Fakte për... Për Kosovën Zhvillime

8 vjet të Kosovës në FIFA: Çka ndodhi para dhe pas anëtarësimit

Shkroi: Endrit Berisha

Janë bërë tetë vjet që prej se Kosova u bë anëtare e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë, Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Futbollit (FIFA).

E premte, 13 maj 2016 – Kosova mori 86 për qind të votave në Kongresin e 66-të të FIFA-s për t’u bërë anëtarja e 210-të e saj. Pati 141 vota pro e 23 kundër. Kongresi u mbajt në Meksikë.

Vendimit për pranim në FIFA i parapriu anëtarësimi në UEFA (Bashkimi i Shoqatave Evropiane të Futbollit) më 3 maj 2016. UEFA është një nga gjashtë konfederatat e FIFA-s.

Atë kohë kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë Fadil Vokrri. Në fjalimin para delegatëve pati thënë se Kosova ka histori në futboll e se është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe federatave të tjera sportive ndërkombëtare. Duke kërkuar votat e anëtarëve të FIFA-s, Vokrri pati thënë se “futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin”. Pas votimit pro, Vokrri pati premtuar se kosovarët do t’i mbrojnë vlerat e futbollit.

Kosova u anëtarësua 8 vjet pas aplikimit. Në tetor 2008, aplikimi për anëtarësim ishte refuzuar dhe ishte vendosur që Kosova të mos lejohet të luajë as miqësore me kombëtaret, anëtare të FIFA-s.

Debutimi i përfaqësueses dhe historiku

Në shtator të 2012-s, futbollistët shqiptarë Lorik Cana, Granit Xhaka, Valon Behrami e Xherdan Shaqiri, i kishin shkruar presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter që të lejonte zhvillimin e një miqësoreje. Deklarata ishte nënshkruar edhe nga futbollistë të tjerë me rrënjë nga Kosova.

Më 6 shkurt 2013, FIFA vendosi t’ua lejonte miqësoret klubeve kosovare me miqësore të shteteve që janë anëtare të FIFA-s. Por klubet nuk kishin të drejtë të shfaqnin simbole shtetërore.

Në janar të 2014-s, FIFA vendosi ta lejonte Kosovën të luante miqësore me anëtare të tjera të FIFA-s. Më 5 mars të atij viti, Kosova zhvilloi miqësoren e parë. Ndeshja me Haitin u zhvillua në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kosova pati barazuar pa gola me Haitin.

Gara e parë zyrtare që përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë nën patronazhin e FIFA-s ishin kualifikimet për Kampionatin Botëror të 2018-s. Kosova ishte në grup me Kroacinë, Finlandën, Islandën, Turqinë e Ukrainën. Debutoi me barazim 1:1 me Finlandën e kjo doli të ishte pika e vetme në ato kualifikime.

Më pas, Kosova garoi në Ligën e Kombeve dhe fitoi në grupin e saj në kuadër të Ligës D përballë Azerbajxhanit, Ishujve Faroe dhe Maltës. Humbi në fazën e plejofit ndaj Maqedonisë së Veriut. Ishte suksesi më i madh për përfaqësuesen e Kosovës deri tash. Në eliminatoret tjera nuk ka lënë gjurmë.

Në vitin 2023, Kosova arriti rankimin më të mirë në ranklistën e FIFA-s, duke dalë në vendin e 101-të. Aktualisht është e 102-a.

Trajneri i parë i përfaqësueses pas pranimit ishte Albert Bunjaki. Pas tij, erdhën Bernard Challandes, Primozh Gliha, Alain Giresse e tash është Franco Foda. Trajneri kosovar Muharrem Sahiti tre herë ka shërbyer si trajner i Kosovës (dy herë si i përkohshëm pas anëtarësimit).

Futbollisti me më së shumti paraqitje për fanellën e Kosovës është kapiteni Amir Rrahmani. Ai ka zhvilluar 56 ndeshje. Pas tij janë Milot Rashica e Mërgim Vojvoda me nga 55.

Vedat Muriqi është golashënuesi më i mirë me 26 gola në 53 ndeshje. Pasojnë Milot Rashica me 12 dhe Arbër Zeneli me nëntë. 

Kryetar i FFK-së që nga viti 2018 është Agim Ademi. Ai pasoi Fadil Vokrrin e ndjerë.

Infrastruktura

Që nga anëtarësimi, është përmendur në vazhdimësi nevoja për infrastrukturë më të mirë për gara ndërkombëtare. E projektet tjera kanë mbetur në letër. Stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri” është i vetmi në të cilin po luhen ndeshjet ndërkombëtare aktualisht. Ai i Mitrovicës “Adem Jashari” është në procedura të rinovimit.

Menjëherë pas anëtarësimit, presidenti i shtetit atë kohë, Hashim Thaçi, pati thënë se në Prishtinë do të ndërtohet një stadium i ri i futbollit.

Fillimisht stadiumi kombëtar ishte premtuar për t’u ndërtuar në Bërnicë të Prishtinës e më pas në Korroticë të Drenasit.

E ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se Kosova është zotuar që deri në Lojërat Mesdhetare 2030 të ketë stadium të vetin nacional.

Pas anëtarësimit, Kosova ka luajtur më së shumti ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë (35 ndeshje). Në eliminatoret e para pati luajtur edhe në “Loro Boriçi” të Shkodrës (5 ndeshje). E gjithçka pati nisur në stadiumin “Adem Jashari” me tri miqësore ndaj Haitit, Turqisë e Letonisë. 

Stadiumi i kryeqytetit mori emrin “Fadil Vokrri” në qershor të 2018-s, pas vdekjes së kryetarit të FFK-së.