kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (8-13 maj 2023): pretendime të paqena për Nënën Terezë, fotografi e montuar e Kurtit me Koshtunicën, dezinformatë nga LVV
Fakte për...

Rishikimi i javës (8-13 maj 2023): pretendime të paqena për Nënën Terezë, fotografi e montuar e Kurtit me Koshtunicën, dezinformatë nga LVV

Artikujt dezinformues dhe lajmet e rreme kanë dominuar ekosistemin keqinformues në javën që shkoi në Kosovë. Lajmet e rreme kishin të bënin me pretendime të paqena për Nënën Terezë, për diskualifikimin e Serbisë në Eurovision dhe për shfaqjen e një pandemie të re.

Dezinformatat kishin të bënin me fotografi të montuar më pretendimin se Kurti është takuar më Koshtunicën; fotografi me pretendimin se gruaja afër Tito-s është nëna e Berat Buzhalës, dhe një njoftimi i LVV-së me anë të së cilës ka pretenduar se “4.2 miliardë euro përfiton Kosova nga programi i BE-së ‘Tregu i Përbashkët’”.

Përmbajtje mashtruese lidhur me dhënien e kredive, shitjen e banesave dhe kërkim të një lidhje dashurie me imazhe të grave të huaja.

Teori konspirative lidhur me pretendimet për një sërë planesh për botën, të planifikuara nga takimi i fundit (16 qershor 2021) i presidentit të SHBA-ve, Joe Biden me presidentin rus, Vladimir Putin; si dhe pretendime nga mediat në gjuhën serbe se Kurti po përgatit incidente në Veri.

Përmbajtje e pa verifikuar lidhur me ndërtuesit e objektit të Muzeut Kombëtarë të Kosovës; dhe se një avion i “Air Albania” është kapluar nga flaka.

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok me emrin “juliaalbanesi” ka publikuar një video-material që tregon për një artikull të gazetës gjermane, “Die Welt”, mbi Nënën Terezë. Mirëpo, në përmbajtje pretendohet rrejshëm se, në shkrimin e gazetës gjermane, “Die Welt”, Nënë Tereza akuzohet për trafikim të fëmijëve. Pas hulumtimit të Hibrid.info është vërtetuar se artikulli i “Die Welt” në të cilin është bazuar ky postim i “juliaalbanesi” nuk e ka të njëjtën përmbajtje,  pra nuk ngritët pretendimi për trafikim të fëmijëve nga Nënë Tereza. (këtu)

Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se Serbia është diskualifikuar nga gara në festivalin evropian të këngës “Eurovision”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga këto portale, nuk qëndron. Në ueb-faqen zyrtare të Eurovision-it, bëhet e qartë se Serbia ka kaluar në finale. (këtu)

Llogaria në TikTok, me emrin “lumjanana009”, ka publikuar, një video-material, në të cilin pretendohet për ekzistimin e një virusi aktual, i cili vlerësohet si i rrezikshëm. Në përmbajtje pretendohet për një pandemi të quajtur “Axar” e cila, siç shkruhet, ka arritur në Kinë dhe që, sipas këtij pretendimi, do të marrë jetën e miliona njerëzve. Në video-material shihet një imazh i marrë nga mediumi shqiptar “Top Channel”, ku tregohet për virusin e rrezikshëm në Kinë që ka marrë jetën e 17 personave. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se pretendimet për një virus me emrin “Axar” janë të paverifikueshme, ndërsa imazhi i marrë nga “Top Channel”, është i fillimit të periudhës së shfaqjes së virusit “Covid-19”. (këtu)

Mashtrim

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “popularnews71.net” ka publikuar dy artikuj me pretendimin se një grua nga Tirana dhe një tjetër nga Prizreni, janë në kërkim të një lidhje dashurie. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se fotografitë në këta dy artikuj paraqesin imazhin e grave të huaja, e jo shqiptare, siç pretendohet rrejshëm nga portali i dyshimtë “popularnews71.net”. (këtu)

Portali i dyshimtë “freshnews213.com” ka publikuar një shpallje të rreme për shitjen e një banese. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo shpallje është e rreme. Gjithashtu, është gjetur shpallja me fotografinë e kësaj banese, e cila nuk është në shitje, por lëshohet me qira. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “financimi” me datë 30 prill ka publikuar një postim me pretendim se jep kredi për blerje të shtëpisë, makinës, me interes prej 2%. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërejtur se në seksionin e informacioneve rreth veprimtarisë (about) në faqen “Kredi personale” nuk ka asnjë të dhënë që dëshmon kredibilitetin apo besueshmërinë dhe transparencën. (këtu)

Teori konspirative

Në median sociale “TikTok” është publikuar një video-material me mbishkrimin “Pandemia Axar në 2024” nga llogaria me emrin “lumjanana009”, në të cilin pretendohet për një sërë planesh për botën, të planifikuara nga takimi i fundit (16 qershor 2021) i presidentit të SHBA-ve, Joe Biden me presidentin rus, Vladimir Putin. Video-materiali pretendon se si rezultat i takimit të liderëve të SHBA-ve dhe të Rusisë, u planifikua lufta në Ukrainë, përdorimi i armëve biologjike në Evropë si dhe zhdukja e 20 mijëra çeçenëve. Mirëpo hibrid.info ka arritur të vërtetojë se pretendimet e paraqitura në këtë video-material janë të pa verifikuara dhe si të tilla nuk qëndrojnë. (këtu)

Mediumi në gjuhën serbe ”Alo.rs”,  ka publikuar një artikull me pretendimin se Albin Kurti do të tentojë të shkaktojë incidente të mëdha në veri të Republikës së Kosovës më 28 maj. Edhe mediumi rus Russia Today, në shërbimin në gjuhën serbe ka publikuar një artikull dje (9 maj) me titullin, “Kurti kërcënon Mitrovicën se do ta përsërisë pogromin (çrrënjosjen e serbëve)”, duke pretenduar se më 28 maj Albin Kurti dhe regjimi i tij mund të provokojnë incidente të mëdha, ku pjesëtarët e njësisë speciale të policisë së Kosovës do të intervenojnë. Për këto pretendime si mediumi “Alo.rs” po ashtu edhe mediumi rus nuk ofrojnë ndonjë fakt konkret apo burim kredibil. (këtu)

Dezinformatë

Disa llogari në Facebook kanë publikuar një fotografi në të cilën paraqitet figura e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe të ish-politikanit serb, Vojisllav Koshtunica. Në këtë fotografi është vënë mbishkrimi “Albin Kurti Agjent Sërbë ,ja e vërteta”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se kjo fotografi është e montuar. Në imazhin origjinal gjendet ish-politikani serb Vojisllav Koshtunica së bashku me ish-gjeneralin serb, Vladimir Lazareviq. Pra, autori i kësaj fotografie të montuar ka larguar figurën e Lazareviqit, duke e zëvendësuar atë me kryeministrin Kurti. (këtu)

Një llogari në Facebook ka publikuar një fotografi në të cilën pretendohet se personi i shfaqur në imazh, në krahun e majtë të ish-liderit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito-s, është nëna e gazetarit, Berat Buzhala. Në përmbajtje pretendohet po ashtu se në fotografi janë të paraqitura edhe nënat e dy gazetarëve tjerë, Halil Matoshit dhe Nexhmedin Spahiut, por që në të njëjtin shkrim, thuhet se një pretendim i tillë është mohuar nga vet gazetarët. Mirëpo, hibrid.info pasi ka kontaktuar gazetarin, Berat Buzhala, ky i fundit ka mohuar pretendimin që personi në fotografi është nëna e tij. (këtu)

pretenduar se “4.2 miliardë euro përfiton Kosova nga programi i BE-së ‘Tregu i Përbashkët’”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk qëndron. Kjo për faktin se shuma prej 4.2 miliardë euro, është vlera e buxhetit për shtatë vite për të gjitha vendet pjesëmarrëse. Megjithatë, këtë njoftim, LVV e ka larguar (fshirë) nga faqja, duke e përmirësuar atë. Në njoftimin e ri ndër të tjerash thuhet “Kosova bëhet përfituese e programit të BE-së ‘Tregu i Përbashkët’, që kap vlerën totale të 4.2 miliardë eurove”. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Në rrjetin social Facebook është publikuar një përmbajtje ku pretendohet se objekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës është ndërtuar nga austriakët, rreth vitit 1880. Postimi përmban një fotografi të objektit të Muzeut Kombëtarë të Kosovës më një mbishkrim cirilik, por pa vitin e realizimit të kësaj fotografie. Bazuar në hulumtimin e bërë dhe referencat kredibile të siguruara nga hibrid.info del që pretendimi se objekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës është ndërtuar nga Austriakët nuk qëndron. Më saktësisht objekti është ndërtuar nga Perandoria Osmane si ndërtesë e Qeverisë në Prishtinë me stil neo-barok. (këtu)

Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se një avion i “Air Albania” është kapluar nga flaka. Këto portale e kanë ngritur këtë pretendim duke iu referuar një videoje të realizuar nga “Report TV”. Megjithatë, në video-materialin e publikuar nga “Report TV” nuk thuhet se avioni është kapluar nga flakët, por bëhet fjalë për një pajisje. (këtu)

Exit mobile version