Përgatiti: Festim Rizanaj
Më 4 shtator 2020, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit të atëhershëm të ShBA-së, Donald Trump.
Dokumenti i marrëveshjes u përgatit në katër gjuhë: shqip, anglisht, serbisht dhe hebraisht. Një nga arritjet kryesore të kësaj marrëveshjeje ishte njohja e ndërsjellë mes Izraelit dhe Kosovës, e cila kulmoi me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem më 14 mars 2021.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Kosova u zotua të respektojë një moratorium njëvjeçar për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia u obligua të ndalojë përpjekjet e saj për të bindur shtetet e tjera të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Marrëveshja gjithashtu parashikoi zbatimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Beograd, si dhe përkushtimin ndaj bashkëpunimit me ShBA-në për zhvillimin ekonomik dhe energjinë. Të dyja palët u zotuan gjithashtu për mbrojtjen e lirive fetare dhe përshpejtimin e përpjekjeve për të identifikuar personat e zhdukur nga konfliktet e kaluara.
Më poshtë janë pikat e përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar nga pala kosovare:
- Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë, të nënshkruar më 14 shkurt, 2020.
- Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e hekurudhave Beograd-Prishtinë të nënshkruar më 14 shkurt, 2020. Për më tepër, të dyja palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik.
- Kosova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të ShBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar këto:
-Autostradën e paqes
-Lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare
-Lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë
-Sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
-Projekte shtesë dypalëshe
-Prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, Serbi, e Korporatës Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar.
- Të dyja palët do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar Merdare.
- Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.
- Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.
- Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
- Të dyja palët do të shumëfishojnë burimet e tyre të energjisë.
- Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës jo kredibilë, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku tashmë ka pajisje të tilla, të dyja palët angazhohen për heqjen e tyre dhe përpjekje tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur.
- Të dyja palët do të rrisin kontrollin e pasagjerëve ajrorë, ndarjen e informacioneve midis njëra-tjetrës dhe brenda kornizës së përgjithshme të bashkëpunimit me ShBA-në në Ballkan, dhe do të angazhohen për përditësime teknologjike, për të luftuar aktivitetet keqdashëse, duke zbatuar dhe operacionalizuar sistemet e siguruara nga ShBA-ja, për kontroll dhe informacion, përfshirë: PISCES, APIS, ATS-G dhe SRTP.
- Të dyja palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.
- Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Të dyja palët angazhohen që të përcaktojnë një pikë kontakti, që do t’i udhëheqë këto përpjekje brenda ministrive të tyre respektive dhe do t’i koordinojë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe do t’i përditësojë të dhënat për numrin e rasteve të zgjidhura dhe ato që janë në proces, çdo vit.
- Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë.
- Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.
- Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.
- Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.
Çka zbatoi Kosova?
Kosova ka zbatuar disa nga zotimet e saj ndërkombëtare që rrjedhin nga marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator 2020 në Uashington me ndërmjetësimin e ShBA-së. Një nga pikat kryesore ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, e cila u përmbyll më 1 shkurt 2021 gjatë një ceremonie virtuale për shkak të pandemisë. Po atë ditë, Kosova mori miratimin për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem, hap që u cilësua si historik nga të dyja vendet.
Në kuadër të marrëveshjes, Kosova gjithashtu u angazhua në një moratorium njëvjeçar për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilin e respektoi plotësisht deri në përfundimin e afatit. Ky vendim ishte kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila ishte në opozitë në atë kohë, por që u respektua edhe pas ardhjes së tyre në pushtet (14 shkurt, 2021), duke mos aplikuar në organizata ndërkombëtare deri në skadimin e moratoriumit.
Kosova gjithashtu ka ndjekur politikën e ShBA-së për ndalimin e përdorimit të pajisjeve 5G nga shitës të jo kredibilë, si Huawei dhe ZTE, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për “Rrjetin e pastër” 5G me ShBA-në më 23 tetor 2020.
Ndërsa disa projekte si ndërtimi i “Autostradës së Paqes” dhe linja hekurudhore Prishtinë-Merdarë ende nuk kanë filluar. Kosova ka qenë aktive në çështjen e lokalizimit dhe identifikimit të mbetjeve të personave të humbur, duke përfshirë gërmimet në Kizhevak të Serbisë që kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të të paktën nëntë personave.
Çka zbatoi e çka jo Serbia?
Serbia ka përmbushur disa pika të rëndësishme të Marrëveshjes së Uashingtonit, ndër të cilat spikat moratoriumi njëvjeçar mbi fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Deri në këtë marrëveshje, zyrtarët serbë ishin aktivë në përpjekjet për të tërhequr njohjet e Kosovës, por presidenti serb, Alleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi do të rifillojë fushatën nëse ndonjë shtet vendos të njohë Kosovën.
Ndër pikat e tjera të përmbushura, Serbia ka ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e “Autostradës së Paqes” Beograd-Prishtinë dhe ka bashkëpunuar me Korporatën Amerikane për Zhvillim Financiar Ndërkombëtar (DFC) dhe EXIM Bank për zbatimin e projekteve infrastrukturore.
Megjithatë, Serbia ka dështuar të përmbushë disa detyrime të tjera të marrëveshjes. Ndër to është zhvendosja e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, një veprim që duhej të ishte përmbushur, por që nuk u realizua për shkak të ndryshimit të interesave të Serbisë pas njohjes së Kosovës nga Izraeli. Gjithashtu, nuk është bërë shumë përparim në ndarjen e Liqenit të Ujmanit, ndërsa bashkëpunimi me Kinën në teknologjinë 5G ka nxitur shqetësime.
Për më tepër, Serbia nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për të hetuar vendet e tjera të dyshuara si varre masive dhe nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm në njohjen reciproke të diplomave dhe certifikatave profesionale. Ndërkohë, autoritetet serbe nuk kanë bërë publike vendime të reja për shpalljen e Hezbollahut si organizatë terroriste, dhe mbeten të paqarta hapat e ardhshëm në këtë drejtim.