kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës
BallinaBottom Fakte për... Për Institucionet Zhvillime

25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës

Përgatiti: Etrit Berisha

Sot më 6 shtator, shënohet 25 vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës.

Pas miratimit të Rezolutës 1244 nga OKB më 10 qershor 1999, misioni i UNMIK-ut mori përgjegjësinë për krijimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Një nga iniciativat kryesore ishte krijimi i një force policore lokale. Kjo përfshinte trajnimin e rekrutëve vendas në kuadër të Shkollës së Policisë së Kosovës, e cila u hap më 6 shtator 1999 nga Misioni i OSBE-së. Gjenerata e parë e policëve përfshinte 176 pjesëtarë që me sukses përfunduan trajnimin dhe filluan punën në terren.

Rekrutimi filloi menjëherë dhe ambientet e ish-shkollës së policisë në qytetin e Vushtrrisë u rinovuan nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila filloi të trajnojë kadetët.

Në një periudhë dhjetëvjeçare, Policia e Kosovës u konsolidua si një forcë që përfaqësonte etnitë kryesore të vendit, duke përfshirë shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe turq. Ky shërbim policor u bë një nga institucionet më të besueshme në Kosovë, pas NATO-s, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Rezoluta e OKB-së kishte tri faza: fillimisht forcat e NATO-s ruajtën rendin, më pas UNMIK-u mori përgjegjësitë policore dhe rekrutoi policinë lokale, dhe në fund, përgjegjësia iu transferua Shërbimit Policor të Kosovës.

Në kohën e themelimit, nën administrimin e UNMIK-ut, shërbimi u quajt SHPK (Shërbimi Policor i Kosovës). Emri “Policia e Kosovës” u zgjodh nga komisari i parë ndërkombëtar i policisë, Sven Frederiksen.


Logoja e ish-Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK):

Nga shkurti i vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, forca u bë një agjenci qeveritare e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Para kësaj, ajo ishte në varësi të Policisë së UNMIK-ut, e cila kishte autoritet komandues mbi policinë ndërkombëtare dhe Policinë e Kosovës.

Flamuri i Policisë së Kosovës:

Aktualisht, Policia e Kosovës numëron personel aktiv me 11,600 punonjës dhe rreth 1000-2000 personel të vendosur. Pozitën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni e mban, Gazmend Hoxha.

Policia e Kosovës është agjenci kombëtare e zbatimit të ligjit policor në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Numri i urgjencës është 192.

Ky institucion ka gjithsej pesë departamente: Departamenti i Operacioneve, i Hetimeve, për Kufi, i Shërbimeve Mbështetëse dhe ai për Burime Njerëzore. Ndërsa drejtoritë rajonale të Policise së Kosovës janë ajo e Prishtinës, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicë së Veriut, Gjilanit, Ferizajit, Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.

Exit mobile version