kosovofacts Blog BallinaBottom Raportet Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë
BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Raportet Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë

Përgatiti: Etrit Rexhepi

Nga 1 janari 2025, shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt Kosovës. Njoftimi ishte dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në organizimin e sivjetmë të Procesit të Berlinit në tetor. Njoftimi u bë rreth dy vjet pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, e që i referohej lëvizjes vetëm me letërnjoftime në Ballkan.

Megjithatë, vendimi i Kosovës është i njëanshëm. Në Bosnjë-Hercegovinë, entiteti Republika Sërpska ka vendosur veto për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës. Më 27 qershor 2023, deputetët e Asamblesë Kombëtare të këtij entiteti votuan për ta stopuar miratimin e Marrëveshjes për liri të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. 

Për të shkuar në Bosnjë-Hercegovinë, qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me viza. Për të marrë vizë, qytetarët e Kosovës mund të dorëzojnë kërkesë në Shkup, Podgoricë e Beograd. Pagesa për vizë është 31 euro (evropaelire.org).

Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës si të pavarur. Refuzimi i njohjes së Kosovës si shtet vjen pikërisht për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Sipas ligjeve të Bosnjës, disa vendime kërkojnë unanimitet nga të tre anëtarët e Presidencës (boshnjakët, kroatët dhe serbët). Këto vendime konsiderohen më të rëndësishmet dhe shpesh përfshijnë çështje të ndjeshme. Ndër to janë edhe vendimet që lidhen me politikën e jashtme.

Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, pos Serbisë, që nuk e njeh Kosovën.

Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina kanë raporte tregtare në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Në vitin 2023, Kosova ka eksportuar në Bosnjë-Hercegoinë mallra në vlerë prej 12 milionë e gati 400 mijë eurosh. Ndërsa ka importuar nga Bosnjë-Hercegovina mallra në vlerë prej 60 milionë eurosh (statistikat e tregtisë së jashtme 2023). Sipas një grafike nga viti 2018 e deri në muajin prill të 2023-s, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 240 milionë eurosh nga Bosnjë-Hercegovina.

Me Kushtetutë të Kosovës, gjuha boshnjake e ka statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jetë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj. Komuniteti boshnjak i ka të garantuara tri ulëse në Kuvendin e Kosovës (Kushtetuta e Kosovës).

Kuvendi i Kosovës më 7 korrik 2021 ka miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik 1995. Rezoluta ndalon mohimin e gjenocidit dhe kërkon shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë.

Së fundmi, për vizitë në Bosnjë-Hercegovinë ishte kryeministri Albin Kurti. Vizita e tij nxiti reagim të përfaqësuesve të Republikës Sërpska, ndërsa në Kosovë pati edhe dezinformime që lidhen me këtë vizitë, e që janë trajtuar nga platforma për verifikim faktesh hibrid.info (këtu dhe këtu).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version