Një mini-dokumentar i realizuar nga redaktorja që mbulon fushën e Mbrojtjes në gazetën britanike “The Telegraph”, Danielle Sheridan, riktheu në diskursin publik vendor e ndërkombëtar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Dokumentari i publikuar më 9 prill 2024, me titullin e përdorur për rrjete sociale “A mundet Kosova të bëhet Ukraina e radhës?” dhe titullin tjetër në ueb-faqe “Policia kosovare ngarkohet me armë në kufirin serb ndërsa tensionet rriten”, fliste për Policinë e Kosovës se si përgatitet kur del në terren në kufirin me fqinjin verior.
Por, veç këtij rrëfimi, aty u përmend edhe mundësia e një pushtimi të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Siguria është shtuar ndërsa frika rritet se presidenti i Serbisë Alleksander Vuçiq po planifikon një pushtim të ndihmuar nga aleati i tij Vlladimir Putin”, është nëntitulli i dokumentarit.
Shkas për këtë, si duket media britanike kishte marrë një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë kësaj të përditshmeje kohë më parë.
“Në një intervistë për ‘The Telegraph’, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, paralajmëroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte në plan pushtimin. Ai tha se Serbia kishte ndërtuar baza operative përpara rreth kufirit në një ‘formë patkoi’ për të ‘mbrojtur Beogradin dhe sulmuar Kosovën’”.
“Bazuar në fjalët e vetë presidentit Vuçiq, kryeministri Kurti beson se presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi për të pushtuar”.
“Miqësia e presidentit Vuçiq me Vlladimir Putinin është e njohur dhe Kurti beson se është në interesin e liderit rus që Serbia të pushtojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë”, shkroi ky medium mes tjerash.
Me këtë pretendim të Kurtit, në këtë mini-dokumentar u pajtua edhe Veton Elshani, zëvendëskomandant i policisë në veri. “Nuk është surprizë që Vuçiqi dëshiron të pushtojë”, tha ai.
Gazetarja Sheridan, teksa e shpërndau shkrimin në X, tha: “Shikojeni (dhe lexojeni) mini-dokumentarin tonë nga Kosova. Ai eksploron tensionet midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në veri të vendit dhe nëse dhuna mund të shpërthejë edhe një herë në Ballkanin Perëndimor”.
Megjithatë, për një pjesë të opinionistëve e gazetarëve ndërkombëtarë, pretendime të tilla nuk qëndrojnë.
(S’)Pajtohen me Sheridanin
Për të mos u mjaftuar me kritikat për paralajmërimin për pushtim, kolegëve të saj ndërkombëtarë nuk u pëlqeu as paraqitja e saj.
Danielle Sheridan, në “stand-up”-in e realizuar për këtë shkrim, kishte veshur jelek anti-plumb, dhe kjo, sipas kolegëve të saj, nuk e paraqet situatën reale të sigurisë në Kosovë.
“Një luftë e re nis në Ballkan sepse një gazetare e ‘The Telegraph’ pati shumë nevojë për një storje”.
Kështu e përshkroi në platformën X artikullin e medias britanike Camilla Bell-Davies, një gazetare e disa mediave kryesore ndërkombëtare, “Financial Times”, “The Economist”, “The Guardian” e “The Times”.
Veç saj, kritika për mini-dokumentarin, por edhe për paraqitjen e saj me jelek anti-plumb, Sheridan mori edhe nga një koleg tjetër, redaktor i opinioneve në “Euronews”, por që bashkëpunon edhe me “The Guardian”, “Washington Post”, “Haaretz” e “Tagessspigel”, ndër të tjera.
“Një mesazh kolegëve gazetarë: vërtet duhet të ndaloni së shkuari në vende paqësore me veshje të plota luftarake. Nëse dikush do ta bënte këtë në një fushë në Flanders, do të përqesheshin, dhe ashtu do të duhej të ndodhte. Çka sjell kjo?”, shkroi Aleksandar Brezar në X, duke komentuar dokumentarin e “The Telegraph”.
Përqeshje për paraqitjen me anti-plumb pati edhe nga një tjetër koleg gazetar spanjoll, Raul Gallego Abellan, e edhe nga profile tjera në platformën X.
Edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, e ka kritikuar gazetaren e “The Telegraph” për veshjen e anti-plumbit. “Kosova është sigurisht e kërcënuar nga Serbia. Por statistikisht është më e sigurt se Londra. Kështu që jelekët anti-plumb dhe rrobat e maskimit për gazetarët duken të tepërta”, shkroi ai në X.
Ndërkaq, një njohëse e rajonit të Ballkanit Perëndimor po mendon se pushtimi është i mundshëm.
Hulumtuesja amerikane Ivana Stradner, duke e shpërndarë dhe komentuar artikullin e “The Telegraph” në X me titullin “A mundet Kosova të bëhet Ukraina e radhës?”, tha: “Po, ka shumë të ngjarë”.
Pretendimin e saj, ajo e mbështeti në katër ngjarje.
“1. Në mars, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së publikoi një raport që pret një ‘rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024’ në Ballkan”.
“2. Vitin e kaluar në maj, 90 paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në Kosovë”.
“3. Shtatorin e kaluar, një oficer dhe tre sulmues vdiqën pasi persona të armatosur sulmuan një fshat afër kufirit serb (sulmi i Banjskës)”.
Dhe, “4. Zyrtari Amerikan i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha: ‘Ne ishim shumë të shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur një pushtim ushtarak’”.
“Ky ishte raundi i parë, ka shumë të ngjarë që ne të shohim një raund të dytë. Dhe mos harroni se Serbia nuk operon me tanke dhe avionë. Grupet paraushtarake janë më të rëndësishmet për qëllimet e Vuçiqit. Kushtojini vëmendje forcave të operacioneve speciale”.
“Britania e Madhe dhe ShBA-të e dinë se çfarë po ndodh në rajon”, theksoi Stradner.
Ndërkaq, edhe shefja e deputetëve të partisë së pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e mbështeti raportimin e gazetares Sheridan.
Duke iu kundërpërgjigjur reagimit të presidentit të Serbisë në lidhje me këtë dokumentar, ajo e cilësoi raportimin nga veriu “të vërtetë”.
“Presidenti serb, i hidhëruar dhe i mundur, tallet me një gazetare profesioniste të ‘The Telegraph’-it anglez për raportimin e vërtetë nga veriu i Kosovës. Një sjellje e tillë nga një lider me çrregullim deluzional nuk ka vend në të ardhmen. Ai duhet të dënohet ndërkombëtarisht”, shkroi Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së në platformën X.
Vuçiqi mohon planet për pushtim
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mohuar se po planifikon pushtimin e Kosovës. Në profilin e tij në “Instagram”, ai hodhi poshtë raportimin e “The Telegraph”, duke bashkëngjitur një imazh të shkëputur nga mediumi kroat “Jutarnji List”, i cili e kishte ritransmetuar mini-dokumentarin e medias britanike me titullin “Po ndërtohen baza në formë patkoi! Putini ka dhënë bekimin, Vuçiqi po përgatitet për pushtim”.
Vuçiqi ka shkruar se “më shumë se 10 mijë tekste me përmbajtje të ngjashme janë shkruar kundër Serbisë në 25 muajt e fundit”.
“Askush nuk ka kërkuar falje për gënjeshtrat që kanë thënë. As për këtë. Nesër këtë gënjeshtër do ta mbulojë një e re e kështu deri në pafundësi. Është e pamundur të mohosh disa herë në ditë këtë lloj budallallëku dhe marrëzie”, ka shkruar presidenti i Serbisë.
Një sulm potencial të Serbisë ndaj Kosovës e ka mohuar edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
“Nuk di gjë për indikacione për pushtim të planifikuar të Kosovës nga Serbia. Mund t’ju them që në takimet e mia të fundit në Beograd javën e kaluar më ka ri-siguruar presidenti Vuçiq që të mos marrë vendime të këtilla, tash ju mund të shtroni pyetjen ‘a i besohet atij ose jo’ dhe nëse ma shtroni këtë pyetje, unë s’do t’ju përgjigjesha sepse të gjithë duhet të vendosin për veten e tyre se çfarë të besojnë. Por, s’kemi indikacione për këtë (pushtim)”, tha Sarrazin në pyetjen e “Nacionales”.
Bazuar në reagimet e aktorëve dhe njohësve të situatës së sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, specifikisht të raportit Kosovë-Serbi, pas dokumentarit të “The Telegraph”, vlerësohet se një sulm apo pushtim nga ana e Serbisë në Kosovë është i mundshëm, megjithëse i largët.
Artikull analitik nga Agon Osmani
Ky publikim është financuar/bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Action for Democractic Society dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Ky publikim është mbështetur nga CFI – Développment Médias. E gjithë autonomia nga CFI u ruajt në krijimin e kësaj përmbajtjeje.