Përgatiti: Etrit Rexhepi
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është ngritur në pozitën e 101-të të ranglistës së Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA) të kombëtareve.
Kosova u ngjit në këtë pozitë pas dy fitoreve në Ligën e Kombeve ndaj Lituanisë me rezultat 2:1 dhe Qipros me rezultat 3:0. Para përditësimit të listës më 24 tetor, Kosova qëndronte e 104-ta në ranglistë.
Kosova u ngrit për 12.22 pikë në raport me renditjen e fundit. Aktualisht ka 1218.22 pikë.
Ranglista për herë të parë ishte kalkuluar më 1992.
Renditja e kombëtareve në FIFA përditësohet në baza mujore. Përditësimi i radhës, bazuar në ndeshjet që do të luhen deri atëherë, do të bëhet më 28 nëntor. E më 15 nëntor, Kosova do ta ketë përballjen me Rumaninë dhe tre ditë më pas me Lituaninë. Të dyja në kuadër të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Me ngritjen në pozitën e 101-të, Kosova ka mbërritur në nivelin më të lartë që nga pranimi në FIFA dhe UEFA, duke e barazuar renditjen e nëntorit të vitit 2023.
Në nivel bote, Argjentina është e para në ranglistë, Franca e dyta, ndërsa Spanja, Anglia e Brazili mbyllin top-pesëshen.