kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (30 dhjetor-4 shkurt 2023): dezinformata rreth veriut, clickbait artikuj për shpallje dhe çmime; mashtrime me lojë shpërblyese dhe shitje banesash
Fakte për...

Rishikimi i javës (30 dhjetor-4 shkurt 2023): dezinformata rreth veriut, clickbait artikuj për shpallje dhe çmime; mashtrime me lojë shpërblyese dhe shitje banesash

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve me përmbajtje clickbait në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Përmbajtjet clickbait kishin të bënin me shpallje për vende pune, çmim të karburantëve, vetëvrasje e vrasje nga policia, por që ishin lajme të vjetra apo që nuk kishin të bënin me Kosovën.

Artikujt dezinformuese ndërlidheshin me temat si, ndalimi i Coca Cola-s, për të shtëna dhe shpërthimin e një konflikti në veri.

Përmbajtjet mashtruese kishin të bënin me lojë shpërblyese duke përdor imazhin e Halil Kastratit, shitje banesash dhe votimin në Big Brother Vip Albania.

Teori konspirative lidhur me logon e Pepsi-t, emrin e kompanisë Balenciaga dhe karakteret e filmit të animuar “Minions”.

Përmbajtje e pa verifikuar lidhur me pretendimin se Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, ka përgatitur një listë me gjashtë pika ndëshkuese ndaj kryeministrit Kurti për mos themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Manipulim i fakteve në artikullin për një incident në Mogillë të Kllokotit, duke pretenduar ta paraqesin si një sulm ndaj një qytetari të komunitetit serb të motivuar nga, siç aludojnë, “urrejtja dhe histeria anti-serbe e nxitur nga regjimi i Kurtit”.

Clickbait

Disa faqe në Facebook kanë publikuar më 29 janar një konkurs për një vend të lirë pune të shpallur nga Kampi Bondsteel. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky konkurs është i vjetër, i publikuar në nëntor të vitit 2022. Ndërsa faqet e lartcekura janë munduar ta paraqesin atë si aktual. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me ndryshimin e çmimit të karburanteve në Shqipëri. Mirëpo në titull nuk ka qartësuar se për cilin shtet bëhet fjalë, duke lënë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me Kosovën. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një studente që ka bërë vetëvrasje në banjon e universitetit. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovën. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me vrasjen e një 28 vjeçari nga ana e policisë. Në përmbajtje bëhet e ditur se ngjarja kishte ndodhur në Ohio të SHBA-së, ndërsa kjo nuk bëhet e ditur në titull duke lënë hapësirë të mendohet se ngjarja mund të ketë ndodhur në Kosovë. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes në titull dhe as në fotografi. Kjo mund që, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovën. (këtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë “truenewsq.com” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2018, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual. Lajmi i vitit 2018 kishte të bëjë me mos lejimin e futjes së produkteve të Coca Cola-s nga Serbia në Kosovë. Siç duket portali i dyshimtë është munduar që këtë artikull ta ndërlidhë me fushatën për bojkotin e produkteve serbe në Kosovë, që është duke u zhvilluar aktualisht. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull të vjetër të muajit nëntor 2022 lidhur me raportimin për të shtëna armësh në veri të Mitrovicës. Këto faqe janë munduar që këtë ngjarje të vjetër ta paraqesin si aktuale. (këtu)

Disa faqe në median sociale Facebook kanë publikuar artikuj lidhur me veriun e Kosovës. Në njërin artikull pretendohet se gazeta italiane “La Repubblica” ka paralajmëruar shpërthim të konfiktit në Kosovë, ndërsa në artikullin tjetër flitet për disa persona të maskuar që kanë shtënë me armë zjarri në veri duke brohoritur “U kthye, Kosova është Serbi”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se të dy këta artikuj janë të vjetër, që flasin për ngjarje të muajit nëntor (2022). (këtu)

Mashtrim

Një faqe në median sociale Facebook me emrin “𝕳𝖆𝖑𝖑𝖎𝖑 𝕶𝖆𝖘𝖘𝖙𝖗𝖆𝖙𝖙𝖎” dhe me fotografi të drejtuesit të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, ka publikuar një video material të gjatë 90 minuta, duke pretenduar se, Halil Kastrati përmes një video-paraqitje të drejtpërdrejtë, po paralajmëron një shpërblim për audiencën. Videoja është e ndarë në dy kënde: në këndin e majtë shihet Halil Kastrati duke folur për aktivitetet e shoqatës, kurse në pjesën e djathtë një fotografi tabelare me disa kuaj dhe ku shkruan, “Unë do të dhuroj 5000 € në para për 500 personat që e marrin me mend saktë kalin pa kokë në foto! Dhe është e vërtetë”. Hibrid.info ka verifikuar këtë video-material, i cili është vërtetuar se është i vjetër i vitit 2020 dhe nuk ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese, siç pretendohet. (këtu)

Portali i dyshimtë “truenewsq.com” ka publikuar një shpallje të rreme për shitjen e një banese me çmim dhe përmbajtje të rreme. Gjithashtu, edhe imazhi i përdorur në këtë artikull i përket një apartamenti në Greqi, që lëshohet me qira përmes platformës online “Booking.com”. (këtu)

Portali i dyshimtë “truepostnew.com” ka publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje gjendet vegëza për të votuar për të nominuarit e spektaklit televiziv “Big Brother Vip Albania”. Kjo vegëz të dërgon në platformën online “Youtube”, dhe pasi të klikosh në të nuk shfaqet asnjë video, por thuhet se video-materiali është fshirë nga përdoruesi. Gjithashtu, bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se nuk ka mundësi që të votohet online për të nominuarit në këtë spektakël televiziv dhe se e vetmja mënyrë është përmes mesazheve telefonike (SMS). (këtu)

Teori konspirative

Llogari në “Tik Tok” që shpërndanë përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë hedhur pretendimin se logo e pijes së gazuar “Pepsi” nëse kthehet kokë poshtë krijon fjalën “isded” që në shqip do të thotë i vdekur. Ky pretendim është gjetur edhe në disa llogari në gjuhën angleze, që ngritin të njëjtën teori. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se fjala Pepsi rrjedh nga greqishtja e vjetër “pépsis” që ka kuptimin “gatim , fermentim ose tretje”, në bazë të së cilës është quajtur enzima “pepsin” që përdorët si përbërës në formulën e pijes. (këtu)

Një llogari në “Tik Tok” ka publikuar një video-material me pretendim se emri i firmës “Balenciaga” ka kuptimin “Mbreti Baal”, i cili përshkruhet si një mbret me fuqi për t’i bërë njerëzit e padukshëm dhe i cili sundon legjione demonësh. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se “Balenciaga” ka marrë emrin nga krijuesi i saj, Cristóbal Balenciaga Eizaguirre. (këtu)

Një llogari në “Tik Tok” ka publikuar një video-material me pretendim se karakteret e filmit të animuar “Minions” janë bazuar në një fotografi të “fëmijëve hebrenj të torturuar nga nazistët gjatë Holokaustit”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se imazhi i përdorur nga kjo llogari në “Tik Tok” nuk paraqet fëmijët hebrenj, siç pretendohet, por zhytësit profesionalë me veshjet/pajisjet e zhytjes rreth vitit 1909. (këtu)

Gabim

Portali i dyshimtë “televizioni-24.com” ka publikuar një artikull lidhur me futbollistin serb të Milan-it, Marko Lazetiq, i cili ka refuzuar të transferohet te skuadra shqiptare Partizani. Mirëpo, portali i dyshimtë në këtë artikull duket se ka vendosur gabimisht imazhin e ish-futbollistit italian të Milan-it, Pietro Pellegri. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa media në gjuhën serbe kanë hedhur pretendimin se Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, ka përgatitur një listë me gjashtë pika ndëshkuese ndaj kryeministrit Kurti për mos themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Siç pretendohet, nga disa mediume në gjuhën serbe, gjashtë pikat kanë të bëjnë me prefiksin telefonik, kontrollin e vendkalimeve kufitare, mohim i plotë i mbështetjes financiare nga perëndimi, ngrirja e procedurës për liberalizimin e vizave dhe mbajtja peng anëtarësimi në BE. Për pretendimin e mësipërm mediumet në gjuhën serbe nuk ofrojnë burime në të cilat do ta mbështetësinë pretendimin e bërë. Po ashtu, në deklaratat e përfaqësuesve amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, nuk bëhet fjalë për masa ndëshkuese për mos themelimin e këtij asociacioni. (këtu)

Manipulim i fakteve

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull për sulm ndaj një qytetari serb në Mogillë të Kllokotit, duke pretenduar ta paraqesin si të motivuar nga, siç aludojnë, “urrejtja e nxitur dhe histeria anti-serbe nga regjimi i Kurtit”. Pretendimet bazohen në reagimet e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, subjekti politik serb Lista Serbe (Srpska Lista) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në raportin e Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se incidenti në fjalë ka ndodhur si pasojë e një përleshjeje në mes dy qytetarëve (njëri shqiptar, tjetri serb), pas një mosmarrëveshjeje të çastit, rreth një kafshe shtëpiake (qeni). (këtu)

Exit mobile version