Përgatiti: Etrit Rexhepi
Zvicra, Suedia dhe Sllovenia janë tre kundërshtarët e Kosovës në kualifikueset evropiane për Kupën e Botës në futboll, të vitit 2026. Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshjet kualifikuese në kuadër të Grupit B, sipas shortit të hedhur më 13 dhjetor në Cyrih të Zvicrës.
Nga Evropa në Botërorin – i cili do të organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA – do të kualifikohen 16 shtete. 12 prej tyre do të jenë fitueset e grupeve kualifikuese, ndërsa katër shtetet tjera do të përcaktohen nga një play-off mes 16 ekipesh (12 vendet që përfundojnë në pozitat e dyta të grupeve dhe katër fituese të grupeve të Ligës së Kombeve 2024-2025 me rankimin më të lartë, e që s’janë kualifikuar direkt apo s’kanë përfunduar në pozitën e dytë të grupeve).
Faza e kualifikimeve nga UEFA për në Botërorin 2026 do të nisë në mars të vitit 2025 dhe do të përfundojë në nëntor të po atij viti.
Historiku i përballjeve me kundërshtarët e përcaktuar:
Zvicra – Kosova (1:1), ndeshje miqësore – 29 mars 2022
Kosova – Zvicra (2:2), kualifikueset për Euro, 9 shtator 2023
Zvicra – Kosova (1:1), kualifikueset për Euro, 18 nëntor 2023
Suedia – Kosova (1:0), ndeshje miqësore, 12 janar 2020
Kosova – Suedia (0:3), kualifikueset për Botëror, 28 mars 2021
Suedia – Kosova (3:0), kualifikueset për Botëror, 9 tetor 2021
Kosova – Sllovenia (0:1), Liga e Kombeve, 11 tetor 2020
Sllovenia – Kosova (2:1), Liga e Kombeve 15 nëntor 2020
Është hera e tretë që Kosova luan në kualifikimet për Botërorë. Në dy herët e para, përfundoi e fundit në grup.
Në herën e parë në ndeshjet e zhvilluara në Grupin I kualifikues për Kupën e Botës 2018, Kosova kishte marrë vetëm një pikë. Nga 10 ndeshje kishte pësuar nëntë humbje.
Në kualifikimet e dyta, për Botërorin 2022, Kosova ishte në Grupin B. Nga tetë ndeshje, fitoi një dhe barazoi dy.