Përmbajtjet clickbait kanë dominuar ekosistemin keqinformues gjatë javës që shkoi. Ato kishin të bënin me ngjarje si, vdekjen e një gazetari, ndalesën e veshjes së rrobave fetare “abaja”, pezullim të vendimit për viza, incident me pasoja fatale, të cilave nuk u bëhet e ditur në titull vendndodhja e ngjarjeve.
Dezinformatat ndërlidheshin me publikimin e imazhit të disa vajzave të mbuluara, për të cilat pretendohet se janë shqiptare, me video-material ku pretendohet se kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se më parë do ta vriste Albin Kurtin se sa Radojçiqin.
Gabim rreth vendimit për parkingjet me pagesë në Prishtinë edhe pas orës 19:00.
Përmbajtje të rreme në Facebook ndërlidhur me deklarata të shpikura të Dua Lipës, ku pretendohet të ketë thënë se secili e njeh flamurin e armikut, dhe se as në ëndërr nuk do ta mbante flamurin serb në dorë.
Mashtrim në TikTok lidhur me video-material në të cilin pretendohet se në një aeroplan civil është vendosur mbishkrimi “Albin Kurti – Kosova USA”, dhe nw Facebook me një imazh me të dhëna, me anë të cilave pretendohet se Berat Buzhala, ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).
Përmbajtje e paverifikuar në portal informativ me pretendimin se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është parë në skena intime më një grua në një jaht.
Dezinformatë
Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar një imazh në Facebook, me mbi shkrimin “Hafezet shqiptare ne Turqi”. Në fotografi shihen imazhet e disa vajzave të mbuluara, për të cilat pretendohet se janë shqiptare, por që hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i shfaqur në mbishkrim nuk është i saktë. Në fakt në bazë të gjetjeve bëhet e qartë se imazhi shfaq disa vajza nga qyteti i Sulaymaniyah – Irak. (këtu)
Llogaritë në TikTok, “shqiperietnike4” dhe “lagraqsaqi” kanë publikuar video-material ku pretendohet se kreu i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se më parë do ta vriste Albin Kurtin se sa Radojçiqin. Por që hibrid.info ka gjetur se pretendimi i llogarive në fjalë nuk qëndron. Klinaku është deklaruar në llogarinë e tij në Facebook, se më parë do ta vriste Albin Kurtin sesa do ta lëshonte Kosovën. (këtu)
Portali i dyshimtë me emrin “promakale.com” ka publikuar një artikull me titull “Një krijesë e frikshme shfaqet në Berat, tmerrohen banorët (Foto)”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur se artikulli i publikuar, është lajm i vjetër. Pra, portali në fjalë është munduar ta paraqesë si aktual, lajmin e publikuar për herë të pare, para shtatë vitesh (2016). (këtu)
Clickbait
Portali informativ “sot.com.al” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e gazetarit grek, por që në titull nuk sqarohet se për kë bëhet fjalë. Hibrid.info pas verifikimit të fakteve të paraqitura në përmbajtje, ka vërtetuar se titulli nuk sqaron se për gazetarin e cilit shtet bëhet fjalë, prandaj si i tillë, konsiderohet si titull përgjithësues. (këtu)
Portali “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikull në lidhje me ndalesën e veshjes së rrobave fetare “abaja” në të gjitha shkollat në Francë, por që në titullin e artikullit nuk saktësohet se cili shtet ka marr këtë vendim. Nga të dhënat e gjetura mbi mediumin në fjalë, tregohet se fakti që ky portal vepron në Shqipëri, mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për vendim të marr nga Ministria e Arsimit në Shqipëri. (këtu)
Mediumi “NTV Televizion” ka publikuar një video-material, ku pasqyrohet një raport me titull që pretendon se do të ketë pezullim të vendimit për viza. Titullit i është bashkangjitur edhe një nëntitull në të cilin jepet deklarata e Milija Bisevac, aktivist politik serb, i cili e cilëson të saktë këtë vendim. Hibrid.info ka gjetur se në të dy rastet kemi të bëjmë me deklarime të aktivistit serb, të ndërthurura në mënyrë që lexuesi të keq-kuptojë se bëhet fjalë për pezullim të vendimit për viza, për Kosovën. (këtu)
Portali “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikull në lidhje me një ngjarje të ndodhur në shtetin e Egjiptit, por që në titullin e artikullit nuk saktësohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Bazuar në të dhënat e gjetura mbi mediumin në fjalë, tregohet se fakti që ky portal vepron në Shqipëri, mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Shqipëri. (këtu)
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me një incident që ka lënë një person të vdekur nga përplasja e trenit, në Angli, por që në titullin e artikullit nuk është specifikuar vendndodhja e ngjarjes. Pasi që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës, titulli në fjalë, mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)
Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Kujdes! Policia jep alarmin: Vrasësi i rrezikshëm është arratisur nga burgu”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues që nuk sqaron se policia e cilit shtet ka bërë këtë thirrje. (këtu)
Gabim
Disa portale informative kanë pretenduar pasaktë se vendimi për parkingjet me pagesë edhe pas orës 19:00 vlen edhe për Zonën 2. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se aktualisht ky vendim vlen vetëm për parkingjet në Zonën 1 (qendër), ndërsa një vendim i tillë pritet në ndërkohë të hyjë në fuqi edhe për Zonën 2. (këtu)
Lajm i rremë
Disa Faqe në Facebook kanë publikuar imazhin e Dua Lipës me mbishkrimin që pretendon se këngëtarja shqiptare është deklaruar se secili e njeh flamurin e armikut. Por që hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur fakte dhe dëshmi të besueshme, se një deklaratë e tillë ka ardhur nga këngëtarja. (këtu)
Një faqe në Facebook me emrin “Gazeta Aktuale” ka publikuar imazhin e Dua Lipës me mbishkrimin që pretendon se këngëtarja shqiptare është deklaruar se as në ëndërr nuk do ta mbante flamurin serb në dorë. Por që hibrid.info ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur fakte apo dëshmi të besueshme, se një deklaratë e tillë ka ardhur nga këngëtarja. (këtu)
Faqja “The Reis” ka publikuar një fotografi të vjetër të edituar në të cilën shihet planeti Tokë në formë të sheshtë. Me anë të këtij imazhi, faqja e lartcekur pretendon rrejshëm se imazhi është shkrepur gjatë misionit “Chandrayaan-3” të Indisë në Hënë. (këtu)
Mashtrim
Llogaria në TikTok me emrin “fatmir764” ka publikuar më datë 28 gusht një video-material në të cilin pretendohet se në një aeroplan civil është vendosur mbishkrimi “Albin Kurti – Kosova USA”. Në video shihet një aeroplan civil-komercial duke parakaluar në një pistë fluturimesh, me mbishkrimin e lartcekur. Por që hibrid.info ka verifikuar se në video-materialin në fjalë janë bërë ndërhyrje duke edituar me anë të ndonjë programi/aplikacioni për “Deepfake”. (këtu)
Një faqe në Facebook me emrin “Me Vetëvendosje-n” ka publikuar një imazh me të dhëna, me anë të cilave pretendohet se Berat Buzhala, gazetar dhe drejtues i portalit Nacionale, ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Megjithatë, hibrid.info me anë të programit të automatizuar online, “InVid”, ka gjetur imazhet autentike, në të cilat duket se autori ka bërë ndërhyrje, duke paraqitur të dhëna të paqëndrueshme për gazetarin Buzhala. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me pretendimin se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, është parë në skena intime në një jaht. Artikulli bazohet në një postim në Facebook nga profili me emrin “Дражан Стојковић”, i cili ka publikuar një fotografi ku shihet një burrë tullac me syze (duke iu referuar si njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës) në momente intime më një grua në jaht, për të cilin portalet informative pretendojnë se është Goran Rakiq.Por pas verifikimit të fakteve u gjet se mashkulli në fotografi nuk ishte Goran Rakiq, por Jeff Bezos, drejtori ekzekutiv i Amazon. (këtu)