Përgatiti: Fatbardh Dema
Republika e Kosovës ka një sipërfaqe prej 10,905.25 km² dhe gjendet në Evropën Juglindore. Kufizohet me Shqipërinë në jug-perëndim, Malin e Zi në veriperëndim, Serbinë në veri-lindje dhe Maqedoninë e Veriut në jug, thuhet në Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Territori i Kosovës shtrihet mes koordinatave gjeografike 41° 51’ dhe 43° 16’ në gjerësi, dhe 19° 59’ dhe 21° 47’ në gjatësi. Relievi i Kosovës varion në lartësi mbidetare. Pika më e ulët ndodhet në luginën e Drinit të Bardhë, në kufi me Shqipërinë, në 270 metra mbi nivelin e detit, ndërsa pika më e lartë është Gjeravica, në perëndim të Kosovës, me 2,656 metra.
Në aspektin hidrografik, Kosova ndahet në pellgje lumore që përfshijnë Drinin e Bardhë, Ibrin, Moravën e Binçës dhe Lepencin. Këta lumenj derdhen në tre ujëmbledhës kryesorë: Detin e Zi, Detin Adriatik dhe Detin Egje.
Klima në Kosovë është kryesisht kontinentale, me vera të ngrohta dhe dimra të ftohtë. Temperaturat mesatare variojnë nga +30°C gjatë verës, deri në -10°C në dimër. Për shkak të ndryshimeve në lartësinë e terrenit, ka variacione të konsiderueshme të temperaturave dhe shpërndarjes së reshjeve në zona të ndryshme të vendit.
Gjatësia e vijës kufitare të Kosovës me shtetet fqinje është 743,5 km.
Kosova ka kufij tokësorë me katër shtete fqinje, me gjatësitë e mëposhtme:
- Kufiri me Shqipërinë është 116.3 km.
- Kufiri me Maqedoninë e Veriut është 167.6 km.
- Kufiri me Malin e Zi është 78.0 km.
- Kufiri me Serbinë është 381.6 km.
Majat kryesore në malet e Kosovës
Kosova ka disa maja të larta malore, ndër të cilat dallohen:
- Gjeravica me lartësi 2,656 metra.
- Bistra me lartësi 2,640 metra.
- Marjashi me lartësi 2,530 metra.
- Luboteni me lartësi 2,496 metra.
- Mali i Strellcit me lartësi 2,377 metra.
- Mali i Lumëbardhit me lartësi 2,335 metra.
Lumenjtë në Kosovë dhe gjatësia e tyre
Kosova ka një rrjet të pasur lumor, me lumenjtë kryesorë dhe gjatësitë e tyre brenda territorit si më poshtë:
- Drini i Bardhë: 111.5 km
- Sitnica: 110 km
- Lumëbardhi i Pejës: 56 km
- Morava e Binçës: 67 km
- Lepenci: 50 km
- Ereniku: 38 km
- Ibri: 85 km
- Lumëbardhi i Prizrenit: 36 km
Liqenet kryesore në Kosovë dhe sipërfaqja e tyre
Kosova ka disa liqene kryesore, me sipërfaqet dhe komunat përkatëse si më poshtë:
- Liqeni i Ujmanit (Komuna Zubin Potok): 9.10 km²
- Liqeni i Radoniqit (Komuna Gjakovë): 5.96 km²
- Liqeni i Batllavës (Komuna Podujevë): 3.27 km²
- Liqeni i Badovcit (Komuna Prishtinë): 2.57 km²