kosovofacts Blog BallinaBottom Edicioni i katërt: Rrugëtimi i Kosovës në Ligën e Kombeve
BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Sport

Edicioni i katërt: Rrugëtimi i Kosovës në Ligën e Kombeve

Përgatiti: Endrit Berisha

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të premten (sot) nis edicionin e katërt të garës të quajtur Liga e Kombeve, e organizuar nga Bashkimi i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA).

Takimi i parë i “Dardanëve” do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Rumanisë. Ndeshja nis në orën 20:45. Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se të gjitha biletat janë shitur.

Pos Rumanisë, Kosova në Grupin 2 të Ligës C kundërshtare e ka edhe Lituaninë e Qipron. Me secilin kundërshtar do të luajë nga dy herë. Ndeshjen e dytë, Kosova do ta luajë me Qipron të hënën (9 shtator), si mysafire. Faza që nis sot është e planifikuar të mbyllet në nëntor 2024 me ndeshjen ndaj Lituanisë.

Risitë në ekip

Mesfushori Elvis Rexhbeçaj është një nga futbollistët që janë grumbulluar për herë të parë te Kosova për dy ndeshjet. 26-vjeçari javë më parë pranoi të jetë pjesë e Kosovës. Ai luan tek Augsburgu në Gjermani. Emra të rinj janë edhe sulmuesit Fisnik Asllani e Eliot Bujupi.

Lista e plotë e futbollistëve të ftuar:

Portierë: Arijanet Muriq, Visar Bekaj, Ilir Avdyli

Mbrojtës: Amir Rrahmani, Mërgim Vojvoda, Mirlind Kryeziu, Florent Hadërgjonaj, Ilir Krasniqi, Donat Rrudhani, Lumbardh Dellova, Fidan Aliti, Leart Paqarada

Mesfushorë/sulmues: Valon Berisha, Lindon Emërllahu, Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Fisnik Asllani, Astrit Selmani, Eliot Bujupi, Albion Rrahmani, Vedat Muriqi.

Për përzgjedhësin Franco Foda është hera e parë që paraqitet me Kosovën në Ligën e Kombeve. Trajneri gjerman mori udhëheqjen e përfaqësueses së Kosovës më 17 shkurt 2024. Në tri ndeshjet e para, të gjitha miqësore, ka një fitore e dy humbje.

Suksesi më i madh

Liga e Kombeve tashmë ka nisur edicionin e katërt. Në po kaq herë ka marrë pjesë edhe Kosova. Suksesi më i madh i Kosovës ishte në edicionin e parë, atë 2018/2019, kur nga Liga D kaloi në Ligën C dhe iu afrua kualifikimit në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Në atë edicion, Kosova pati përfunduar e para në Grupin 3 të Ligës D duke marrë 14 pikë nga përballjet me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën. Nga gjashtë ndeshje kishte shënuar katër fitore dhe kishte barazuar dy herë. Sipas rregullave, fituesi i grupeve duhej të ndeshej me fituesit e grupeve të tjera në një miniturne të play-offit ku u mposht nga Maqedonia me rezultat 2:1. Fituesi i këtij miniturneut u kualifikua në Kampionatin Evropian. Ishte Maqedonia e Veriut ajo që u kualifikua pasi mposhti Gjeorgjinë në finale.

Sezonet jopozitive

Dy edicionet tjera, ato 2020-22 dhe 22-23 e gjetën Kosovën në formë jopozitive. Në edicionin 2020-21, në Grupin 3 të Ligës C, Kosova mbijetoi duke dalë e treta me pesë pikë nga përballjet me Slloveninë, Greqinë dhe Moldavinë.

Në edicion 2022-23, Kosova doli e dyta në Grupin 2 të Ligës C. Përfaqësuesja dardane mori 9 pikë. Para saj ishte Greqia. Në vend të tretë dhe të katërt përfunduan Irlanda e Veriut dhe Qiproja.

Në rregullat e edicionit të sivjetmë, parashihet që vendet e para të grupeve në Ligën C të kualifikohen direkt në Ligën B. Dy më të dobëtat e katër grupeve në Ligën C, bien direkt në Ligën D e dy të tjerat luajnë në play-off me dy pozitat e dyta të grupeve në Ligën D. Vendet e dyta të katër grupeve të Ligës C luajnë në play-off për kualifikim në një ligë më lartë (shih detajet).

Exit mobile version