kosovofacts Blog BallinaBottom Shpella e Gadimes – atraksioni i jashtëzakonshëm natyror
BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Për udhëtimin

Shpella e Gadimes – atraksioni i jashtëzakonshëm natyror

Përgatiti: Endrit Berisha

Shpella e Gadimes është shpella më e famshme në Kosovë. Me lokacion në fshatin Gadime e Ulët në Komunën e Lipjanit, kjo shpellë ishte zbuluar nga banori Ahmet Asllani në vitin 1967.

Për shkak të vlerave të mëdha, stolive, dukurive shpellore interesante e pozitës së përshtatshme shpella ishte marrë nën mbrojtje ligjore dy vjet më pas. Ajo u vu nën mbrojtje me sipërfaqe prej 38.6 hektarësh. Shpella u hap për vizitorë në vitin 1976, sipas një publikimi të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK).

“Kristalet e këtyre stolive, në shpellë paraqiten në galerinë e Aragoniteve të cilat karakterizohen me forma dhe drejtime të ndryshme të shtrirjes të cilat shpellën e bëjnë posaçërisht interesante dhe tërheqëse”, thuhet në një prej informatave që ka ofruar AMMK-ja në faqe.

Karakteristikë tjetër e kësaj shpelle është se nga kristalet që gjenden aty, janë formuar simbole e portrete që ngjasojnë me figura të njohura, siç njihen edhe “Mjekra e Skënderbeut”, “Romeo dhe Zhulieta”, “gjarpri”, “peshku” e të tjera (fotot REL).

Shpella e Gadimes konsiderohet e pasur sa i përket ujërave nëntokësore dhe fenomen karstik unik jo vetëm për Kosovë, por edhe më gjerë.

Sipas AMMK-së, fakti se kanalet, galeritë dhe boshllëqet e kësaj shpelle janë krijuar në mermer paleozoiku e bënë këtë shpellë të rrallë edhe në nivel botëror.

Shpella me kanalet e saj është e lokalizuar në sukën e “Mërturit”, ndërsa hyrja ndodhet në pjesën e poshtme të grykës së lumit Klysura në lartësi mbidetare 580 metra. Bazuar në rritjen e kristalit në një cm për 30.000 vjet, kjo shpellë mendohet të jetë e vjetër 80.000 vjet.

Temperatura brenda shpellës gjatë verës është 13 gradë celsius, ndërsa gjatë dimrit rreth 11 gradë.

Edhe pse e gjatë më shumë se 1200 metra, për vizita janë të mundshme vetëm 800 metra, pasi pjesa tjetër është ende e pakalueshme.

Në vitin 2009, me vendim të Qeverisë së Kosovës Shpella e Gadimes u vu nën mbrojtje në kategorinë e monumentit të natyrës me rëndësi të veçantë. Në vendimin e Qeverisë thuhej se ky monument është vënë nën mbrojtje si ndërlidhje unikate e specifikave tektonike, gjeologjike, gjeomorfologjike dhe hidrologjike e formuar në mermer (vendimi).

Shpella e Gadimes ndodhet tre kilometra larg magjistrales Prishtinë-Ferizaj. Për ata që janë të interesuar të vizitojnë, koordinatat mund të gjenden lehtësisht në “Google Maps”.

Exit mobile version