kosovofacts Blog Ballina Kabineti i ri Trump: Raportet e të emëruarve dhe nominuarve me Kosovën
Ballina BallinaBottom Fakte për... Për Kosovën Politikë

Kabineti i ri Trump: Raportet e të emëruarve dhe nominuarve me Kosovën

Përgatiti: Fatbardh Dema

Më 20 janar është mbajtur ceremonia e betimit të presidentit të ri të ShBA-së, Donald Trump, në Washington DC.

Aty morën pjesë përfaqësues të shumtë të shteteve, ndonëse nga Kosova munguan krerët.

Ndërkaq, një listë e kandidatëve të kabinetit të Presidentit Trump janë paraqitur para senatorëve ditët e fundit në rrugën e tyre drejt konfirmimit.

Senatori Marco Rubio ishte i pari që u konfirmua, duke siguruar postin e Sekretarit të Shtetit me një votim unanim në ditën e inaugurimit.

Por, cili është raporti i Sekretarit të ri të Shtetit me Kosovën?

Sipas njoftimeve publike nga institucionet vendore, takime me Rubion kanë zhvilluar dy presidentët e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Hashim Thaçi.

Më 10 maj 2023, Presidenca njoftoi për disa takime të Osmanit me disa senatorë, në mesin e të cilëve edhe me Rubion.

“Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C., Presidentja Osmani është takuar me senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio, senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Në të gjitha këto takime, u tha se Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë.

Ndërkaq, më 29 nëntor të vitit 2018, Presidenca njoftonte se Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, kishte zhvilluar një sërë takimesh më senatorë dhe kongresistë të ndryshëm, me të thuhej të kishte biseduar për çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve.

Për transformimin e FSK-së dhe për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi thuhej se kishte biseduar edhe në takimin e zhvilluar me senatorin republikan Marco Rubio. “Biseduam për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, për transformimin e FSK-së, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Në të gjitha këto çështje, Kosova ka mbështetjen e plotë, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Emër tjetër i përfolur se do të jetë në kabinetin Trump 2, është edhe Richard Grenell.

Ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi në mandatin e parë të Trumpit, është thënë se do të mbajë një pozitë strategjike në administratën e re – atë të të dërguarit për Misione Strategjike.

“Reuters” në dhjetor raportoi se Grenelli, që në të kaluarën ka qenë ambasador në Gjermani, por edhe shef i agjencive të inteligjencës amerikane, do të fokusohet edhe në ato që kjo agjenci e lajmeve i quan tensionet në Ballkan.

“Një burim nga ekipi i Trumpit për tranzicion i ka thënë Reuters-it se Grenelli do të përqendrohet edhe në tensionet në Ballkan”, raportonte Reuters më 15 dhjetor të vitit të kaluar.

Grenell, si emisar i dialogut Kosovë-Serbi, e kishte arritur marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020 mes dy vendeve, e cila u nënshkrua në prani të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Si drejtues i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), pritet të jetë John Ratcliffe, ish-kongresist nga Teksasi, që njihet për raportet e tija të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Matthew Whitaker, ish-Prokuror i Përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara, pritet të jetë Ambasador në NATO.

Ky i fundit, në opinionin tonë njihet për pjesëmarrjen në një tubimin elektoral të PDK-së në fushatën e vitit 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version