kosovofacts Blog Fakte për... Rishikimi i javës (9-14 janar 2023): Dezinformata nga Vuçiq dhe Bërnabiq, mashtrim me video të Rita Orës, clickbait artikuj pa sqarime në tituj
Fakte për...

Rishikimi i javës (9-14 janar 2023): Dezinformata nga Vuçiq dhe Bërnabiq, mashtrim me video të Rita Orës, clickbait artikuj pa sqarime në tituj

Dezinformatat dhe clickbait artikujt zunë hapësirën më të madhe në sferën keqinformuese në Kosovë gjatë javës që shkoi. Artikujt dezinformues kishin të bënin me pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për tërheqje të njohjeve dhe kryeministres së po këtij shteti, Ana Bërnabiq se Interpoli ka mbyllur dyert për Kosovën.

Përmbajtje e pa verifikuar me pretendimin se “Balenciaga” ka prodhuar disa “shapka me gisht” në formë të shishes plastike.

Artikuj mashtrues lidhur me fotografi të grave të huaja, të cilat janë paraqitur përmes artikujve që pretendonin t’i paraqisnin si shqiptare nga Kosova, të cilat janë në kërkim të një lidhje dashurie, si dhe një video të këngëtares Rita Ora me pretendimin të paraqitet si një ftesë për një aktivitet shpërblyes.

Manipulim i fakteve lidhur me pretendimin se arrestimi i dy qytetarëve të komunitetit serb të arrestuar në Kllokot, për të shtëna me armë zjarri në ajër gjatë festimit të Krishtlindjeve Ortodokse serbe, paraqet qëllimin për dëbimin e serbëve nga vendbanimet.

Artikuj clickbait të cilët, nga titujt, nuk i sqarojnë rrethanat e  ngjarjes (vendi apo koha) për informata lidhur me shkarkimi i presidentit të Federatës së Futbollit, vdekjen e një personi nga një sulm i qenve dhe tema tjera.

Dezinformatë

Portali i dyshimtë “Blicalb.com” ka publikuar një artikull të vitit 2017, në të cilin thuhej se “Agjencia e lajmeve ‘Presheva Jonë’ duke ju referuar burimeve nga shoqatat e asociacioneve të komuniteti shqiptar ne Zvicër ka mësuar se 2700 te rinj nga 26 kantonet e Zvicrës kanë shprehur dëshirën te veshin uniformën ushtarake, që në bazë vullnetare të shkojnë në Kosovë te mbrojnë vendin e tyre ne rast sulmi nga Serbia. Mirëpo, këtë artikull të vjetër, ky portal i dyshimtë është munduar ta paraqesë si aktual, duke i vënë edhe titull të sajuar me pretendimin se shqiptarët nga Zvicra janë shprehur të gatshëm të veshin uniformën e UÇK-së. (këtu)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ofron informacione zyrtare diplomatike (nota diplomatike) për të vërtetuar pretendimet e bëra, për tërheqje të njohjeve. Po ashtu, MPJD ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë njoftim në institucionet zyrtare diplomatike të Kosovës për tërheqjen e njohjeve. Përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, këtyre ditëve kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e shteteve të Somalisë, Libisë, Eswatinit, Gabonit, Guinea dhe Maldiveve, në nivelin e thellimit të zhvillimit të bashkëpunimit ndërshtetërorë dhe vazhdimin e marrëdhënieve bilaterale. Krahas kësaj, Hibrid.info, ka hulumtuar në ueb-faqet zyrtare të ministrive të punëve të jashtme të shteteve të cekura si tërheqëse të njohjes së Kosovës dhe nuk ka gjetur ndonjë informacion apo deklaratë publike rreth tërheqjes së njohjes së Kosovës. (këtu)

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar të mërkurën (11 janar) një artikull me një deklaratë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila pretendon se Interpoli i ka mbyllur dyert Kosovës. Ajo tha se kishte marrë garanci nga presidenti i Interpol-it, Ahmed Nasser al Raisi, se aplikimi potencial i Kosovës për anëtarësim Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, nuk do të jetë në rend dite gjatë mandatit të tij. Ky pretendim është demantuar nga Zyra për Shtyp e Interpolit në një përgjigje për tëvë1.info. Nga Interpoli kanë thënë se në atë takim nuk është adresuar çështja e ndonjë aplikimi potencial për anëtarësim. (këtu)

Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull të vjetër të janarit 2022, në të cilin thuhej se qyteti i Korçës kishte temperaturat më të ulëta që shkonin deri në -18 gradë celsius. Këto portale të dyshimta, janë munduar që këtë artikull të vjetër ta paraqesin si aktual. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me pretendimin se “Balenciaga” ka prodhuar disa “shapka me gisht” në formë të shishes plastike. Ky artikull është publikuar në muajin shtator nga disa mediume online në gjuhën shqipe, të cilat këtë pretendim e kanë paraqitur si të mirëqenë. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo nuk është e vërtetë dhe se ky imazh është vetëm një krijim i stilistit rus, Max Arnautov, i cili është shprehur se kjo është vetëm një ide qesharake e tij. (këtu)

Mashtrim

Portali i dyshimtë “infospostmedia.com” ka publikuar artikuj të sajuar me fotografi të grave të huaja, të cilat i ka paraqitur si shqiptare nga Kosova, të cilat janë në kërkim të një lidhje dashurie. Këta artikuj të sajuar, më pas janë shpërndarë në Facebook nga faqja “Gazeta Globale”. Hibrid.info pas verifikimit të kryer, ka vërtetuar se këto fotografi nuk u takojnë grave kosovare, por janë të personaliteteve të huaja. (këtu)

Një faqe në Facebook me emrin “Ritaa Ora’” ka publikuar një video të këngëtares Rita Ora me pretendimin ta paraqesë atë si thirrje për një aktivitet shpërblyes. Në përshkrimin e këtij materiali shkruan “Do të bëj një dhuratë surprizë për 350 personat e parë që më përshëndesin. Ndërsa në anën tjetër të këtij materiali shihet një video pamjet e së cilës paraqesin makinë që bënë numërim parash (euro). Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura dhe ka vërtetuar se video e Rita Orës është e vitit 2017 në të cilën ajo kishte biseduar me komentuesit në një paraqitje të drejtpërdrejtë përmes Instagramit për tema të ndryshme që variojnë bazuar në pyetjet në komente. Ndërsa video-materiali tjetër është gjetur i publikuar në Youtube më 23 mars 2021, e cila mban përshkrimin ” Duke numëruar 100 mijë euro me kartëmonedha me vlerë 100 dhe 200”. (këtu)

Clickbait

Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur shkarkimi i presidentit të Federatës së futbollit, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Francë. Ky portal informativ i cili vepron në Kosovë dhe lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Federatën e futbollit të Kosovës. (këtu)

Portali “Arbresh.info” ka publikuar njoftimin e IKSHPK-së, e cila ka bërë thirrje te qytetarët që të bartin maska si masë anti-Covid në ambientet e mbyllura. Mirëpo, në titull nuk sqarohet se kjo thirrje e IKSHPK-së për bartje të maskës ka të bëjë vetëm me ambientet e mbyllura, duke lënë vend për keqinformim të lexuesit, se maska duhet të mbahet edhe në hapësira publike. (këtu)

Portali informativ “Indeksonline” ka publikuar një artikull me titull “Kryetari i një partie deklarohet kundër dërgimit të Policëve në Veri!”. Artikulli ka të bëjë me deklaratën e Kryetarit të Partisë Liberale Egjiptiane në Kosovë, Veton Berisha, i cili, në një postim në Facebook, ka thënë se nuk duhet dërguar policë të komunitetit egjiptian në Veri, sepse atje nuk ka asnjë egjiptian. Mirëpo, në titull nuk sqarohet se kjo deklaratë ka të bëjë vetëm për komunitetin egjiptian, duke lënë vend për keqinformim të lexuesit, se bëhet fjalë për Policinë e Kosovës në përgjithësi. (këtu)

Portalet informative “Insajderi.org” dhe “Kosova-sot.info” kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues që nuk e qartësojnë vendndodhjen e ngjarjes. “Insajderi.org” më 13 janar ka publikuar artikullin me titull “Vdes 20-vjeçarja pasi sulmohet nga shtatë qen”. Portali tjetër informativ “Kosova-sot.info” të enjten (12 janar) ka publikuar artikullin me titull përgjithësues “Arrestohet pasi vodhi pasagjerët në aeroport”. Këto portal të lartcekura të cilat veprojnë në Kosovë dhe lexuesit parësor i kanë nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhen fjalë këto lajme, shumë lehtë mund t’i dezinformojnë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarjet kanë ndodhur në Kosovë. (këtu)

Manipulim i fakteve

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull më pretendimin se arrestimi i dy qytetarëve të komunitetit serbë të arrestuar në Kllokot të Gjilanit, për të shtëna më armë në ajër gjatë festimit të Krishtlindjeve Ortodokse, paraqet qëllimin për dëbimin e serbëve nga vendbanimet. Artikulli bazohet në komunikatën e Zyrës për Kosovën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila, rastin e arrestimit e interpreton si ushtrim të presionit ndaj serbëve me qëllim dëbimin nga shtëpitë e tyre. Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy qytetarë të komunitetit serb (nga 3 të dyshuar) janë arrestuar për armëmbajtje pa leje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës. (këtu)

Exit mobile version