Ballina Për Kosovën

10 futbollistë me prejardhje nga Kosova në “Euro 2024”

Shkroi: Endrit Berisha

Janë 10 futbollistë me prejardhje nga Kosova që do të jenë pjesë e Kampionatit Evropian të vitit 2024, që pritet të zhvillohet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik. Tetë prej tyre janë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ndërsa dy të tjerë te e Zvicrës.

Për portierin e Shqipërisë, Etrit Berisha, do të jetë hera e dytë që merr pjesë në një kampionat evropian. Në vitin 2016, futbollisti me prejardhje nga Prishtina u paraqit në tri ndeshjet në fazën e grupeve. 35-vjeçari është paraqitur 80 herë për kuqezinjtë. Ai është pjesë e Empolit në Serie A. Sipas faqes së specializuar të statistikave dhe transferimeve në futboll “transfermarkt.com”, Berisha ka nisur karrierën në klubin prishtinas 2 Korriku.

Qendërmbrojtësi Arlind Ajeti po ashtu do të ketë pjesëmarrjen e dytë në një kampionat evropian. Në “Euro 2016”, Ajeti ishte paraqitur në dy ndeshje për Shqipërinë. Ai ka 24 paraqitje tek ekipi kombëtar shqiptar. Futbollisti ka lindur në Basel të Zvicrës, por ka rrënjë nga Podujeva. Aktualisht 30-vjeçari është pjesë e CFR Clujit në Rumani.

Ardian Ismajli do të jetë tjetër mbrojtës me prejardhje nga Podujeva e që do të jetë pjesë e Shqipërisë në “Euro 2024”. Futbollisti është pjesë e Empolit në Serie A të Italisë. Për 27-vjeçarin do të jetë hera e parë që paraqitet në një ngjarje kaq të madhe të futbollit. Në përgjithësi i ka pasur deri tash 38 paraqitje për kombëtaren shqiptare. Madje ai ka pasur një paraqitje për ekipin A të Kosovës, në një miqësore pikërisht ndaj Shqipërisë, në vitin 2018 (shih këtu).

Edhe për mesfushorin Amir Abrashi me prejardhje nga Gjakova do të jetë pjesëmarrja e dytë në një kampionat evropian. 34-vjeçari aktualisht është pjesë e Grasshoperit në Zvicër. Abrashi është paraqitur 50 herë për Shqipërinë e në “Euro 2016” luajti në të tri ndeshjet e grupit.

Ylber Ramadani është tjetër mesfushor me prejardhje nga Kosova e që do të jetë pjesë e ekipit të Shqipërisë në “Euro 2024”, bazuar në listat publike. 28-vjeçari është me prejardhje nga komuna e Shtimes. Futbollisti është pjesë e Lecces në Itali. Ai ka luajtur 34 herë për Shqipërinë që nga debutimi më 2018, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Kosovës U21. (shih këtu

Medon Berisha është futbollisti më i ri me prejardhje nga Kosova pjesë e “Euro 2024”. Berisha është me rrënjë nga Kaçaniku. Qendërmesfushori 20-vjeçar që luan në Lecce po ashtu ka qenë pjesë e Kosovës U21 dhe Shqipërisë U21 deri në debutimin e 3 qershorit te kombëtarja A në miqësoren ndaj Lihtenshtajnit.

Mirlind Daku është qendërsulmues nga Gjilani. 26-vjeçari ka debutuar te Shqipëria në shtator të vitit 2023 në kualifikimet për Evropian. (shih këtu) Është paraqitur në pesë ndeshje, ndërsa pesë paraqitje i ka pasur edhe te Kosova. Futbollisti është pjesë e Rubin Kazanit në Rusi.

Arbër Hoxha është me prejardhje nga Istogu, ku edhe nisi karrierën si futbollist para depërtimit deri te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb. Edhe 25-vjeçari debutoi te Shqipëria në mars sivjet dhe është paraqitur në katër miqësore. Ai i ka pasur tri paraqitje edhe te Kosova. (Shih këtu)

Për kapitenin e Zvicrës, futbollistin me prejardhje nga Podujeva, Granit Xhaka, do të jetë pjesëmarrja e tretë në kampionate evropiane (shih këtu). Mesfushori 31-vjeçar që luan te Bayer Leverkusen deri tash ka pasur 124 paraqitje te Zvicra. Është paraqitur në tetë ndeshje, katër në Euro 2016 dhe katër tjera në Euro 2020.

Edhe 32-vjeçari nga Gjilani, Xherdan Shaqiri, do të përfaqësojë Zvicrën për herë të tretë në evropiane.  Ai është paraqitur 122 herë te helvetikët (shih këtu). Ai ka debutuar te Zvicra në vitin 2010. Është paraqitur në katër ndeshje në “Euro 2016” dhe pesë në “Euro 2020”. Sulmuesi i krahut është pjesë e Chicago Fire në SHBA.

Shqipëria është pjesë e Grupit B në “Euro 2024”. Kuqezinjtë do të përballen me Italinë më 15 qershor, Kroacinë më 19 qershor dhe me Spanjën më 24 qershor.

Zvicra luan në Grupin A dhe do të takohet me Hungarinë më 15 qershor, Skocinë më 19 qershor dhe me Gjermaninë më 23 qershor.

X