Përgatiti: Festim Rizanaj
Ura mbi Lumin Ibër, që e ndan Mitrovicën në dy pjesë, në atë të banuar me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999 dhe u vendos nën mbrojtjen e KFOR-it.
Në vitin 2011, serbët e Kosovës ngritën barrikadat e para mbi urën e Ibrit për të kundërshtuar zgjerimin e autoritetit të Qeverisë së Kosovës në veri, duke i shoqëruar ato me barrikada të tjera në rrugët kryesore të asaj zone.
Ndarja u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.
Si rezultat, rihapja e urës u përfshi në dialogun Kosovë-Serbi, dhe arritjet e para u panë tre vjet më vonë.
Më 22 korrik 2014, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja, u arrit marrëveshja për heqjen e barrikadave dhe rivitalizimin e urës mbi Ibër, por në vend të barrikadave, serbët ndërtuan një park të quajtur “Parku i Paqes” që vazhdoi të pengonte qarkullimin.
Marrëveshja e vitit 2014 për urën, sipas planit të BE-së, përfshinte këto elemente: respektimi i Ligjeve të Kosovës; kryerja e një vlerësimi teknik të stabilitetit dhe strukturës statike të urës së Ibrit nga BE-ja; dhe hartimi i një projekti për revitalizimin e urës.
Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për hapjen e urës dhe përcaktuan hapat për mbylljen e saj me pengesa të palëvizshme më 15 tetor 2015, hapjen për qarkullim deri në verë 2016, revitalizimin e rrugës kryesore dhe definimin e linjave administrative në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut, por revitalizimi nuk u përfundua brenda afatit të qershorit 2016 siç ishte parashikuar.
Më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një plan të ri zbatimi për të qartësuar interpretimet e ndryshme nga marrëveshjet e mëparshme. Ata ranë dakord të revitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Pjetër” deri më 14 gusht 2016, ta hapin urën për qarkullim më 20 janar 2017, dhe të përcaktojnë kufijtë administrativë midis Mitrovicës dhe Mitrovicës së Veriut deri më 14 tetor 2016.
Në dhjetor 2016, Komuna e Mitrovicës së Veriut filloi ndërtimin e një muri në anën veriore pranë urës, duke penguar kalimin me automjete. Muri u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës dhe BE-ja, dhe në shkurt 2017, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e rrënoi atë si një ndërtim ilegal pa leje.
Në vitin 2018, punimet për rivitalizimin e urës u përfunduan dhe raporti i Komisionit Evropian rekomandoi hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme.
Me gjithë arritjen e marrëveshjeve dhe investimeve në infrastrukturën e urës, si dhe hapjen e saj për këmbësorët, ura e Ibrit vazhdon të mbetet e bllokuar për automjete.
Vetëm në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: ”Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.
Në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut mori vendimin për hapjen e urës, duke e bazuar atë në Marrëveshjen e Brukselit që parashikonte hapjen e urës në vitet 2015-2016.
Në vitin 2024, ura ende nuk ishte hapur për qarkullim; më 8 gusht, Qeveria e Kosovës nisi testimin e sigurisë statike të saj, ndërsa serbët lokalë protestuan dhe bashkësia ndërkombëtare kërkoi hapjen e saj pas marrëveshjes në dialog, ndërsa forcat e KFOR-it vazhdojnë të patrullojnë mbi urë.