kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (15-20 maj 2023): përmbajtje e gabuar rreth çmimit të energjisë elektrike, dezinformata nga mediat serbe dhe teori konspirative nga zyrtari serb, video-materiale të rreme në TikTok
Fakte për...

Rishikimi i javës (15-20 maj 2023): përmbajtje e gabuar rreth çmimit të energjisë elektrike, dezinformata nga mediat serbe dhe teori konspirative nga zyrtari serb, video-materiale të rreme në TikTok

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues në Kosovë.

Artikujt clickbait kishin të bënin me ngjarjen dhe zhvillime që nuk kishin të bënin me Kosovën, për vrasje, arrestim të futbollistit të kombëtares për ryshfet, paralajmërim ndaj Vuçiqit nga ana e SHBA-së.

Përmbajtje mashtruese në TikTok me publikimin e një video-materiali të rremë, ku shihet kryeministri Edi Rama me syrin e tij të majtë, të nxirë.

Lajm i rremë me pretendimin se ka ndërruar jetë George Soros; dhe një video-material të rremë, ku shihen persona të besimit islam, teksa hedhen në det, për t’u vrarë.

Përmbajtje e gabuar në mediat shqipe rreth çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Teori konspirative nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq se Albin Kurti po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore.

Përmbajtje dezinformuese me pretendimin se mediat e afërta me Albin Kurtin po e sulmojnë Serbinë dhe mbështesin protestat e opozitës në Serbi.

Clickbait

Portali “Koha.net” ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook, një artikull me titull “Një burrë vret të dashurën pasi ajo aborton”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm pasi të klikohet artikulli, në të titullin e së cilit më pas shpjegohet se ngjarja ka ndodhur në SHBA. Ky portal që vepron në Kosovë, duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, nga ky portal, shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se vrasja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

Portali informativ “Demokracia.com” ka publikuar një artikull me titull “Skandaloze, arrestohet futbollisti i kombëtares për ryshfet!”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në këtë përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk tregon se për futbollistin e cilës kombëtare bëhet fjalë. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Lojtari i Kombëtares së Koresë së Jugut, Son Jun-Hou, u arrestua në Kinë me dyshimin se kishte marrë para, supozohet se ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes”. Duke pas parasysh se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë, kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ndonjë futbollist kosovar. (këtu)

Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Ja pamjet se cfare zbuluan shkenctaren ne cernobil, do te mbeteni pafjal pasi ti shikoni..(VIDEO)”. Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një përmbajtje gjysmake në lidhje me disa pajisje radioaktive të gjetura në qytetin e Çernobilit, pas aksidentit bërthamor që ndodhi më 26 prill 1986 në reaktorin bërthamor Nr.4 në Centralin Bërthamor të Çernobilit.  Përveç këtij informacioni, në përmbajtje gjendet një fotografi e marrë nga një kanal në Youtube, e që në këtë imazh paraqitet një gjallesë e madhe në formë oktapodi. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, është vërtetuar se imazhi që paraqet një oktapod gjigand, nuk është real, por i punuar nga një artist i quajtur Louis Le Roy. (këtu)

“Demokracia.com” ka raportuar për një veturë të blerë nga Komuna e Junikut, por në titullin e këtij artikulli ka pretenduar se ajo është blerë nga kryetari i këtij institucioni, Ruzhdi Shehu. Mirëpo, edhe në dosjen e këtij tenderi, si blerës figuron emri i Komunës së Junikut, e jo i kryetarit të saj, siç pretendohet përmes titullit. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Shoferi kishte pirë drogë, makina bie në liqen, vdes një fëmijë dhe dy vajza”. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli nuk qartëson se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje. Duke e ditur se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se kjo ngjarje ka ndodhur në vendin tonë. (këtu)

Disa mediume online në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “SHBA paralajmëron Vuçiqin: Kujdes me provokimet ndaj Kosovës”. Artikulli i referohet një bisede telefonike të Derek Chollet, këshilltar special i Departamentit të Shtetit, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Hibrid.info ka vërtetuar se ndryshe nga siç pretendohet në titull, këshilltari special, Chollet në bisedën telefonike me presidentin serb, ka kërkuar nga të dy palët e përfshira në dialogun e Brukselit, Kosovës dhe Serbisë, të shmangin provokimet në veri. (këtu)

Mashtrim

Llogaria “paterioti” në TikTok ka publikuar një video-material të rremë, ku shihet kryeministri Edi Rama me syrin e tij të majtë, të nxirë. Në video-material është ndërhyrë në imazhin e Ramës, duke bërë që syri i majtë i kryeministrit shqiptar, të duket i mavijosur. Hibrid.info, për ta vërtetuar se video në fjalë është mashtrim (deep fake), ka gjetur videon autentike në të cilën kryeministri Rama shfaqet pa ndërhyrje në imazhin e tij. (këtu)

Lajm i rremë

Në media sociale janë shpërndarë postime që pretendojnë rrejshëm se ka ndërruar jetë George Soros. Ky pretendim është shpërndarë së pari nga një profil në Twitter, që mbanë emrin “Cillian” më 14 të këtij muaji. Përpos që ky pretendim ishte i rremë, i njëjti është kundërshtuar nga vet Soros. Pretendimi në postim është bërë në gjuhën angleze dhe përmban një postim që synon të duket si “një lajm i fundit” i rëndësisë së lartë. Pretendimi i rremë për vdekjen e George Soros është publikuar edhe në disa media në gjuhën shqipe. Ndonëse mediat që publikuan atë, përmes përmbajtjes paraqitën si pretendim të rremë, në titujt e artikujve, ngritin dilemën për vërtetësinë e tij, duke përfunduar pretendimin me pikëpyetje. (këtu)

Llogaria “drilonche” në TikTok ka publikuar një video-material të rremë, ku shihen persona të besimit islam, teksa hedhen në det, për t’u vrarë. Videoja e shfaqur nuk është e plotë dhe është e shkëputur nga një video tjetër. Hibrid.info ka arritur të vërtetojë se videoja tjetër e plotë, tregon stërvitjet e forcave speciale kamboxhiane. (këtu)

Lajm i rremë/dezinformatë

Llogaria “lagraqsaqi” në TikTok ka publikuar video-materiale, në të cilat pretendohet se ish-liderë politikë në vendin tone, kanë pritur në takim nënkryetarin e Listës serbe, Milan Radojçiq. Në këto video-përmbajte shfaqen imazhe të takimeve mes ish-liderëve politikë me personin që, sipas pretendimit të këtyre postimeve, është Millan Radojçiq, i sanksionuar nga SHBA-të, njëkohësisht i kërkuar edhe nga drejtësia e Kosovës. Figurat politike që paraqiten në këto imazhe janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar, se personi që shihet në imazhet e video-materialeve, është Adem Hoxha, deputet i komunitetit goran, në Kuvendin e Kosovës. (këtu)

Gabim

Portali informativ “GazetaDemos.com” ka publikuar një artikull me titull “’Askund në Evropë çmimi i energjisë elektrike nuk është kaq i lartë sa në Kosovë’”. Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një intervistë e shkurtër e realizuar nga ky portal me ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliut, i cili ka folur rreth çmimit të energjisë elektrike në Kosovë. Mirëpo, duket se autori i artikullit, nuk e ka interpretuar në mënyrë korrekte bashkëbiseduesin pasi që, nga ajo që kuptohet në përmbajtje të artikullit, Gërxhaliu nuk është shprehur se “askund në Evropë çmimi i energjisë elektrike nuk është kaq i lartë sa në Kosovë”, siç pretendohet përmes titullit. (këtu)

Teori konspirative

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, me 14 maj në emisionin “Novo Jutro” (Mëngjesi i ri) ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht katër komunat veriore. Ai ka pretenduar pa fakte se Kurti ka një plan që më 28 maj t’i marrë fizikisht ato komuna, t’i rrëzojë të gjitha simbolet serbe dhe të hyjë në një konfrontim me shumicën absolute të popullatës. Të gjitha këto pretendime, Vuçeviq i ngrit duke mos i bazuar në asnjë fakt. (këtu)

Dezinformatë

Medium në gjuhën serbe “informer.rs” ka publikuar dje një artikull me pretendimin se mediat e afërta me Albin Kurtin po e sulmojnë Serbinë dhe mbështesin protestat e opozitës në Serbi. “Informer.rs” këtë pretendim e ngrit duke u bazuar në raportimin lidhur me reagimin e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq kundrejt opozitës serbe. Pas hulumtim të bërë është gjetur se pretendimi është i pa bazë. (këtu)

Exit mobile version