu)

Portali “Botasot.info” ka publikuar një artikull lidhur me vrasjen e një mjeku italian në Sicili. Megjithatë, në titull ky medium nuk e qartëson se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Pamfleti.com” ka publikuar një artikull me titull “‘Trazira’ brenda PDK-së!/ Pas dorëheqjes së Ramë Bujës paralajmërohen edhe disa largime të reja!”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky artikull është i vjetër, të cilin kjo faqe është munduar ta paraqesë si aktual. (këtu)

Dezinformatë

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj me pretendimin se futbollisti i kombëtares së Zvicrës me origjinë Shqiptare, Granit Xhaka, ka veshur fanellën me mbishkrimin Jashari duke aluduar në mbiemrin komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Xhaka këtë veprim e bëri pas ndeshjes Zvicër-Serbi në kuadër të kampionatit botëror “Katar 2022”. Përkundër pretendimeve të mediave serbe, Xhaka deklaroi se këtë veprim e kishte në përkrahje të futbollistit të ri të kombëtares së Zvicrës me origjinë shqiptare, Ardonit Jashari të cilit i kishte premtuar se do ta vishte fanellën nëse e fitojnë ndeshjen. (këtu)

Disa media në gjuhën shqipe në llogarinë e tyre në Facebook kanë postuar një fotografi ku shihen futbollisti i kombëtares së Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe ai i Serbisë, Aleksandar Mitroviq duke diskutuar. Koha (gjatë zhvillimit të ndeshjes, rreth orës 21) kur është postuar kjo fotografi ka ngritur dilemën se ky diskutim ka ndodhur në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë (2 dhjetor) ndërmjet këtyre dy kombëtareve. Hibrid.info, pas verifikimit të bërë ka gjetur se fotografi është nga ndeshja e zhvilluar në kuadër të kampionatit botëror “Rusia 2018”. (këtu)

Exit mobile version