Në javën që shkoi ekosistemi keqinformues në Kosovë u dominua nga dezinformatat. Dezinformata nga mediat serbe lidhur me zbatimin e vendimit të regjistrimit të targave në RKS dhe lajme të vjetra të ri-sjella si aktuale.
Clickbait artikuj për zhvillime të ndryshme të cilat, në tituj nuk qartësonin vendin e zhvillimit, duke ngjallur kështu kureshtjen tek lexuesit për atë që paraqitet në përmbajtje. Kjo strategji e prodhuesve të këtyre përmbajtje, nxitë numrin e klikimeve.
Kishte edhe lajme të rreme si “Miroslav Lajçak është lodhur nga spekulimet e mediave për disa ‘drafte’ lidhur me marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë”.
Gabime në lidhje me lokacionin e fshatit Resinofc (Resinoc) dhe deklarimet e profesorit të Kurtit.
Clickbait
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një sondazh të realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili thotë se “60% e britanikëve mezi paguajnë faturat e energjisë elektrike”, por duke mos e qartësuar vendin e këtij zhvillimi në titull të artikullit. Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se një lajmi ka të bëjë me ndonjë sondazh të realizuar në Kosovë. (këtu)
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një ngjarje në një institut në Rovigo të Italisë, por duke mos e qartësuar se në cilin shtet ka ndodhur ajo. Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në artikull, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues, pra që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja. ndërsa kjo bëhet e ditur vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një mësuese e një shkolle të mesme në Rovigo është qëlluar nga disa fishekë gome nga nxënësit teksa jepte mësim”. (këtu)
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar me 26 tetor një artikull me titull “Eurodeputeti austriak nuk toleron më/ I kërkon pesë vendeve të BE-së ta njohin Pavarësinë e Kosovës: Duhet ta ndjekni shembullin e Izraelit..”. Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në këtë artikull dhe ka vërtetuar se ky lajm është i vjetër, i publikuar më 10 shtator, nga portali dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “fakte.buzz”. (këtu)
Lajm i rremë
Portali “Lecanton27.ch”, përmes një postimi në Facebook ka pretenduar se, Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është shprehur “i lodhur nga spekulimet e mediave për disa ‘drafte’ lidhur me marrëveshjen në mes këtyre dy shteteve”. Mirëpo, një deklaratë e tillë e bërë nga Lajçak nuk është gjetur e publikuar nga asnjë burim kredibil. (këtu)
Dezinformatë
Portali i dyshimtë “news426media.com” ka publikuar një komunikatë të vjetër të vitit 2021 të lëshuar nga zyra e Presidencës në Kosovë, lidhur me një takim të zhvilluar atëkohë ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass. Këtij lajmi të vjetër, ky portal i dyshimtë i ka vendosur titull dhe fotografi jo adekuate, duke u munduar ta paraqesë atë si aktual. (këtu)
E përditshmja serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po kërkon luftë. Kurti nuk ka dhënë afat shtesë për qytetarët e nacionalitetit serb në veri të Kosovës që të regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS, të cilën mediumi serb e interpreton se Kurti po kërkon luftë, edhe pse i pari i Qeverisë së Kosovës nuk e cek një gjë të tillë. (këtu)
Gazeta serbe “Novosti” kaishte publikuar një artikull me pretendimin e pabazuar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “pas planit i regjistrimit të automjeteve me targa RKS fshihet dëbimi i serbëve nga Kosova”. Vuçiq, pretendimin e tij nuk e bazon në ndonjë fakt konkret, edhe pse deklarata e Prishtinës zyrtare nuk përmbajnë në vete pretendimet e presidentit serb. Për më tepër, plani i regjistrimit përfshin kufizimin e lëvizjeve të automjeteve me regjistrime të lëshuar nga Serbia dhe parasheh që, sipas ligjit siguri në komunikacion, Policia ka të drejtë t’i largojë këto automjete. (këtu)
Mediumi serb “Informer” bënë pretendim të pabazuar se ekziston një plan i Kurtit që serbëve që refuzojnë regjistrimin e veturave me targa RKS do t’u hiqen targat nga automjetet e tyre dhe menjëherë më pas do t’u ofrohet të nënshkruajnë një ‘aplikacion për riregjistrim’, atyre që do të refuzojnë do tu merren veturat dhe në rezistencën më të vogël do të arrestohen. Për shkak se mediumi serb nuk ofron burime relevante dhe kredibile, apo specifikon burimin se a është lokal apo institucional, hibrid.info vlerëson këtë pretendim si “dezinformatë”. (këtu)
Portali i dyshimtë “ranknews3.com” ka publikuar një artikull që flet për humbjen prej 14 për qind të aksioneve të bankës zvicerane “Credit Suisse”, e cila ka njoftuar se deri në vitin 2025 planifikon të largojë nga puna 9 mijë punëtorë. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë titull të sajuar me pretendimin se një ligj i ri në Zvicër do të lë pa punë shumë shqiptarë. (këtu)
Gabim
Portali informativ “Nacionale.com” ka publikuar dje një artikull për aksidentin në magjistralen Komoran – Carralevë, ku mbetën të vdekur një burrë dhe një grua. Çifti ishin nga fshati Resinoc, e që mediumi online “Nacionale” e lokalizon atë si fshat i komunës së Drenasit. Pas hulumtim të bërë nga hibri.info është gjetur se fshati Resinoc është në komunën e Lipjanit e jo në komunën e Drenasit. (këtu)
Portali “GazetaBlic.com” në faqen zyrtare në Facebook ka publikuar një video me një opinion të një ish-profesori të Albin Kurtit i cili, i pyetur nëse “është i kënaqur me qeverisjen e Kurtit”, është përgjigjur se “nuk çmoj apo vlerësoj, pasi për ta bërë këtë duhet të jetë afër tyre”. Mirëpo, ky portal, në përshkrimin e kësaj video ka pretenduar jo saktë se ish-profesori ka thënë se është i zhgënjyer me Kurtin. Siç duket, autori i përshkrimit të videos e ka keqkuptuar opinionin e qytetarit, në këtë rast, ish-profesorit të Kurtit. (këtu)