Përmbajtjet e rreme dhe artikujt clickbait dominuan ekosistemin keqinformues në Kosovë gjatë javës që shkoi.
Përmbajtje të rreme kishim kryesisht në rrjetin social TikTok dhe kishin të bënin me vrasje të serbëve në veri, plagosje të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga grupi “Wagner”, sulm në zemër të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe takimin Thaçi-Radojqiç.
Clickbait artikuj kishin me arrestim të deputetëve, plagosje të nxënësve, e që nuk u bëhej e ditur në titull vendndodhja e ngjarjes, kështu duke lënë hapësirë që të mund të kuptohet që ngjarjet ndërlidhen me Kosovën.
Teori konspirative lidhur me një plaçkitje të zyrës së kishës ortodokse Shën Nikolla në Shtërpcë.
Lajm i rremë
Llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar një video-material me mbishkrimin “SI PAS GAZETES KOHA 3 SERB JAN VRAR NGA POLICIA NE KUFIRIN AFER LEPOSAVIQI EDHE KA TE PLAGOSUR NGA POLICIA E KOSOVES”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim i bërë nga kjo llogari është i rremë. Një ngjarje e tillë nuk është raportuar nga asnjë medium në Kosovë. Po ashtu në mbishkrimin e bërë është përmendur edhe “Gazeta Koha”, që nga lexuesit mund të kuptohet se i janë referuar portalit koha.net. (këtu)
Llogaria në TikTok me emrin “lumjanana009” ka publikuar një video-material (15 sekonda) me pretendimin se nga sulmet e grupit të mercenarëve rus “Wagner” kanë mbetur të plagosur shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Llogaria e lartcekur, në këtë video-material përveç një imazhi që paraqet disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ka vendosur edhe mbishkrimin “PLAGOSEN 7 POLICE NE MITROVIS SOT NGA SULMET E GRUPIT WAGNER RUSE NE VERI”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga kjo llogari në TikTok është i rremë. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, nuk ka gjetur asnjë raportim të publikuar lidhur me këtë ngjarje në ndonjë nga mediumet në Kosovë. (këtu)
Llogaria “lumjanana009” në TikTok ka pretenduar rrejshëm se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pësuar sulm në zemër. Por, ky pretendim rezultoi të jetë i rremë, pas konsultimit me burimet zyrtare kredibile që mund të japin informacione për ish-Presidentin Thaçi, siç mund të jenë kanalet online të Gjykatës Speciale, PDK-së apo ndonjë mediumi kredibil. Pra, nuk u gjet asnjë njoftim zyrtar që përmban një pretendim të tillë. (këtu)
Llogaria në median sociale “TikTok” me emrin “fatmir764” ka publikuar një video-material me mbishkrimin përmes së cilit pretendohet se zyrtarët e PDK-së, saktësisht ish-kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, ishte takuar me nënkryetarin e Listës serbe, Milan Radojçiq, i sanksionuari nga SHBA-të, njëkohësisht i kërkuar edhe nga drejtësia e Kosovës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia e përdorur në video-material nuk tregon pamje të takimit të Thaçit me Radojçiqin. Në fakt, imazhi i paraqitur në këtë video-material shfaqë një pamje ku paraqiten ish-presidenti Thaçi me deputetin komunitetit goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha. (këtu)
Clickbait
Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Votoni/ Cili është banori juaj i preferuar? Në fotografinë e këtij artikulli janë shfaqur portretet e pesë kandidatëve nga spektakli televiziv (reality show) Big Brother Vip Albania. Në përmbajtje të këtij artikulli nuk shfaqet asnjë opsion për të votuar, siç pretendohet rrejshëm me anë të titullit. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me arrestimin e një deputeti jordanez në Izrael, por në titull nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se arrestimi i deputetit ka ndodhur në Kosovë. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Plagosen nëntë nxënës”. Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Teksas të SHBA-ve. Përveç titullit përgjithësues, artikulli përmban edhe fotografi jo adekuate, pasi në të shfaqet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës Mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar artikullin me titull “Pl’agoset një 31-vjeçar shqiptar në qebaptore”. Përpos titullit përgjithësues që nuk tregon se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje, në këtë artikull shihet që edhe fotografia nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në fotografinë e vendosur në këtë artikull, shihet një pjesëtar i Policisë së Kosovës, si dhe një veturë e këtij institucioni. Kjo lë vend për keqkuptim te lexuesit, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur diku në Kosovë. (këtu)
Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull me pretendimin se në përmbajtje gjendet mundësia për të votuar për finalistin e katërt në spektaklin televiziv “Big Brother Vip Albania”. Në fotografinë e këtij artikulli janë shfaqur portretet e tre kandidatëve nga spektakli televiziv (reality show) Big Brother Vip Albania. Në përmbajtje nuk ofrohet asnjë mundësi që publiku të votojë për banorin finalist të katërt. (këtu)
Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar një artikull me titull “Edhe një stadium me kritere të UEFA-s, Ministria e Sportit hap tenderin 200 mijë €”. Mirëpo në këtë artikull, portali i lartcekur ka vendosur një fotografi jo adekuate, në të cilën shihen pamjet e një stadiumi. Hibrid.info pas verifikimit përmes makinave online të kërkimit ka vërtetuar se stadiumi në fjalë i përket ekipit të futbollit “Linfield FC” në Irlandën e Veriut, e që shfrytëzohet edhe nga kombëtarja e këtij shteti. Kjo lë vend për keqkuptim te lexuesit, duke i bërë të kuptojnë gabimisht se stadiumi që paraqitet në imazh është projekt i stadiumit të prezantuar, që pritet t’i takojë qytetit të Ferizajt. Gjithashtu, portali i lartcekur nuk ka sqaruar se fotografia është ilustruese, apo të përmendet burimi. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Çifti i të moshuarve gjenden të vdekur në banesë, policia arreston djalin e tyre”. Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Verona të Italisë. Përveç titullit përgjithësues, artikulli përmban edhe fotografi jo adekuate, pasi në të shfaqet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës. (këtu)
Faqja “Pamfleti.com” në Facebook ka publikuar një artikull me titull “Kosova nuk bahet tue i ruejtë interesat personale por tue vu vetën në shërbim të shtetit!” dhe me fotografi ilustruese të kryeministrit, Albin Kurti duke lënë të kuptohet se kjo deklaratë është bërë nga ai. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është gjetur se deklarata është bërë nga aktori Çun Lajçi në një postim të tijin në Facebook. (këtu)
Teori konspirative
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull për një plaçkitje të zyrës së kishës ortodokse Shën Nikolla në Shtërpcë. Lidhur me rastin ka reaguar Ministria e Kulturës së Serbisë. Në këtë reagim, ndër të tjera, pretendohet edhe se mosgjetja dhe ndëshkimi i kryesve të veprës është “pjesë e fushatës së Prishtinës për kërcënime ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë”. Megjithatë, nga kontrolli i fakteve i bërë nga hibrid.info vërehet se, përpos fotografisë dhe videos, ku shihen Policia e Kosovës duke u marrë me rastin, ky institucion serb nuk ofron fakte shtesë që mbështesin pretendimin se një gjë e tillë vjen si pasojë e fushatës së Prishtinës zyrtare si kërcënim ndaj komunitetit serb. (këtu)