kosovofacts Blog Fakte për... Zhvillime Kushtet për Kosovën në Këshillin e Evropës
Zhvillime

Kushtet për Kosovën në Këshillin e Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet që këtë javë të debatojë dhe të votojë për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës (15-19 prill), bazuar në raportin e raportueses Dora Bakyoannis. Komiteti për Politikë dhe Demokraci (PACE) i këtij institucioni ka miratuar më 27 mars 2024 raportin që rekomandon se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës.

Ky Komitet në miratimin e raportit në Paris, pati mirëpritur listën e përkushtimeve që kanë bërë autoritetet e Kosovës dhe ka theksuar se “anëtarësimi do të shpinte në forcim e standardeve të të drejtave të njeriut, duke siguruar qasje në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, për të gjithë ata që janë nën juridiksionin e Kosovës”. 

Komiteti në njoftim pati bërë të ditur se e ka mirëpritur “përparimin e madh” në implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit. Më 13 mars, në mbledhjen e 193-të të Qeverisë së Kosovë, kryeministri Albin Kurti pati njoftuar se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’i transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai pati thënë se zbatimi i vendimit të Kushtetueses ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sipas tij, ishte kushti i fundit i ngelur për anëtarësim në KiE. E zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se ky ishte kushti i vetëm i mbetur që nga janari.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe – zotim pas anëtarësimit

Komiteti në njoftimin publik në faqe ka shtuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të jetë “zotim pas anëtarësimit të Kosovës”.  Aty po ashtu është thënë se sa u përket shpronësimeve të pronave në veri, ato duhet të kryhen në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.  

Komiteti ka rekomanduar që Asambleja të hapë procedurë monitoruese për Kosovën, për të siguruar përmbushjen e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi. Në draftin e publikuar në faqen zyrtare të Komitetit, vihet në pah se Asambleja e konsideron themelimin e Asociacionit si hap të rëndësishëm dhe rrugë përpara dhe mënyrë për të forcuar pjesëmarrjen demokratike dhe fuqizimin e serbëve të Kosovës dhe sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre. “Paragrafi 11. Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin nga Komiteti i Ministrave në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, si angazhim pas anëtarësimit”.

Në draftin e plotë të raportit, të publikuar në uebfaqen e Komitetit PACE, në paragrafin 14.2 për të drejtat e komuniteteve joshumicë theksohet se autoritetet e Kosovë (kryeministri, presidentja, kryeparlamentari) janë zotuar për hapa thelbësorë e të prekshëm me synimin për zbatimin e të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, e që përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundur. Letra e kryeministrit, presidentes dhe kryeparlamentarit me zotimet e Kosovës mban datën 22 mars. 

Në draftiopinionin për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, për çështjen e Asociacionit thuhet po ashtu se “është e qartë që themelimi i një asociacioni ndërkomunal nuk është kërkesë e standardeve të Këshillit të Evropës”. Megjithatë, aty theksohet se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është moment kyç drejt normalizimit të raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, obligim ndërkombëtar dhe mënyrë për të forcuar pjesëmarrjen demokratike të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre e se Asociacioni ka peshë të madhe në rrugën evropiane të Kosovës.  

Në dokumentin e plotë, është edhe një letër e kryeministrit Albin Kurti e datës 3 mars, e në të cilën jepet zotimi për nënshkrimin dhe ratifikimin e 31 konventave, brenda një apo dy vjetëve pas anëtarësimit. (shih këtu nga faqja e 18-të)

Në raportin e Bakoyannis, thuhet se Kushtetuta e Kosovës është instrument i avancuar dhe se është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Aty thuhet se korniza ligjore ka problem në zbatim pjesërisht për shkak të “situatës specifike në Kosovë dhe tensioneve në mes të komunitetit shumicë dhe atij serb, shoqëruar me tensionet në mes të Kosovë dhe Serbisë”.

“Parakusht” vs. “kusht pas pranimit”

Votimit në Komitetin PACE i ka paraprirë debati në Kosovë mbi deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, që pati thënë me 15 mars se janë dy kushte tjera, pos pronave të Manastirit, që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Megjithatë, ai nuk i pati përmendur ato si parakushte për anëtarësim. Deklarata ishte dhënë 12 ditë para votimit në Komitetin PACE dhe letrës me zotime të liderëve të Kosovës.

Pjesë nga intervista e Escobarit për Radion Evropa e Lirë, 15 mars:

Radio Evropa e Lirë: Një gjë e mirë që ndodhi këtë javë – të paktën QUINT-i e ka mirëpritur – është vendimi për Manastirin e Deçanit. Sa do të jetë vendimtar në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës? 

Gabriel Escobar: Shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin – megjithëse pjesërisht – por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Kështu që do të duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë. Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë, sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt. Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni. 

Tre ditë pas kësaj deklarate, duke komentuar kushtet kryesore për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se në shtator të 2023-s kanë qenë tri kushte: Asociacioni, shpronësimet dhe prona e Manastirit të Deçanit. Ai ka thënë se çështja e shpronësimeve është sqaruar me bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Konjufcës, Escobari vetëm se e ka ngarkuar Kosovën me disa kritere që janë tejkaluar. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati deklaruar para gazetarëve më 27 marsit se themelimi i Asociacionit – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh më 2013 – nuk është kusht për anëtarësimin e Këshillit të Evropës.  

Më 18 mars, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, ka thënë se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”. Knaus – organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës – ka deklaruar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”.

Në anën tjetër, në Serbi është krijuar një ekip për të lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Argumenti kryesor i këtij ekipi, sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, është mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Ky asociacion ka buruar nga Marrëveshja e Parimeve e njohur si Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, në dialogun Kosovë-Serbi.

Çka është Këshilli i Evropës dhe çka merr parasysh?

Këshilli i Evropës është organizata lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Selinë e ka në Strasburg të Francës. Organizata ka 46 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 700 milionë njerëz. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Janë dy kritere bazë për pranim në Këshill të Evropës: Gjeografik (shtetet në Evropë) dhe ai politik (vlerat demokratike).

Këshilli i Evropës nuk bën ligje, por nxit zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. 

Dy organet statutore të Këshillit janë Komiteti i Ministrave, i përbërë nga ministrat e jashtëm të secilit shtet anëtar dhe Asambleja Parlamentare, e përbërë nga anëtarë të parlamenteve kombëtare të secilit shtet anëtar. Asambleja Parlamentare i ka 306 deputetë dhe 306 zëvendësues. Ata zgjidhen nga parlamentet e secilit shtet. Kërkohen 2/3 e votave për t’u pranuar.

Shtetet anëtare: Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar. Shtetet vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

KiE promovon të drejtat e njeriut përmes konventave ndërkombëtare. Të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, që mbikëqyret nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut. Kosova e ka këtë konventë në Kushtetutë, edhe pse qytetarët e saj deri në pranim në KiE nuk mund të ankohen në këtë gjykatë. 

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022. 

Pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme, faza e ardhshme parashihet votimi në Komitetin e Ministrave në muajin maj.

Artikull nga Endrit Berisha

Exit mobile version