Vetëm këto ditët e para të vitit 2024, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe (ZKQS) ka publikuar dezinformata mbi Kosovën në së paku tri raste.
Më 18 janar, 2024, zyra që drejtohet nga Petar Petkoviq, që njëherësh është edhe kryenegociator në dialogun me Kosovën në Bruksel, lëshoi një komunikatë me titullin “Plaçkiten edhe dy shtëpi të të kthyerve Marinko Blagojeviq dhe Tomislav Radivojeviq në fshatin Lubozhdë” ku pretendonte se dy shtëpi të serbëve të kthyer në këtë fshat, që gjendet në Istog, janë plaçkitur.
Ekipi i zyrës akuzoi pa asnjë bazë a provë “ekstremistët shqiptarë” për këto vepra.
Në komunikatën e tyre u publikuan edhe dy fotografi që gjoja paraqisnin pamjet e atyre shtëpive të plaçkitura.
Foto: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (1)
Foto: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (2)
“Sulmet e tilla të shpeshta ndaj popullit paqësor serb që thjesht duan të jetojnë në shtëpitë e tyre, veçanërisht ndaj të kthyerve tanë që janë kategoria më e ndjeshme e popullatës, është një mesazh më se i qartë nga ekstremistët shqiptarë se ata nuk duan të ndërtojnë një bashkëjetesë paqësore dhe se po bëjnë gjithçka për të trembur dhe dëbuar serbët”, ka thënë kjo zyrë.
Zyra e drejtuar nga Petkoviqi tha më tej se politikanët e Kosovës nuk po i dënojnë këto raste, por përkundrazi, “në deklaratat e tyre i vënë në cak serbët dhe në këtë mënyrë gjenerojnë dhunë në terren dhe çdo lëvizje e tyre shërben për të bërë jetën dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë të pamundur”.
Kjo zyrë në kuadër të qeverisë së Serbisë, që ka pasuar Ministrinë e dikurshme për Kosovën, pretendon se merret me problemet e serbëve që jetojnë në Kosovë. Në ueb-faqen zyrtare të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe (ZKQS), mes tjerash thuhet se ekipi i saj bashkëpunon me “Komisionerin për Refugjatë në pjesën që ka të bëjë me personat e zhvendosur brenda vendit nga Kosova”. Formulimi i fjalisë në thonjëza është citat i përkthyer nga serbishtja, e nxjerrë nga ueb-faqja e ZKQS-së, dhe përkon me pretendimet e Serbisë për Kosovën të cilën ende e konsideron pjesë të veten.
Zyra në fjalë ka reagime të shpeshta për situatën në Kosovë, ndonëse në shumë raste situata e paraqitur nga ajo është larg së vërtetës në terren duke bërë akuza e pretendime të pabaza se gjoja serbët e Kosovës po kërcënohen, sulmohen, rrahën e vriten nga institucionet në Prishtinë. Këto pretendime i ka demantuar në vazhdimësi Hibrid.info.
A qëndrojnë këto pretendime?
Policia e Kosovës ka konfirmuar për mediat në vend se dy rastet në fjalë janë paraqitur në polici më 17 janar në orët e pasdites.
Mirëpo, pretendimet për hyrje me forcë dhe plaçkitje, u hodhën poshtë nga ky institucion. Fadil Gashi, zëdhënës i PK-së në Rajonin e Pejës, ka thënë se “njësitë kompetente kanë dalë në vendngjarje dhe së bashku me mbikëqyrësin e shtëpive, kanë parë që vetëm dritaret e shtëpisë kanë qenë të hapura – pa forcë – dhe nuk ka munguar asgjë në shtëpi”.
Veç policisë, me rastin është marrë edhe Prokuroria e Pejës.
Sikurse policia, edhe Shkodran Nikçi, zyrtari për informim i kësaj prokurorie, ka mohuar që në ato shtëpi ka pasur hyrje me forcë. Ai ka thënë se dëmtimet e këtyre shtëpive nuk janë shkaktuar nga faktori njeri, duke demantuar kështu pretendimet e zyrës së drejtuar nga Petar Petkoviq.
“Nuk janë parë dëmtime të mëdha ose që janë shkaktuar nga faktori njeri”, ka deklaruar Nikçi.
Veç kësaj, Prokuroria konfirmoi se pronarët e atyre shtëpive nuk gjenden në Kosovë, duke demantuar kështu edhe një pretendim të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, e cila iu referohej pronarëve të atyre shtëpive si “të kthyer”.
Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, rishtazi (më 15 janar, 2024) reagoi edhe për një rast tjetër të një vjedhjeje ndaj një punëtorie të një serbi të ndodhur në Plemetin të Obiliqit.
Edhe kësaj radhe, kjo zyrë akuzoi shqiptarët e Kosovës. Akuzën për veprën e drejtoi te ekzekutivi i vendit, duke thënë se “kjo praktikë e frikësimit të serbëve ka qenë veçanërisht dominuese që nga ardhja e Kurtit në pushtet, pasi kemi regjistruar incidente të shumta, të cilat synojnë të kërcënojnë mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.
Ndërkaq, ky rast i vjedhjes është konfirmuar nga organet e rendit. Zëdhënësi i policisë Agron Borovci, ka thënë se vjedhja është kryer në një punëtori saldimi, ku janë marrë dy bombola të mbushura me oksigjen dhe acetilen bashkë me gypat përcjellës që shërbejnë për saldim.
Megjithatë, ai nuk ka qenë në gjendje të thotë se kush janë të dyshuarit për kryerjen e kësaj vepre penale pasi që ende askush nuk është arrestuar për rastin.
“E vërteta” e pavërtetë e Serbisë për Masakrën e Reçakut
Përpos rasteve për vjedhje e plaçkitje, kjo zyrë ka shtrembëruar edhe fakte mbi Masakrën e Reçakut.
“Faktet e ruajtura për histori nga Danica Marinkoviq rrënojnë çdo përpjekje për të trilluar ngjarjet në Reçak, e cila shërbeu si justifikim dhe arsye jokoherente për agresionin e paligjshëm të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj RF të Jugosllavisë”.
Kështu u shpreh Petar Petkoviq, pas një takimi që tha se e zhvilloi me ish-gjyqtaren hetuese serbe Danica Marinkoviq, e cila, sipas tij, “më 15 janar 1999, kreu një hetim në lidhje me ngjarjet në Reçak dhe përkundër presioneve të shumta, me guxim ia prezantoi të vërtetën mbarë botës në bazë të ekspertizës shkencore dhe provave të mbledhura”.
Megjithatë, për Masakrën e Reçakut, ku u vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë, kanë raportuar shumë media ndërkombëtare, bazuar në raporte po ashtu ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë ngjarje si masakër ndaj civilëve të pambrojtur. William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ishte zyrtari i parë ndërkombëtar dëshmitar i kësaj masakre, dhe i pari që alarmoi botën për mizoritë serbe në Kosovë. (më shumë për Masakrën e Reçakut mund të lexoni KËTU)
Me pretendimet e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është marrë edhe platforma për verifikim të fakteve, Hibrid.info.